.

Hapen aplikimet për master tek Ekonomiku, ja kriteret dhe afati i fundit

Mesatare e lartë e tre viteve të Bachelorit si dhe profil i njëjtë studimi me ato që ofron fakulteti i Ekonomisë. Këto janë dy kriteret bazë, mbi të cilat do të përzgjidhen fituesit në ciklin e dytë të studimeve pranë këtij fakulteti, i pari që ka hapur regjistrimet për master profesional e shkencor.

Kushtet janë thuajse të njëjta, përveç departamenteve të Kontabilitetit dhe Financës, të cilat kanë zgjeruar mundësinë e ndjekjes së shkollimit edhe nga profile të ngjashme, qoftë brenda fakultetit apo jashtë tij. Pasi të jenë konsultuar me kriteret, të interesuarit mund të gjejnë në faqen zyrtare të FEUT formularin e aplikimit bashkë me dokumentet që duhet të dorëzojnë. Studentët kanë afat për të aplikuar deri në datën 12 tetor.

KRITERET PREFERENCIALE

Si në çdo hyrje, edhe në FEUT ka një radhë veprimi. Të parët për t’u pranuar janë ata që kanë përfunduar studimet Bachelor në degën për katëse pranë këtij fakulteti. Mundësitë janë më të mëdha, nëse diploma Bachelor shoqërohet me një notë mesatare të lartë të të gjitha lëndëve të tre viteve. Të dytët në radhë që do të shqyrtohen nga ko- misioni i pranimeve janë gjithashtu studentët e Fakultetit të Ekonomisë, por që aplikojnë për të ndjekur një profil të ngjashëm, por jo të njëjtë me atë të studimeve Bachelor. Normalisht, vend ka edhe për studentët e fakulteteve të tjera, me formim ekonomik ose jo, të cilët dëshirojnë një diplomë të ciklit të dytë nga ky fakultet. Për secilën degë, në master profesional apo shkencor, çdo departament ka përcaktuar profilet e përafrueshme dhe të pranueshme (tabela ngjitur përmbledh më krye- soret). Përveç profilit, që preferohet të jetë i njëjtë ose i përafërt me degën e masterit ku studenti kërkon të ndjekë masterin, njohja në nivelin B1 e një gjuhe të huaj (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht apo spanjisht) është ajo që i bashkon të gjitha degët e masterit profesional e shkencor që ofron fakulteti. Sa i takon përzgjedhjes së fituesve, pranë çdo departamenti ngrihet komisioni që do të bëjë vlerësimin e dosjeve sipas kategorive dhe përzgjedhjen në bazë të meritës. Këtë vit akademik, 2018-2019, Fakulteti i Ekonomisë ofron 1520 kuota, 935 në master profesional dhe 585 në master shkencor. Gjashtë departamentet e FEUT kanë në dispozicion 21 profile studimi për të interesuarit. Prej pak javësh, Universiteti i Tiranës ka bërë publik edhe tarifat e reja, ku FEUT rezulton të jetë më i kripuri, me 210 mijë lekë për të dy vitet e shkollimit.

KRITERET PER ÇDO DEPARTAMENT

DEPARTAMENTI I EKONOMIKSIT

  1. Bachelor në Ekonomiks apo degë të tjera brenda Fakultetit FE.
  2. Nga institucione të tjera: Pranohen diplomat Bachelor të fakulteteve të tjera ekonomike të shkollave publike dhe jopublike, vendase e të huaja; diplomat Bachelor në degët Matematikë, Fizikë, Informatikë, Inxhinieri, të fakulteteve të Ekonomisë të shkollave publike dhe jopublike, vendase e të huaja, pasi të jetë bërë njohja e tyre sipas rregullave përkatëse.

DEPARTAMENTI I MENAXHIMIT

  1. Nga Fakulteti i Ekonomisë- Bachelor në Administrim Biznes apo degë të tjera të Fakultetit.
  2. Nga institucione të tjera do të pranohen diplomat Bachelor në fushën e Ekonomisë dhe të Biznesit të fakulteteve të tjera ekonomike të shkollave publike dhe jopublike, vendase e të huaja, pasi të jetë bërë njohja e tyre. Gjithashtu, studentët e Shkencave Sociale dhe Filologjike, Shkenca Politike, Drejtësi dhe Agrobiznes. Për master profesional, do të pranohen vetëm ata që kanë studiuar Agrobiznes në fakultete të tjera.

DEPARTAMENTI I STATISTIKËS DHE INFORMATIKËS SË ZBATUAR

  1. Nga Fakulteti i Ekonomisë- Bachelor në Informatikë-Ekonomike.
  2. Nga institucione të tjera: Bachelor në Informatikë, Teknologji Informacioni, të FSHN, UT; Bachelor në Inxhinieri Informatike të UPT si dhe të gjitha diplomat 3-vjeçare të fakulteteve të tjera publike ose jopublike, vendase e të huaja, pasi të jetë bërë njohja e tyre; Të gjitha diplomat Bachelor në Ekonomiks, Administrim Biznes dhe Financë të Fakultetit të Ekonomisë UT; Bachelor në Inxhinieri Elektronike dhe Inxhinieri Telekomunikacioni të UPT; Bachelor në Agrobiznes të fakulteteve të Ekonomisë

DEPARTAMENTI MARKETING-TURIZËM

  1. Nga FEUT- Bachelor në Administrim Biznes apo degët të FEUT.
  2. Nga institucione të tjera arsimore- Bachelor në fushën e Ekonomisë dhe biznesit.

DEPARTAMENTI I KONTABILITETIT

  1. Nga FEUT- Bachelor në Financë Kontabilitet, Administrim Biznes, Ekonomiks dhe Informatikë Ekonomike.

2.Nga institucione të tjera arsimore- Pranohen të gjitha diplomat Bachelor në Financë Kontabilitet dhe Administrim Biznes të fakulteteve të tjera Ekonomike të shkollave publike e jopublike, vendase e të huaja, pasi të jetë bërë njohja e tyre.

DEPARTAMENTI I FINANCËS

1.Nga FEUT- Bachelor në Financë-Kontabilitet, Administrim Biznes; Financë Kontabilitet në fakultete të tjera të Ekonomisë.

  1. Nga institucione të tjera arsimore – Të gjithë studentët që kanë një diplomë bachelor në Financë Kontabilitet dhe Administrim Biznes në fakultete të tjera të Ekonomisë publike, jopublike, vendase e të huaja. /Panorama