.

Kush janë dy ‘killerat’ e kërkuar nga Policia në Lushnje, vrasjet për të cilat akuzohen (FOTO)

 

Forcat operacionale të Policisë së Shtetit Renea dhe FNSH kanë zbarkuar në orët e para të së premtes  në Rremas të Lushnjes, në një operacion për kapjen e të shumëkërkuarve Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili, të dy persona të njohur me rekorde kriminale dhe autor të dyshuar të masakrës së 11 shtatorit 2017, ku humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Samir Latifi. 

Laert Haxhiu është akuzuar dhe si autor i vrasjes së 29 vjeçarit Gerti Lala. Ngjarja ku i riu që njihej me nofkën “Iriqi” mbeti i vrarë, ndodhi më 8 korrik të vitit 2010.

Për këtë krim, Laert Haxhiu u dënua me 32 vjet burg, por me vendim të Gjykatës së Apelit ai u lirua pas tri vitesh. Lirimi i tij u argumentua me mungesën e provave.

Pasi doli nga burgu në fund të 2014-s, ai u arrestua sërish në qershor të vitit 2015 në Durrës, për trafik heroine, gjatë operacionit të koduar “Smart”, ku u sekuestrua një sasi prej 1.2 kg heroinë.

Gjatë operacionit për arrestimin e tij, Laert Haxhiu tentoi të arratisej dhe u hodh nga një mur i lartë 4 metra, ku theu këmbën.

Gjykata e Durrësit e dënoi Haxhiun për moskallëzim krimi, duke dhënë 17 muaj burgim për të, pavarësisht se Prokuroria e Durrësit kërkoi dënimin e tij me 8 vite burg si i përfshirë në trafik droge.

Haxhiu rezulton se ishte shoku i ngushtë i Saimir Taullaut. Në vitin 2005, vëllai i Saimir Taullaut, Baki Taullau, është ekzekutuar me armë zjarri.

Familja Taullau njihet për konfliktin e hapur me bandën e Aldo Bares dhe akuzuar pjestarët e kesaj bande për vrasjen e tij në vitin 2005. Babai i Xhulios, Ramadan Shkurti, u ekzekutua në vitin 1997 nga Artur Daja dhe bashkëpunëtorët e tij.

Ndërkaq, bashkëpunëtori i Haxhiut në vrasjet Lushnjë në 2017, Orges Bilbili, rezulton se është dënuar me 7 vite e 4 muaj burgim për trafikim lëndësh narkotike. Bashkë me Haxhiun, Orges Bilbili është i dyshuar edhe për atentatin, ku u plagosën Xhulio Shkurti (nipi i Aldo Bares) dhe Sajmo Xhelili. Bashkë me dy të plagosurit ka qenë edhe Zamir Latifi, i cili asokohe nuk pësoi plagë.