.

Fjalimi i Ramës ishte perfekt, por kishte harruar një detaj, ka 5 vite që qeveris

Nga Ervis Iljazaj

Fjalimi që Edi Rama mbajti dje në Asamblenë e Partisë Socialiste, ishte perfekt. Pa asnjë gabim politik apo në komunikim. Por, kishte një detaj të vogël, që me sa duket Kryeministrit i kishte shpëtuar. Edi Rama, tashmë ka 5 vite që qeveris vendin. Një detaj i cili, bën diferencën në të gjithë atë fjalim brilant.

Sepse, të dëgjoje Kryeministrin dje, të krijohej ideja se, Edi Rama ishte në ditën e parë të qeverisjes së tij. Ndërkohë që, është në mandatin e tij të dytë.

E vetmja arsye që mund ta justifikojë atë fjalim, është fakti se jemi në prag të zgjedhjeve lokale, fushatën e të cilës vetë Kryeministri e deklaroi të hapur për anëtarësinë socialiste. Në këtë kontekst mund të kuptohet ky fjalim. Me qëllimin për të riorganizuar radhët dhe energjitë e Partisë Socialiste për fushatën e ardhshme të zgjedhjeve lokale. Në të kundërtën, ishte një fjalim pa asnjë logjikë politike.

Kujt i kërkon llogari Kryeministri për çmimet e larta të biletave të avionit!?

Po për bypass-in e Fierit!?

Ai fjalim, me autokritikë, me sinqeritet politik apo me premtime të ndryshme, mund të konsiderohet si kulmimi i të gjithë turit të llogaridhënies që ka pothuajse një vit që qeveria e zhvillon në të gjithë Shqipërinë. Edhe në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama nuk la askënd pa fshikulluar për mospërgjigje ndaj problemeve të qytetarëve, ashtu sikurse ka bërë publikisht gjatë gjithë turit të llogaridhënies.

Mirëpo, ka ardhur koha që qeveria t’i japë fund llogaridhënies, për t’iu kthyer qeverisjes dhe punëve të shtetit, sfidat e të cilit janë pafund, sidomos në këto momente.

Sepse, përpara se të japë llogari një qeveri duhet më parë të qeverisë. Dhe, për hir të së vërtetës, gjatë vitit që lamë pas, mungojnë reformat e rëndësishme në ekonomi, arsim, shëndetësi apo dhe në fusha të tjera. Reformat të cilat Rama i nisi në mandatin e parë, por në mandatin e tij të dytë, i ka lënë mënjanë për t’i zëvendësuar me llogaridhënien apo me bashkëqeverisjen me popullin, duke e futur atë dhe filozofinë e tij politike në një populizëm, që ndoshta është efikas për arsye elektorale, por që është në dëm të interesit publik.

Dy instrumente që e kanë bërë Ramën dhe qeverisjen në përgjithësi, të jetë në fushatë zgjedhore konstante. A thua se fushata zgjedhore nuk ka vetëm një vit që ka mbaruar!?

Në këtë kuptim, pritej një tjetër qasje nga punimet e Asamblesë të Partisë Socialiste dhe nga vetë Kryeministri Rama. Një qasje që të orientonte politikat e qeverisë drejt reformave të mëdha. Sepse është absurde vazhdimi i kësaj filozofie qeverisëse, e cila bazohet te fushata zgjedhore e përditshme, dhe jo te thelbi i problemeve të vërteta që presin zgjidhje dhe vendime politike radikale.

Të kuptohemi, llogaridhënia e qeverisë ndaj qytetarëve është një element i rëndësishëm i politikës, por nuk është vetë politika. Përtej llogaridhënies, ajo që i duhet vendit, janë padyshim debatet politike mbi reformat që krijojnë një bazë thelbësore të zhvillimit të tij. Shpresojmë që ky vit të jetë viti i debateve politike mbi reformat ekonomike dhe shoqërore, të cilat krijojnë mundësinë e zgjedhjeve midis alternativave politike të vërteta, apo mbi vizione konkurruese që përbëjnë thelbin e demokracisë dhe të zhvillimit. Duhet t’i japim fund njëherë e përgjithmonë mediokritetit të një politike grindavece, që merret me çështje dytësore, duke krijuar një lodhje psikologjike masive dhe duke harxhuar energji pafund të një shoqërie që rrezikon të kthehet në apatike.