.

Larg duart nga Kosova e kosovarëve!

NGA: SAMI REPISHTI, PHD

Sot, Republika e Kosovës sime zien nga nji kërcënim që synon copëtimin e saj,rrjedhimin i nji “fantazie” me perspektiva të paparapame për të ardhmen e saj. Akoma e paforcueme mirë si “shtet” në arenën ndërkombëtare, aksione që rrezikojnë të tashmen e brishtë dhe të ardhmen e pasigurt, në Kosovë kryhen me lehtësi adoleshenti akte që sfidojnë nji rrezik të paaftë me u kontrollue. Thirrjet e fundit që kanë marrë tone histerike kanë hedhë botën kosovare në qendër të nji stuhie që ka prekë edhe botën e jashtme. E papranueme akoma në OKB-në si anëtare me të drejta të plota, as në Bashkimin Europian si kandidate për anëtarësim, kryesisht si rezultat i mosnjohjes si shtet i pavarun nga pesë anëtarë me të drejtë veto të BE-së, as në organizata tjera të ndërkombëtare që plotësojnë mangësitë e pavarësisë së plotë, njeriu ka përshtypjen se Kosova sot vetëlëkundet pa llogarit përfundimin e aksionit të saj: ndryshim, modifikim, korrigjim kufijsh me Republikën e Serbisë, nji fenomen negativ që nga viti 1877 me përfundime gjithmonë në dam të hapësinës tokësore të Kosovës! Kryministri Haradinaj ka të drejtë. Deklarata e mësipërme tregon përgjegjësi politike!
Megjithatë, nji takim në mes të dy presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, që promovojnë idenë e ndryshimeve kufitare ashtë planifikue të mbahet me 7 shtator 2018, në Bruksel, Belgjikë. Para se të gjindemi përballë nji “fakti të kryem” duhet të veprojmë vendosmërisht dhe me shumë kujdes! Duhet të mobilizohemi, të gjithë!

Momenti historik për “territorin e Kosovës” ka qenë data 13 mars 1991. Parlamenti i Europës kaloi nji Rezolutë ku thuhej: “…republikat konstituente dhe krahinat autonome të Jugosllavisë duhet të kenë të drejtën (‘must have the right’) me përcaktue lirisht të ardhmen e tyne me mënyra paqësore dhe demokratikisht, ’në bazë të kufijve të njohur ndërkombëtarisht si dhe të kufijve të brendshëm’ (‘on the basis of recognized international and internal borders’(Clause 8)(Theksi i im.SR).

Referenca për kufijtë e brendshëm në veçanti, sugjeron se parimet e Helsinki Final Act (1975) do të aplikohen edhe për kufijtë e republikave dhe krahinave autonome gjithashtu (paprekëshmënia e kufijve). Ky vendim me rëndësi dhe referenca e Helsinki-t nënkuptojnë mosndryshimin e kufijve ekzistues, nji qëndrim që bëri të mundur formimin e Republikës së Kosovës ma vonë në të gjithë hapësirën e territorit të ish-”Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë”(KAKM). Fakti që në qershor 1999, Serbia u tërhoq nga i gjithë territori i ishKAKM-së, tregon rëndësinë e madhe të këtij parimi ndërkombëtar. Për ma tepër, asnji pëllëmbë toke jashtë Kosovës nuk ashtë marrë me dhunë ose manovrime politike e marrëveshje të fshehta. Kosova ka fitue pavarësinë e saj si rezultat i shtypjes së patolerueshme serbe dhe përpjekjeve të shumanshme të popullit të saj, të njohura ndërkombëtarisht.

Fatmirësisht, qëndrime të këtilla u banë të mundshme për hir të ndryshimit të klimës politike botërore dhe europiane veçanërisht. Hapat e mëdha të ndërmarra nga Fuqitë Aleate në ngritjen e strukturës ndërkombëtare të mbasluftës parashikuen nji botë ma të lirë, ma paqësore dhe ma të zhvillueme ekonomikisht. Bota e Versaille-s kishte vdekë njëherë e përgjithmonë. Mbas Kartës së OKB-së për ruejtjen e stabilitetit dhe paqes (1945), u aprovuen edhe dokumente të tjera si Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (1948), dy Konventat për të Drejtat Politike dhe Ekonomike (19 dhjetor 1966), themelimi i Europës së Bashkueme, Akti Final i Helsinki-t (1975), Karta e Parisit (1980) e tjerë instrumente, që u përdorën në ndërtimin e botës së mbasluftës. Me shkatërrimin e strukturës shtetërore artificiale të ish-Jugosllavisë, u mundësue përpunimi i dispozitave me frymë ma liberale dhe sidomos ma të drejta. Nga këto zhvillime përfitoi edhe “problemi” i Kosovës dhe avancimi i tij drejt pavarësisë së plotë (17 shkurt 2008) në territoret e njohura ndërkombëtarisht.

Me 25 shtator 1991, “UN Resolution 713, bashkë me thirrjen për armëpushim në Jugosllavi dha mbështetjen e plotë përpjekjeve të Bashkësisë Europiane, tu e përfshi edhe pozitën e saj të marrë mbi mosshkeljen e kufijve republikanë dhe krahinorë”. (Susan Woodward). Me 3 tetor 1991, përfaqësuesi i Bashkësisë Europiane (EC) Van der Broeck dhe Lordi Carrington, pranuen, inprinciple, nji plan paqeje që nisej nga koncepti “konfederacion” dhe parashikonte pavarësinë eventuale për të gjitha republikat që e dëshirojnë. Me 15 tetor 1991, u vunë tri kondita për njohje të pavarësisë:

1)garanci për të drejtat e minoriteteve, përfshi edhe status special për disa regjione. 2)Asnji ndryshim kufitar arbitrarisht. 3)Pjesëmarrje në negociata brenda Konferencës së Paqes mbi krijimin e nji aleance shtetesh të pavarura e sovrane (që nënkuptonte pavarësia e shteteve individuale të njihet vetëm në kuadrin e nji marrëveshjeje të përgjithshme).

Ndërkaq, OKB-ja pranonte gjykimin e Komisionit Badinter të BE (EC) se doktrina legale e utis possidetis (“mbaj atë që zotnon”) zbatohet edhe për kufijtë e brendshëm të Jugosllavisë (Theksi i im SR) –”nji referencë që u për dor për Kosovën për të parën herë jashtë situatave koloniale” (Marc Weller)

Në shtator 1994, kemi nji situatë ma të komplikueme. Mbas kërkesës nga ana e kroatëve të Bosnjës dhe Hercegovinës me u “konfederue” me Kroacinë, ministri i Jashtëm francez, Alain Juppe, deklaroi se nuk shihte nji arsye përse edhe serbët e Bosnjës dhe Krajinas të mos konfederohen me Serbinë. Ky qëndrim rezultoi në reagimin e shpejtë të Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, më 9 shtator, 1994, se shqiptarët gjithashtu kanë të drejtën me u konfederue me Shqipërinë. Ai deklaroi: “Në rast se marrëdhëniet konfederale të serbëve boshjakë legalizohen, atëherë na menjëherë do të kërkojmë marrëdhënie të njëllojta me Shqipërinë” njoftonte Borba, Bilëtin Vesti, 10 shtator 1994 (citue nga Susan Woodward). Nga qeveria shqiptare nuk erdhi inkurajim!

Dy aspektet themelore të problemit të Kosovës -pavarësia dhe integriteti territorial- po merrnin drejtimin e duhur: pozita e Kosovës si njësi politike dhe njësi territoriale në vete, priste momentin për njohjen ndërkombëtare të kësaj situate. Ky moment erdhi në vitin 1999 kur bashkësia ndërkombëtare, nën udhëheqjen e SHBA-ve vendosi t’i japë fund agresionit dhe shtypjes serbe në Kosovë me ndërhyrje ushtarake. Në qershor, me hyrjen e trupave aleate në Kosovë, rruga për konfirmimin legal të gjendjes së krijueme për nji Kosovë të lirë e të pavarur ishte e hapur. Aspektet legale të problemit dhe pozita e Kosovës u konfirmuen me dokumente të njimbasnjishëm dhe përfunduen me Planin Ahtisaari, akti i fundit që solli pavarësinë e Kosovës me 17 shkurt 2008, brenda kufijve te njohur ndërkombëtarisht.

* * *

Ashtë nji situatë inkurajuese kur shohim se që nga dita e parë e deklaratës së Presidentit Thaçi për ndryshim/shkëmbim territorial me Republikën e Serbisë, nji numër i konsiderueshëm studiuesish, nga të gjitha trojet shqiptare, filluen shqyrtimin e kësaj ideje në përgjithësi me dyshim dhe frikë. Arsyeja ashtë e thjeshtë. Kosova sot ma shumë se kurrë ma parë ashtë nji ‘problem “gjithëshqiptar”, i pandashëm dhe shumë sensitiv. I ndërmarrë me iniciativën e Presidentit Thaçi, ndryshimi/korrigjimi i kufijve shtetërorë të dy shteteve europiane ashtë “nji çështje europiane”, aq ma shumë për dy vende që aspirojnë anëtarësimin e tyre në Europë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës: “Neni 1/3- Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti. (Në këtë rast ndaj shtetit fqinj të Serbisë. SR)

Neni 2- Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës ashtë i pacenueshëm, i patjetërsueshëm (me ndryshim/shkëmbim. SR) dhe i pandashëm, dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktueme me këtë Kushtetutë dhe me ligj”.

Çdo republikë parlamentare, ashtu siç ashtë edhe Republika e Kosovës, ka faktorin e vet stabilizues: Parlamentin, i vetmi organ i zgjedhur lirisht nga “sovrani” (populli i Kosovës). Funksionarët e “shtetit” – ose pushteti ekzekutiv- janë parimisht qytetarë të aftë, profesionistë, të besueshëm dhe të ngarkuem me zbatue ligjet e aprovueme nga Parlamenti. “Korrigjimet/ndryshimet e kufijve” nuk janë prerogativë e tyre dhe ata që shkelin ligjin, përgjigjen para Gjykatave të pavarura. Kështu vepron nji shtet demokratik!

Në takimin e fundit të mbajtur në Vjenë nga Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian, 30 gusht 2018, me ata të vendeve kandidate për anëtarësim, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas quajti “të gabuara” idetë e ndryshimeve të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë. “Ne mendojmë se kjo mund të hapë shumë plagë të vjetra dhe se këndejmi jemi shume skeptikë” u tha ai gazetarëve. (Zëri i Amerikës) Kështu deklaruen edhe ministrat e Luksemburgut, Finlandës, Austrisë. Edhe Britania e Madhe e kundërshton nji shkëmbim të këtillë. Ndërsa, shefja e Politikës së Jashtme Europiane, F.Mogherini, tha se do të mbështesë çdo zgjidhje që nuk çon në “krijimin e shteteve etnike”. Nji qëndrim i këtillë ashtë diametralisht i kundërt me atë të Presidentit serb, A. Vuçiç, se “ndarja ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në vija etnike” ashtë pikësynimi i tij.

Përsëri, kundërshtimi i KM Haradinaj erdhi menjëherë dhe i plotë: ai ritheksoi kundërshtimin e tij ndaj ideve për korrigjim kufijsh e shkëmbim territoresh, nji qëndrim që Presidenti i Kosovës, H.Thaçi, e cilësoi si “disa individë të caktuar po tentojnë të krijojnë panik dhe paqartësi…”. Z.Haradinaj shtoi: “Kosova ka paguar nji çmim të shtrenjtë për paqen që kemi sot dhe nuk duam të hyjmë përsëri në skenarë të rrezikshëm… Njohja reciproke dhe paqja e qëndrueshme duhet të jetë rezultati vetëm kredibël nga kjo marrëveshje. Diskutimi për shkëmbimin e territoreve …krijon pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon”. Para nji situate të këtillë, “partitë opozitare synojnë që me 4 shtator të mbajnë nji séancë të jashtëzakonshme të Parlamentit ku do të hidhet për miratim një rezolutë që, si thuhet, ‘i ndalon Presidentit dhe kujtdo tjetër të negociojë për tërësinë territoriale të Kosovës’ . ”(Zëri i Amerikës,31 gusht). Çdo shqiptar duhet të përkrahë këtë qëndrim!