.

A mund ta shmangim plakjen?

 

Nga PROF. ALKETA KOROSHI

 

Plakja është një proces në rrugën e jetës, ku të gjithë do kalojnë në një moshë të caktuar. Përmirësimi i kushteve të jetës bën që të shtohet numri i njerëzve të moshuar. Në gjithë botën, janë 900 milionë njerëz mbi moshën 60 vjeç, që përbën 11 % të popullsisë së botës. Në SHBA, sot ka mbi 35 milionë njerëz mbi moshën 65 vjeç e parashikohet që deri në vitin 2030 ky numër të dyfishohet. Në Shqipëri, sipas statistikave zyrtare, jetëgjatësia mesatare ka arritur 78 vjeç. Mbi moshën 65 vjeç janë afro 320 mijë njerëz. Shpesh dëgjon të thuhet mosha e tretë. Po çfarë ndodh në këtë moshë? Çfarë rrezikon njeriu në atë periudhë? Njeriu i shëndoshë arrin apogjeun e vitalitetit të energjisë dhe të fuqisë së tij deri në 40 vjeç. Mbas kësaj moshe fillon rënia, në fillim shumë graduale, aq ngadalë sa nuk kuptohet, por vjen përherë e më shumë duke u përshpejtuar e sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë rritet rreziku i degradimit dhe i sëmundjeve të ndryshme. Rritet risku i sëmundjeve të zëmrës, të veshkave, i hipertensionit arterial, i demencës, i dhimbjeve reumatizmale dhe pakësohet rezistenca, turbullohet shikimi, bie fuqia dhe aktiviteti fizik. Sa më shumë zgjatet mosha e njeriut, aq më shumë shtohen sëmundjet . Sot p.sh., sëmundjet kardiovaskulare shkaktojnë mbi 30 % te vdekjeve në mbarë botën. Çdo vit vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare mbi 15 milionë njerëz.

Po pse duhet në këtë periudhë të jetës që njeriu të sëmuret e të vuajë? Mos vallë me përmirësimin e kushteve të jetës e me zgjatjen e viteve të jetës, njeriu i ka “vjedhur” natyrës disa vite që ajo pra, “Nëna Natyrë” nuk i kishte të programuara? Ç’është në fakt realiteti i plakjes? Nuk mund të thuhet që ka një përgjigje përfundimtare për këtë. Por për të kuptuar këtë, duhet të shihen shumë aspekte të jetës që ndryshojnë gjatë viteve. Duhet studiuar sesi qelizat, indet dhe organet e trupit të njeriut ndryshojnë me kalimin e kohës. Sigurisht që plakja është një kalim i njeriut në një realitet tjetër.

Cili është ky realitet ? Në çdo qelizë të trupit të njeriut ka një ADN që përbën thelbin specifik, që përcakton veçoritë dhe funksionin e qelizave, të indeve, të organeve dhe të vetë organizmit. Prej saj përcaktohet madje tipi i njeriut, personaliteti i tij, karakteristikat e mënyrat e sjelljes. Çdo njeri, në bazë të këtyre karakteristikave preferon disa ushqime të caktuara, bën lëvizje dhe ushtrime fizike me intensitet të caktuar dhe ka prirje të caktuara në jetë. Sido që të jetë, unë vë buzën në gaz dhe më duket se nuk e ka fort keq dramaturgu i famshëm Bernad Shaw, kur thotë: “Ne nuk ndalojmë lojërat se plakemi, por ne plakemi se pushojmë së luajturi”.

Veç asaj, njeriu në jetën e tij rrethohet nga njerëz te tjerë, ka relata të caktuara, bën një punë të caktuar. Sipas shoqërisë ku jeton u nënshtrohet disa zakoneve dhe traditave të caktuara etj. Njeriu u nënshtrohet ndryshimeve të klimës, të rrezatimit, të ndotjes. Madje, edhe ndryshimet që ndodhin në hapësirën kozmike ndikojnë në jetën e njeriut.

Pra, ndryshimi i faktorëve të mjedisit që na rrethon ndikon në ADN-në tonë dhe të fëmijëve tanë. Kjo pikërisht përbën realitetin që na rrethon. Bashkëekzistenca dhe ndryshimi i organizmit sipas sinjaleve që vinë nga jashtë, kondicionojnë ekzistencën tonë.

Po plakja ç’është? Pikërisht, është prishja e sinjaleve reciproke ndërmjet ADN-së sonë e mjedisit që na rrethon. Ky sistem: “ADN – Mjedis” fillon të mos funksionojë më siç duhet. Kjo bën të ndodhin ndryshime në molekulat e qelizat e të moshuarit dhe ky nuk është më në gjendje t’i adaptohet mjedisit që e rrethon. Çrregullimi i këtij sistemi “ADN – Mjedis” përbën në fakt realitetin e plakjes. Fillon të prishet marrja dhe transmetimi i sinjaleve. Organizmi nuk u përgjigjet dot siç duhet sinjaleve që merr nga jashtë. Me plakjen dëmtohet ripërtëritja e qelizave, ka ndryshime në përbërjen proteinike të tyre, deformohet genoma dhe çrregullohet roli i RNA-ve në qelizë. Qelizat e molekulat reduktojnë densitetin e tyre, çrregullohen proceset e oksidimit, të fosforilimit dhe rriten fenomet inflamatore. Dëmtohen thelbësisht funksionet e qelizave. Qelizat s’kanë më rezervë të reagojnë. Gjithë sistemi humbet fuqinë e fleksibilitetin e tij. Në këtë terren të çrregullimeve molekulare fillojnë të lëkunden fuqitë fizike e psikike.

Të gjitha organet dhe tërë trupi, por edhe mendja, ndryshojnë. Sot ne nuk jemi më siç ishim 10 vite më parë dhe pas 10 vitesh nuk do jemi më siç jemi sot. Si rezultat, edhe më të rinjtë e shohin tashmë ndryshe të moshuarin.

Por kur fillon ky proces i plakjes? Natyrisht, nuk ka një moshë të caktuar, por me kalimin e viteve përshpejtohet ky fenomen. Biologët evolucionistë thonë që arsyeja kryesore e realitetit tonë është sigurimi i ekzistencës së gjeneratave të reja të species sonë. Kështu, shumicën e njerëzve natyra i ka bërë të shëndetshëm në mënyrë që të jenë në gjendje të riprodhohen. Por, pasi ka mbaruar detyra e riprodhimit në jetë, sipas perspektivës së evolucionit, nuk ka më arsye të qëndrojë njeriu i shëndetshëm. Madje, nuk ka arsye dhe të jetojë më. Por e vërteta është që njeriu edhe pas riprodhimit vazhdon të jetojë, sepse mjedisi mbrohet nga një higjienë më e mirë, nga një ushqim më i mirë, nga një shërbim më i mirë shëndetësor. Pra, procesi plakjes s’është veçse një çrregullim i ADN-së, i qelizave dhe molekulave të organizmit, pasi njeriu e ka mbaruar detyrën e tij të riprodhimit. Me kalimin e viteve, organizmi bëhet gjithmonë e më i brishtë dhe më pak i zoti të kryejë aktivitetet e përditshme. Njeriu bëhet më i paaftë dhe vulnerabël ndaj sëmundjeve.

Por le ta shohim nga ana mjekësore problemin: a është plakja e njeriut një sëmundje?

Natyrisht, ka një lidhje midis plakjes e sëmundjeve. Sëmundjet me kalimin e moshës bëhen më të shpeshta. Por kjo lidhje nuk është e paevitueshme. Pavarësisht nga kjo, e vërteta është që është i papërcaktuar mirë ndryshimi ndërmjet plakjes dhe sëmundjeve. Me plakjen humbet vëmendja dhe kujtesa, rritet tensioni arterial, shtohet skleroza e enëve të gjakut, bie filtrimi në veshkat, keqësohet funksioni pompë i zemrës. Të gjitha këto janë shenja që shprehin dhe që çojnë në sëmundje të organizmit. Ahere mund të gjykojmë që plakja është një sëmundje e paevitueshme dhe eventualisht fatale.

Në fakt, duhet parë më me optimizëm ky problem. Rritja e jetëgjatësisë sot kërkon që të kemi një jetë sa më të shëndetshme. Duhet të kuptojmë që mosha, stili i jetës , faktorët gjenetikë e mjedisorë janë të gjitha të ndërthurura midis tyre. Që të kuptojmë pse plakemi, duhet të dimë mirë pse dhe si fillon dhe çrregullohet funksionimi i organeve të trupit tonë. Duke njohur mirë këto procese mund të ndikojmë pozitivisht në zbutjen e fenomenit të plakjes. Studimet dhe eksperienca e jetës tregojnë se duke u marrë me aktivitet fizik dhe duke modifikuar dietën, mund të shtojmë jetëgjatësinë. Kështu p.sh., në disa studime në kafshët eksperimentale është parë se duke pakësuar kalorazhin në ushqim, mund të shtohet jetëgjatësia deri në 50 % . Po ashtu, duke evituar mjediset e ndotura, duke preferuar ajrin e pastër, duke qëndruar më shumë pranë natyrës, duke përdorur barna si antioksidantët, vitaminat ose frenuesit e sistemit reninë- angiotensinë etj., ne mund të parandalojmë dhe të lehtësojmë shumë çrregullimet që lidhen me plakjen e organizmit. Nga ana tjetër, shoqëria duhet të kontribuojë që të edukojë të moshuarit për gjendjen e realitetin e tyre, si dhe t’u krijojë mundësira të bëjnë aktivitete e punë të dobishme, sipas mundësive që kanë. Është detyrë e shtetit dhe e shoqërisë të kujdeset për “azilet e të moshuarve”, ku ata mund të gjejnë një mjedis të përshtatshëm për moshën e tyre. Nuk duhet neglizhuar eksperienca e vendeve të përparuara për krijimin e qendrave të kujdesit në shtëpi të të moshuarve të paaftë fizikisht apo mendërisht, kur janë të vetmuar e pa përkrahje. Kësisoj, plakja, sikurse thotë një aktiviste e shquar si Betty Friedan, nuk është humbje e rinisë, por është një stad i ri oportunitetesh e fuqie.