.

Daut Gumeni: Janë zhdukur dosjet e atyre që janë pjesëmarrës në politikë, kur ata që e kanë pushtetin kanë qenë ata që e kanë shkaktuar dhembjen njerëzore nuk ka zgjidhje.

Kjo intervistë është pjesë e librit “Zëra nga errësira” e gazetares Eni Vasili.

Në këtë intervistë është i ftuar Daut Gumeni, anëtar i Autoritetit për Hapjen e Dosjeve

Kemi vendosur të ndalemi në një temë të veçantë. Do të flasim për komunizmin, krimet e komunizmit, dosjet e diktaturës etj.“Shqipëria duhet të përballet me të kaluarën, vetëm kështu mund të bëjë hapa përpara”, ky ka qenë mesazhi i ambasadorit të parë amerikan në Shqipëri. Kanë kaluar 28 vite dhe përballja ka qenë inekzistente dhe vazhdojmë medoemos të përballemi me të shkuarën.

Rinia nuk ka informacion. Pse mungon historia e regjimit nëpër tekstet shkollore.

Ashtu siç thotë Çërçilli,vendet e Ballkanit prodhojnë më shumë histori sesa mund të konsumojnë. Ne jemi mësuar të konsumojmë histori të deformuara dhe sot ka histori që brezat e rinj duhet t’i dinë. Jemi në demokraci dhe të gjithë kanë lirinë të shohin çfarë të duan. Nuk mbyllet e keqja me ndalim, por me shembullin e së mirës. Të gjithë të rinjtë që nuk e dinë se çfarë ka ndodhur më parë e kanë prej personave që kanë në dorë shkrimin e teksteve, të cilëve nuk u bëhet vonë për historinë, por për shtrembërimin dhe një herë të saj.

Pyes, sepse ka vetëm një kapitull të vogël për regjimin komunist, por nuk ka asnjë emër, asnjë ngjarje reale dhe cila është arsyeja, sipas jush,pse kjo anë mbahet e errët?

E thashë dhe po e përsëris: është një ndër mënyrat për të mbajtur pushtetin, për të mos treguar se çfarë është bërë. Duhen botuar të gjitha që të merren vesh, sepse nuk është normale që të dhunohet fizikisht dikush që është i lidhur. Asnjë rregullore nuk e lejon këtë. Nëse vazhdojnë sikur s’kanë bërë gjë dhe nuk dinë gjë, brezi i ri i merr të tëra si për gënjeshtra.

Ju vetë keni marrë ndonjëherë falje nga xhelatët që ju burgosën …

Nuk dua ndjesë dhe e shoh që nuk kanë ndërmend për ndjesë. Ne nuk kemi nevojë për pushtet, por për shtet dhe kemi 30 vjet që flasim dhe akoma nuk kemi një shtet.

Ju thatë që të rinjtë i dinë përralla ato që kanë ndodhur më parë, mendoni se është e qëllimshme?

Unë nuk besoj në rastësira. Kjo është mënyra për të mbajtur pushtetin dhe nuk janë në merak për shtetin. Këto mënyra janë të pahijshme dhe kriminale. Unë jam një autoritet pa autoritet që e kam thënë edhe më parë se për t’u bërë ajo që duhet bërë, shmanget dhe ligji dhe kur iu thua si duhet vepruar në të vërtetë dhe ligji thotë ndryshe të shpallin prapë armik. Vendimet që duhet të votohen janë kthyer në vendime personale.

Në mandatin e parë të qeverisë “Rama” u dekoruan me medalje funksionarë të lartë, oficerë, prokurorë që kanë marrë pjesë në gjyqet e diktaturës. Ndonjë nga xhelatët tuaj u dekorua?

S’më intereson dhe janë të pavlera, sepse jemi në një kohë të re. Këto dekorime tregojnë se pushteti ka lëvizur pak dhe nuk ka bërë përparime …

Ditë më parë në Çeki për një ngjarje të tillë u mbushën rrugët me protestues se pse ishte dekoruar një oficer i komunizmit. Pse në Shqipëri ka kaq pak reagim …

Sepse te ne është gjysma e përfshirë në histori. Kur ata që e kanë pushtetin kanë qenë ata që e kanë shkaktuar dhembjen njerëzore, nuk ka zgjidhje.

Sot ka mjaft fëmijë të zyrtarëve të lartë të asaj kohe që janë në poste të rëndësishme.

Nëse unë filloj dhe gjykoj të gjithë ata që janë bijtë e zyrtarëve të komunizmit, do të thotë se jemi në po atë periudhë. Nuk kam asgjë kundër nëse ata bëjnë për vendin dhe e duan atë. Më ka ndodhur në telefon me një punonjëse femër të Ministrisë së Drejtësisë. E pyeta nëse do të kryheshin dëmshpërblimet, ajo ma ktheu: “Ende nuk keni ngordhur ju!”. Është një gënjeshtër e madhe ajo që thonë se na çliruan studentët. Pa e thënë të vërtetën haptazi nuk kemi për të ecur. 4000 mijë studentë çliruan vendin nga diktatura, ndërsa sot 100 mijë studentë nuk po zgjidhin asgjë. Ne akoma jemi në teatrin e Ramiz Alisë. Ai e thotë vetë se partitë në opozitë do të na shajnë, por do të kontrollohen nga ne. Tërë jetën në tranzicion do të rrimë ne!

Mendoni se akoma partitë politike kontrollojnë çdo gjë në jetën ekonomike dhe fushat e tjera?

Kam një bindje që në politikën tonë ka pasur pak europianë. Mbi 80% kanë qenë bizantinë. Ne sot kemi dy të majta, sepse kështu sillen. Mërinë që e tregojnë në parlament e kanë sepse i janë futur në pjesë njëri-tjetrit nga përfitimet. Te ne të djathtët flasin si stalinistë dhe kur vijnë në pushtet si krushovianë. Fryma është ajo që ishte në komunizëm.

E shkuara komuniste për shqiptarët është banalizuar dhe nëpërkëmbur. A ka lidhje me gjendjen që gjenden sot institucionet gjykatat, prokuroria?

Këto janë institucione që ngrihen për të kundërtën e asaj që njoftohen. Pse e them ketë? Sepse ka dalë njoftimi që do subvencionohen të përndjekurit me ndihmën e qeverive së tranzicionit. Integrimi i mirëfilltë fillon nga trajtimi njerëzor. A e morën vetë parlamentarët vendimin që do të na ndihmonin për t’u ringjallur ekonomikisht? Pse duhet të vazhdojë akoma ajo punë. Nuk ke pse kërkon shumë dokumente kur i ke të gjitha në dosje, madje dhe gjykatësit që i kanë dënuar janë po aty…kjo është e qëllimshme. Ata nuk duan jo se nuk dinë ta bëjnë, sepse po i ringjall ekonomikisht ata nuk i keqpërdorin dot më. Atyre iu duhet një armik i brendshëm dhe na thonë neve komunist. Në këtë “çurykllëkun” tonë marrin pjesë edhe të huajt se na shohin si në Afrikën Qendrore. Vijnë më të paaftët e institucioneve ndërkombëtare.

Ju keni thënë që na kanë vënë në këtë institucion për të mos zbuluar asgjë. Vazhdoni t’i qëndroni këtij mendimi

I qëndroj atij mendimi dhe jam gati të mos marr farë pjesë në këto mbledhjet e autoritetit, sepse është kthyer pa autoritet dhe ajo që e drejton është për fat të keq grua dhe mund t’i thuash çfarë të duash, por po dole me mendim të kundërt, del që s’je për atë punë. Atje ku vete dhe s’të dëgjojnë s’ke pse vete. Kur bëhen rekrutime atje nuk pyeten fare anëtarët e tjerë të autoritetit.

Sa nga kandidatët e 25 qershorit u verifikuan nga ky institucion …

Asnjë. Tani kanë filluar të lahen me gëlqere politike ata që pseudonimin ua kanë mësuar edhe dhitë e malit. Vijnë atje dhe u jep shkresa kryetarja që janë të pastër.

Ligji e ka lënë në dorë të krerëve të institucioneve hapjen e dosjeve, është kjo një pengesë për hapjen e tyre.

Pengesa e parë është mënyra e ndërtimit të institucionit, pra ligji dhe ti nuk e zbaton atë ligj.

Mediat kanë publikuar një dokument të vitit 1990, ku ministri i Brendshëm i asaj kohe urdhëronte vrasjen e një numri të madh njerëzish të Sigurimit të Shtetit. Çfarë domethënie ka kjo për ju. Ka dosje për t’u hapur apo jo.

Unë kam besuar në fillim që pranova të shkoj dhe për ata deputetë që më zgjodhën u them të mos mërziten kur të largohem. Regjistrat nuk janë plotësuar mirë. Këta regjistra janë me një numër të caktuar fletësh, dhe për arsye se gjysma është e plotësuar kuptohet që është dashur të bëhet pastrim. E keqja është se janë pastruar dhe nuk merret vesh ku janë ata që janë në menaxhim të punës publike.

Ju besoni se në ato dosje ka pasur informacione për elitën e re politike që do të vinte?

Janë zhdukur dosjet e atyre që janë pjesëmarrës në politikë dhe kanë lënë ato të tjerat, të fshatarëve.

Keni ndeshur ju në dosjet ekzistuese manipulim të të dhënave?

Unë besova te regjistrat themeltarë dhe kur pashë edhe atje s’mund ta besoj,ata që i bëjnë dëm vendit nuk i gjen dot.

A e keni hapur dosjen tuaj?

Po, dhe gjeta budallallëqe sa të duash, por dhe gjëra të sakta. Mua më vjen mirë që nuk kam gjetur shumë njerëz të afërt që më kanë spiunuar. Kam pasur zhgënjim nga disa që i dija burra të mirë dhe paskam qenë budalla.

Kur keni dëgjuar për përjetimet e Maks Velos, a ke pasur pritshmëri të njëjta?

Ai nuk ka qenë atje ku kam qenë unë dhe nuk u futem këtyre diskutimeve. Sot arrijnë deri në falsifikim të vendimeve njerëzore.

Pak kohë më parë një grup ekspertësh të OKB-së përgatitën një raport në Shqipëri për krimet e komunizmit dhe konstatuan se ka mungesë të vullnetit politik për dënimet e vendimeve komuniste, pasi ende shumë njerëz e konsiderojnë si një periudhë pozitive, si e mendoni që një numër i konsiderueshëm e mendojnë pozitive?

Nuk i marr seriozisht, sepse ata e dinë kë kanë përkrahur tërë këto vite tranzicioni.Po të kenë aq vullnet të mirë ata nuk përkrahin komunistët. Ata kanë dështuar duke filluar nga SHBA-ja, sepse kanë besuar njerëzit që nuk i besojnë as njerëzit e tyre e kjo duhet thënë haptazi. Ata kanë besuar më shumë komunistët sesa njerëzit e thjeshtë.

Çfarë e kanë ndalur Partinë Demokratike që nuk ia doli të rehabilitojë shtresën e të përndjekurve politikë.

Nuk i fajësoj dot ata.

Rama premtoi se do i dëmshpërblejë që në mandatin e parë, mendoni se po bën propagandë?

Edhe do të bëjë sepse pushtetar është, por ka bërë më shumë se të gjithë ata të parët. Unë vetëm këstin e parë kam marrë dhe për të marrë të gjitha këstet e tjera duhen pesë apo gjashtë vjet dhe duhet të jetoj shumë gjatë. Nuk kanë bërë aq sa duhet.

Disa të përndjekur bëjnë grevë. Cila është zgjidhja?

Kjo nuk është zgjidhje, s’ka pse rrezikojnë veten kur në rrezik kanë jetuar tërë jetën.