.

Deputeti i PD denoncon: Rama e Nikolla kanë rritur çmimet e teksteve shkollore të sistemit parauniversitar

Deputeti demokrat Luçiano Boçi ka denoncuar rritjen e çmimit të librave për vitin 2018-2019. Në një status në Facebook ai shkruans e kërkesës së vazhdueshme të PD, të paraqitur dhe si nismë ligjore për libra falas për të gjithë nxënësit e arsimit parauniveristar, por që u rrëzua me votat e mazhorancës, qeveria i është kundërpërgjigjur, siç di ajo gjithmonë, me harbutëri, paaftësi e papërgjegjshmëri.

Postimi i Luçiano Boçit në “Facebook”:
SHTETI I SHTRENJTIMIT TË ARSIMIT

Kërkesës së vazhdueshme të PD, të paraqitur dhe si nismë ligjore për libra falas për të gjithë nxënësit e arsimit parauniveristar, por që u rrëzua me votat e mazhorancës, qeveria i është kundërpërgjigjur, siç di ajo gjithmonë.
Me harbutëri, paaftësi e papërgjegjshmëri.
Përkundër domosdoshmërisë e dëshirës së nxënësve e familjeve të tyre, Rama e Nikolla kanë rritur çmimet për paketat e teksteve, në të gjithë sistemin që nga klasa e pestë e deri në klasat e mesme.
E kjo ndodh në një kohë,
kur shpenzimet për arsimim, për çdo familje shqiptare, janë rritur në tërësi,
kur varfëria është shtruar këmbëkryq,
kur besimi tek sistemi arsimor është në pikën e tij më të ulët.
Ndërsa për klasat e para deri tek të katërtat, ai “falasi” i teksteve, është tamam-tamam i dhënë si cingunët, “me shpinën e dorës”.
Nxënësit e vegjël penalizohen nëse i zhgarravisin, nëse i shënojnë, nëse i grisin, sepse ata duhet t’i dorëzojnë.
Për fëmijët sipas qeverisë, kujtimet e fëmijërisë të lidhura me abetaren, me shkrimin e parë, me vizatimet e para, me gjithçka që formëson botën e fëmijës, duhet të zhduken.
Shtatori me sa duket nis me halle të shtuara për çdo familje shqiptare, por dhe me shpresën se fundi i paturpësisë së kësaj qeverisje nis po në shtator.