.

Shkëmbimi i territorit dhe debati Thaçi-Berisha

TOMORR ALIZOTI

Një nga mënyrat më të suksesshme për ta degraduar një çështje dhe debatin mbi të është dominimi i padijes, i interesit të ngushtë personal ose përzierja e të dyjave. Në politikë janë të pashmangshme çështjet në të cilat shfaqet kjo pamje, por ka disa çështje për të cilat është e ndalur të diskutohet mbi padije ose mbi interesa të ngushta. Këto çështje në radhë të parë kanë të bëjnë me sovranitetin kombëtar, sigurinë kombëtare, çështjet e kufijve etj., për të cilat prevalon mendimi i ekspertëve, gjuha e kujdesshme, qëndrimi i përbashkët, mospolitizimi etj..
* * *

Këto ditë në Shqipëri dhe në Kosovë është hapur një debat i gjerë mbi të ardhmen e Luginës së Preshevës të banuar nga shqiptarë, e cila ndodhet nën Serbi dhe të veriut të Kosovës të banuar në shumicë nga serbë që është pjesë e Kosovës. Debatet janë bërë të ashpra. Presidenti i Kosovës ka mbrojtur idenë se një shkëmbim i tillë, pra, ai mes Luginës së Preshevës dhe Veriut të Kosovës është mirë të ndodhë, nga kjo, sipas tij, do të fitonin shqiptarët etj.. Mënyra se si Presidenti Hashim Thaçi po e trajton çështjen është krejtësisht joparimore dhe joprofesionale. Ai nuk duket, të paktën nuk ka thënë gjë, se është konsultuar për këtë ide me politikanët e rëndësishëm të Kosovës dhe Shqipërisë, me ekspertët dhe intelektualët e rëndësishëm të Kosovës dhe Shqipërisë. Është e papranueshme që një ide e tillë me pasoja të mëdha të propozohet në këtë mënyrë. Nuk ka ndonjë vend në botë ku Presidenti del me një propozim të tillë pa një konsultim.

* * *

Nga ana tjetër, çështja e shkëmbimit të Luginës së Preshevës me Veriun e Kosovës është një çështje me interes të qartë serb. Sot, Serbia është në një fazë relativisht të avancuar të procesit të integrimit në BE dhe ajo ka interes t’i mbyllë shpejt të gjitha çështjet e saj të rëndësishme. Është e qartë se kemi të bëjmë me një interes të pastër serb. Është Serbia burimi i kësaj ideje. Nga ai shtrat ka lindur kjo ide. Serbisë i intereson veriu i Kosovës për shkak të Trepçës dhe burimeve të tjera. Veriu i Kosovës ndonëse banohet në shumicë nga serbët është një tokë e Kosovës, në të cilën banojnë mjaft shqiptarë. Serbia druhet se me kalimin e viteve shqiptarët do të bëhen shumicë në atë rajon dhe ai rajon do ta humbë rolin e tij si një mjet politik i Serbisë në Kosovë. Për shkak të rëndësisë që ka për Serbinë Veriu i Kosovës, ajo po ngulmon me forcë që komunat serbe të atij rajoni të ndërtojnë një asosacion, që i jep një lloj autonomie nga Prishtina. Në lidhje me Luginën e Preshevës, duhet thënë se ajo ka shumë herë më pak rëndësi për Serbinë se sa Veriu i Kosovës. Duke këmbyer Veriun me Preshevën, Kosova dhe shqiptarët vetëm humbin dhe e bëjnë Serbinë shumë më të fortë dhe shumë më të rrezikshme në raport me veten. Pasojat e këtij shkëmbimi mund të shkallëzohen siç kanë bërë të qartë Albert Rohan ishnegociator i lartë për Kosovën apo analisti i mirënjohur Daniel Server. Shkurt, kjo ide duhet të vdesë aty ku lindi: në shtratin serb.

* * *

Një çështje e panjohur në këtë propozim që bën Presidenti i Kosovës ka të bëjë me negociata të mundshme të bëra mes tij dhe drejtuesve të Serbisë. Në qoftë se Thaçi ka folur me Vuçiç, pse është Thaçi që shprehet për këtë gjë dhe jo Vuçiç? Në qoftë se aktorë të tjerë kanë kërkuar bisedime ku të përfshihet edhe shkëmbimi i territoreve, pse Thaçi nuk tregon për to dhe ku e ka gjetur të drejtën të bisedojë, në qoftë se e ka bërë? Cilët janë faktorët apo arsyet që e kanë shtyrë Thaçin të bëjë një propozim të tillë? Ç’ka ndodhur, çfarë gjëje e re është shfaqur në Ballkan, në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe në ato ndërkombëtare? Nga çdo pikëpamje duket se kemi të bëjmë të paktën me diletantizëm.

* * *

Diskutimet apo debatet e çelura mbi shkëmbimin e territoreve degjeneruan edhe me sulmet që Presidenti i Kosovës i bëri ish-Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Presidenti Thaçi u shfaq jo thjesht joetik dhe jo thjesht jopresidencial, por edhe primitiv. Sigurisht që statura e Presidentit kërkon etikë dhe elegancë, të cilat Thaçi nuk i shfaqi, por ai shkoi më tej duke rënë në sulme primitive. Këto sulme, për më tepër, u bënë ndaj një njeriu që ka pasur një angazhim të vazhdueshëm dhe të pandalshëm për Kosovën. Që në ditët e para të pluralizmit, Berisha ka folur dhe ka qenë nga të parët, për Kosovën, për vuajtjet e saj nën Serbi dhe për impulsin që mund t’i jepej përpjekjes për liri nga Shqipëria. Më vonë, përgjatë gjithë viteve deri më sot, Berisha ka qenë gjithnjë në vijën e parë të përpjekjeve për të ndihmuar lirinë e Kosovës dhe konsolidimin e institucioneve. Ai është kryeministri që shpenzoi gati të gjithë buxhetin e investimeve për të ndërtuar Rrugën e Kombit në mënyrë që Shqipëria të lidhej me Kosovën. Kështu që është jo thjesht e palejueshme gjuha e Presidentit Thaçi, por edhe e papranueshme dhe fyese. Çështje të tilla kërkojnë të dalësh mbi veten, mbi dobësitë dhe mbi emocionet. Në fund të fundit, kjo gjë pritet nga Presidenti.