.

O sa keq me qenë (turist) shqiptar !

Nga: Andi Bushati

Tashmë janë shndërruar në kronika rutinë lajmet se një mur i ri Berlini po ngrihet në kufijtë e Shqipërisë, si pasojë e çmimeve stratosferike të biletave të avionëve. Eshtë e kotë të kujtosh se nga Shkupi apo Podgorica, vendet fqinjë me ne, mund të udhëtosh drejt Barcelonës apo Kopenhagenit edhe me 35 euro, ndërkohë që tani, në gusht, është pothuajse e pamundur të zbarkosh në bregun tjetër të Adriatikut.

Për këtë janë dhënë shumë shpjegime, që nga taksat e larta që aplikon koncesionari i aeroportit të Rinasit e deri tek situata monopol që kanë krijuar kompanitë ajrore që lidhin Tiranën me pjesën tjetër të kontinentit.

Të gjitha këto mund të jenë të jenë reale, por ato nuk i afrohen kërkund të vërtetës së plotë që ndodh me udhëtarët shqiptarë.

Po të ndjekësh me vëmendje ngjarjet e këtyre ditëve të fundit e kupton pa vështirësi se në këtë vend, nuk është e lehtë të jesh turist.

Këtë të hënë, një grup pasagjerësh i telefonoi një mediaje vendase për t’i bërë të ditur lajmin se kompania ajrore që u kishte shitur biletën i kishte “harruar” në terminal, për më shumë se 10 orë.

Pak ditë më parë, denoncimi i një pushuesi që kishte paguar sa frëngu pulën një hotel jashtë standarteve në Antalia, u kthye në lajm kombëtar.

Abuzimet me atë që agjencitë ofrojnë për bregdetin turk, si dhe vonesat apo pasiguria e çarterave të prenotuar prej tyre, e kanë shndërruar shpesh këtë destinacion në një udhëtim me risk.

Dhe qershia mbi tortë, është një njoftim i botuar sot nga Autoriteti i Aviacioniit Civil, i cili bën me dije se vonesat e avionëve këtë vit janë ngritur me 133% në krahasim me 2017 dhe se vetëm në një ditë, shifra shkon në 47 mijë minuta vonesë

Pra sikurse vërehet, problemi nuk mund të reduktohet vetëm tek çmimet e biletave nga politikat e koncesionarit të Rinasit, as nga parregullsia e Blu Panorama apo Fly Ernest dhe as nga fotot mashtruese me të cilat agjensitë tursitike joshin pushuesit që më pas zhgënjehen kur zbarkojnë në Antalia.
Të gjitha këto raste bashkë përbëjnë një kazus të vetëm.

Sheti shqiptar nuk i përgjigjet dot dëshirës dhe ambicies gjithnjë e në rritje të qytetarëve të tij për të parë botën. Ai ecën me shpejtësinë e breshkës, në krahasim me ekzigjencat gjithnjë e në rritje të shtetasve të vet.

Ai më shumë kujdeset që të ruajë kufijtë e BE-së nga azilantët e mundshëm, sesa të mbrojë qytetarin e vet konsumator.

Sot udhëtarët e mashtruar vendas e kanë pothuajse të pamundur, të ankohen, të ngrejnë padi, apo të dëmshpërblehen pasi janë trajtuar keq. Rastet kur dinjiteti i tyre i nëpërkëmbur, apo financat e tyre të dëmtuara janë dëmshpërblyer, janë pothuajse të papërfillshme. Sanksionet ndaj atyre që kanë abuzuar nuk numërohen dot as me gishtat e njërës dorë.

Prandaj, në këtë drejtim kërkohen masa urgjente, rregulla preçize, hartim politikash konkrete. Sepse udhëtari i sotëm nuk mund të trajtohet më me mendësinë e refugjatit që rrëmben një anije duke vënë ne rrezik edhe jetën vetëm për të dalë jashtë shtetit. Sot një pjesë e madhe e tyre janë njësoj si turistët e zakonshëm europianë që për atë që paguajnë duan në këmbim dinjitet dhe respekt. Por ata do t’a kenë të pamundur të jenë udhëtarë krenarë për sa kohë mbajnë në xhep pasaportën e një shteti të telendisur, që nuk arrin dot shpejtësinë e nevojave të tyre.