.

Dervishi: Tre faktorët që kushtëzojnë marrëdhëniet me Greqinë

DASHNOR DERVISHI

Shqipëria ka vlerësuar pjesëmarrjen aktive të Greqisë në organizmat rajonale të SEECP, BSEC, nismat e fundit të qeverisë greke, për të qenë aktive në Rajon dhe BE, qëndrimin ndaj refugjatëve, etj.; po ashtu, bashkëpunimin në fushën energjetike, veçanërisht në gazsjellësin TAP, si një korridor jo vetëm energjetik, por shumëdimensional, të sigurisë, komunikimit njerëzor, kulturor, etj.. Mbas marrjes së qeverisë nga SYRIZA, përpjekjet e Greqisë për të hedhur ide edhe në kërkim të projekteve alternative të burimeve energjetike (Mesdheu Lindor dhe Deti Jon) për korridoret e gazit dhe naftës me bosht Rusinë dhe aleancat e vjetra sllave u lexuan si përpjekje për faktorizim dhe presion ndaj BE. Në këtë kuadër, ishin edhe disa lëvizje ndaj Grexit, si përpjekje të reminishencave të vjetra të maxhorancës aktuale në Greqi, nën ndikimin e ideologjisë së majtë ekstreme. Mbas daljes së Anglisë nga BE, tendenca për një Grexit ka rënë, ndërkohë që për Greqinë, dalja e Britanisë së Madhe nga forumet e BE-së, ka dobësuar deri diku pozitat e saj, për sa kohë që Britania e Madhe ka qenë dhe mbetet kumbari i Greqisë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Aktivizimi i politikës së jashtme greke drejt disa vendeve si Kina, Irani, Palestina, Kuba, etj., duhen shpjeguar më shumë si lëvizje formale ndaj bindjeve të tyre të hershme dhe grupimeve ekstreme në gjirin e maxhorancës, sesa një kërcënim për ndryshim kursi në raport me aleancën euroatlantike.

Ambasadori Dervishi me Presidentin grek, Papulias

Janë tre faktorë që qëndrojnë në bazë të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, që krijojnë edhe perceptimin publik, kur themi se marrëdhëniet tona kalojnë caqet klasike të marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve fqinje: emigrantët, minoriteti dhe çështja çame.

 

 

 

1. Gjendja e emigrantëve shqiptarë në Greqi:

– 400 mijë me leje qëndrimi;

– 80 mijë me kërkesë për leje qëndrimi të jashtëzakonshme;

– 95 mijë me pasaportë greke si vorioepirotë (shtetësi dhe kombësi);

– 18 mijë me pasaportë greke (vetëm me shtetësi);

– 90 mijë kërkesa nga fëmijët për nënshtetësi greke; e kanë marrë deri tani 12 mijë.

– 40 mijë kërkesa për azil në 20 vitet e fundit (700 deri në muajin korrik 2016)

Në dy vitet e ardhshme pritet që numri i tyre të arrijë në 120 mijë. Vlerësohet vendosmëria e qeverisë aktuale greke për të bërë realitet programin e saj elektoral në qëndrimin ndaj emigrantëve të huaj në Greqi. Ndryshe nga qeveritë e mëparshme, që reflektonin hapur çdo pakënaqësi ndaj Tiranës zyrtare me masa shtrënguese dhe represive ndaj emigrantëve shqiptarë, maxhoranca aktuale nuk ka dhënë shenja të tilla deri tani; përkundrazi, po tregon një vëmendje të veçantë në trajtimin e tyre, duke krijuar lehtësira në procedurat e pajisjes me dokumentacionet përkatëse. Në këtë kuadër, do vlerësohej edhe mundësia e marrjes në konsideratë të kërkesave të herepashershme të palës shqiptare për lehtësimet ndaj emigrantëve me njohjen e pullës apostile, të certifikatave të lëshuara nga zyrat tona konsullore, të patentave dhe pensioneve.

Nga ana tjetër, numri i madh i emigrantëve shqiptarë në Greqi si dhe ai i azil kërkuesve, është një imazh i keq për vendin tonë, përsa kohë që përdoret nga politika greke si një shenjë e superioritetit të saj ndaj vendit tonë, por edhe në sytë e opinionit europian. Prania e emigrantëve shqiptarë në Greqi, praktikisht kushtëzon axhendën e marrëdhënieve tona bilaterale.

2.

Qëndrimi grek ndaj minoritetit grek në Shqipëri mbetet unik dhe i pandryshuar, në mbështetje të tij, sipas normave dhe parimeve themelore të së drejtës për minoritetet. Karta e minoriteteve është një nga çështjet kryesore që ngrihen në institucionet ndërkombëtare nga ana e përfaqësuesve grekë të të gjitha ngjyrave, pavarësisht nga nuancat e njërit apo tjetrit grupim, si rrjedhojë e dasive dhe interesave partiake. Qëndrimi ynë ndaj minoritetit grek ka qenë dhe mbetet i qartë: ata janë qytetarë shqiptarë me të drejtat që ka çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga origjina, ngjyra, besimi fetar apo bindjet politike. Këto të drejta janë të sanksionuara në Kushtetutën e Shqipërisë dhe gjithë legjislacionin përkatës për pakicat, në përputhje të plotë me konventat ndërkombëtare dhe të vlerësuara nga institucionet ndërkombëtare. Minoriteti grek në Shqipëri është pjesa më e integruar në shoqërinë shqiptare, si nga pikëpamja ekonomike, ashtu edhe sociale dhe politike. Përfaqësues të saj janë sot biznesmenë të fuqishëm, anëtarë të Parlamentit dhe strukturave të shtetit dhe qeverisë shqiptare, si dhe personalitete të shquara në fushën e shkencës, të kulturës, sportit, etj.. Ata kanë qenë dhe mbeten një urë miqësie midis dy vendeve dhe popujve tanë.

AMBASADORI DERVSIHI ME FEMIJET E EMIGRANTEVE SHQIPTARE NE FESTEN E ABETARES

Çdo problem apo shqetësim që ngrihet nga qarqe të caktuara, por edhe pretendime apo kërkesa të natyrshme që lidhen me të drejtat e këtij minoriteti duhen konsideruar si pjesë e problemeve që i takojnë të gjithë popullit shqiptar, i cili po kalon një proces të zgjatur demokratizimi në jetën politike për sanksionimin e së drejtës ndaj pronës, të reformës në drejtësi, etj..

3.

Çështja çame, tashmë nuk është më një tabu, ajo është bërë pjesë e debatit zyrtar dhe publik në të dy vendet tona. Pavarësisht nga këndvështrimet dhe interpretimet e ndryshme historike që lidhen me këtë çështje, apo qëndrimet e ndryshme të politikës, ajo është një çështje që nuk mund ta mbulojmë apo ta lemë në heshtje; ajo tashmë është një problem që duhet marrë në konsideratë. Abrogimi i ligjit të luftës do të ishte hapi i parë, që do të shkulte rrënjët që mbajnë gjallë këtë kauzë me përmasa politike të pa shmangshme në sistemet tona demokratike, e cila mund të shoqërohet me një sërë klauzolash të tjera juridike dhe administrative si pjesë e paketës për zgjidhje.

IV

Kosova, faktori shqiptar në rajon dhe Greqia

Faktori shqiptar në rajon, kryesisht në Kosovë e Maqedoni, ka krijuar balanca të reja dhe stabilitet në rajonin tonë, falë edhe politikës konstruktive të shtetit shqiptar. Ai ndihet dhe vlerësohet edhe nga politika greke në zgjidhjen e disa çështjeve, që ajo ka me partneret e saj historike në Rajon (Maqedoni, Serbi).

Greqia është një ndër 5 shtetet e Bashkimit Europian, që nuk e njeh zyrtarisht shtetin e Kosovës.

Ky qëndrim ka disa arsye historike dhe tradicionale dhe këtu rendisim aleancat e vjetra me Serbinë dhe Rusinë, të mbështetura në filozofinë sllave dhe fetare të ortodoksisë; rendisim edhe arsyet e brendshme që lidhen kryesisht me Qipron dhe ndikimin e raporteve të Greqisë me Turqinë në përgjithësi; një faktor tjetër që ka dalë në dinamikën e këtij procesi është edhe krijimi i të ashtuquajturit “solidaritet” i pashkruar midis grupimit prej 5 vendesh, që bashkohen me këtë qëndrim.

Për të justifikuar këtë qëndrim, përmenden një sërë argumentesh që lidhen me rrezikun e stabilitetit në rajon, krijimin e precedencave në botë, rreziku islamist dhe terrorist, rreziku etnik etj; por, mbi të gjitha, është rreziku i Shqipërisë së Madhe, që është tema më e pëlqyer e të gjithë atyre që janë kundër shtetit të Kosovës, si një gjetje që e ka burimin jashtë politikës zyrtare të Shqipërisë.

Pozicioni i Greqisë, si një vend që reflekton pozitat e saj gjeostrategjike midis Lindjes dhe Perëndimit, i pasqyron më së miri këto qëndrime. Nga njëra anë, ajo nuk e njeh zyrtarisht shtetin e Kosovës, por nga ana tjetër ka ndërmarrë të gjitha hapat dhe veprimet e saj, që në fakt e bëjnë atë shumë më aktive në marrëdhëniet me Kosovën se shumë shtete të tjera europiane.

Jo vetëm në marrëdhëniet direkte me Kosovën, por Greqia, duke vlerësuar faktorin shqiptar në rajon, komunikon me të nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe politike informale, duke i përdorur si një faktor në shërbim të vendosjes së ekuilibrave të vetë Greqisë në raport me disa nga vendet fqinje, siç është Maqedonia dhe vetë Serbia.

Qeveria shqiptare është e ndjeshme në marrëdhëniet e saj me çdo vend në botë me qëndrimin që mban ndaj njohjes ose jo të shtetit të Kosovës. Në këtë qëndrim, ne shohim jo vetëm dhe thjesht qëndrimin ndaj Kosovës, por, ashtu si edhe aleatët tanë të mëdhenj të Bashkimit Europian dhe SHBA, ne vlerësojmë edhe qëndrimin e çdo vendi ndaj realitetit të ri të gjeopolitikës botërore dhe veçanërisht asaj europiane, që lidhet direkt me stabilitetin dhe sigurinë në Rajoni tonë.

Shqipëria ka vlerësuar mbështetjen greke për praninë e Kosovës në disa nga institucionet ndërkombëtare dhe në nismat rajonale, njohjen e pasaportave, hapat dhe veprimet e Greqisë në marrëdhëniet me Kosovën dhe faktorin shqiptar në tërësi, por nuk mund të fshihet se pritshëmria ka qenë dhe mbetet më e madhe, sepse Greqia konsiderohet si një vend fqinj mik, një aleat strategjik dhe vital për vendin tonë.

Duke vlerësuar qëndrimet de fakto të Greqisë ndaj Kosovës, Shqipëria nuk i kushtëzon marrëdhëniet me njohjen e shtetit të Kosovës, pavarësisht pritshmërisë, por e sheh këtë qëndrim si një proces që lidhet me politikën e brendshme të vetë Greqisë dhe të raporteve të saj me Bashkimin Europian dhe Aleancën Euroatlantike, ku Greqia është një nga anëtaret më të vjetra.

Shtator 2016