.

Diplomaci aktive, jo e tkurrur

LEONIDHA MËRTIRI

Vitalizimi i marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore etj., me vende të ndryshme kërkon medoemos një diplomaci dinamike. Si instrument tepër i rëndësishëm i politikës së jashtme, roli i saj është i jashtëzakonshëm. Mbi gjithçka, ajo i shërben interesave të shtetit të vet, duke fuqizuar e çuar më tej marrëdhëniet me shtetet ku përfaqësitë diplomatike janë akredituar. Në këtë vështrim, vihen re disa dukuri, të cilat nuk mund të mos i shohësh: mosshkëputja nga tentakulat e praktikave rutinë e të ngurta të menaxhimit siç duhet në hapësirë më të gjerë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo lidhet drejtpërsëdrejti me faktin, sa dhe si mbulohen këto marrëdhënie me vendet ku përfaqësitë tona diplomatike nuk janë rezidente. Sepse ç’ndodh?
Vende të ndryshme si India, Australia, Indonezia, Malajzia, Tailanda, Singapori e të tjera, aktualisht janë të zbuluara: Ende nuk janë përcaktuar se cilat ambasada do t’i mbulojnë ato. Për rrjedhojë, nuk ka si të ketë dekret të Presidentit të Republikës për akreditimin e ambasadorëve përkatës në këto vende.

Një platformë konkrete, me ekuilibrat e duhur, partneritetet e nevojshme etj., do ta bënte diplomacinë më dinamike, pa e ndarë sigurisht këtë nga kujdesi për përzgjedhjen, profesionalizmin e trupit diplomatik. Mbyllja e disa ambasadave për shkak të problemeve financiare dhe shkurtimet e këtij stafi, të mbushur me miq e partiakë, që, për fat të keq, ndodh edhe sot, nuk mund të sfumojë detyrimin për t’i mbajtur të gjalla kontaktet, marrëdhëniet mbi bazën e interesave të tua si shtet dhe në përgjithësi të interesave të ndërsjella. Në këto kushte, a mund të lihet India pa përfaqësuesin tonë të lartë diplomatik?

Nuk është vështirësia për pamundësinë e gjetjes nga do të mbulohet ajo apo vendet e tjera, disa prej të cilëve i përmendëm më lart. Mendoj se kemi të bëjmë me neglizhencë të patolerueshme, duke i lënë pas dore këto marrëdhënie. Si mund t’i kërkosh, për shembull, një ambasadori të paraqesë letrat kredenciale në Mongoli, Maldive apo gjetkë si këto dhe të lësh jashtë vëmendjes të parat? Çfarë çështje dhe interesa të mëdha kemi ne me Mongolinë për t’i bërë përparësore këto hapa? Nuk themi t’i lëmë ato, por mbi bazën e efektivitetit të tyre.

Pra, lihet mënjanë India, shteti me mbi 1.2 miliardë banorë, ku figura e Shqiptares së Madhe, Nënë Tereza, vazhdon të mbahet simbol i fuqishëm i paqes, i dashurisë për njerëzit kudo në botë dhe që ka pasur impaktin e vet në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, si marrëdhënie miqësie dhe bashkëpunimi. India, përkrah Kinës, parashihen si gjigantët më të mëdhenj ekonomikë të botës, rivale në hapësirën gjeopolitike në rajonin e Azisë dhe më tej, me rol në rritje në sferat rajonale.

Bashkëpunimi në kuadrin e BRICS (Brazil, Rusi, Indi, Kinë, Afrikë e Jugut) e ka bërë atë më me zë. Një marrëdhënie më e ngushtë me të do ta bënte këtë shtet më atraktiv në fushën e investimeve në vendin tonë, sidomos në teknologji e informacion, në prodhimin e energjisë hidrike, në fushën minerale, ku arritjet e tij janë të njohura. Dhe më tej. Prapa liste qëndron nga diplomacia jonë dhe Australia, ekonomia e së cilës zë vendin e trembëdhjetë në botë dhe ku GDP-ja mban vendin e pestë për frymë. Tregje të eksportit të mallrave të saj janë vende të fuqishme, si Kina, Japonia, SHBA, Koreja e Jugut etj. Ose Indonezia, shteti më i madh i Azisë Juglindore. Ajo është anëtare e G20-ës.

Edhe me të mund të gjenden mundësitë e bashkëpunimit në fushën ekonomike. Kështu mund të thoshim dhe për Singaporin, këtë vend të zhvilluar, një nga katër Tigrat Aziatikë. Të tkurrësh diplomacinë apo të injorosh Azinë në përgjithësi, ku jeton 60 për qind e popujve të botës, është edhe më keq. Por nuk është vetëm interesi ekonomik për t’i gjallëruar këto lidhje, pavarësisht largësisë, por, sikurse është e njohur, edhe nevoja për mbështetje të ndërsjelltë në OKB dhe në organizatat ndërkombëtare për probleme të ndryshme. Dhe më tej.

Zgjerimi i njohjeve ndaj pavarësisë së Kosovës, ka nevojë për një angazhim të mëtejshëm nga diplomacia shqiptare, e njohur për rolin e rëndësishëm që ajo ka dhënë, pavarësisht që mosnjohja e deritanishme është një çështje e politikës së brendshme të disa prej shteteve që përmendëm. Mosprania e ambasadorëve tanë dhe përfaqësuesve të tjerë diplomatik jo rezident në këto vende, mendojmë se është edhe ajo që i zbeh dhe nuk e favorizon bashkëpunimin. Prandaj kërkohet të ndalemi seriozisht në përfaqësimin në to; cila ambasadë do t’i mbulojë ato, duke parë në të njëjtën kohë edhe marrëdhëniet e tyre dypalëshe me vendin ku ne jemi rezident e ku ndjeshmëria në këtë drejtim, varur nga rrethana të ndryshme, duhet vlerësuar.

Mund të thuhet se, për sa më sipër, mund të kontribuonin dhe të kontribuojnë edhe Konsujt e Nderit për këto vende, për hapësira më të mëdha bashkëpunimi. Sigurisht që po. Por dhe zgjedhja e tyre nuk del nga “e zakonshmja” tashmë në diplomaci: nepotizmi politik dhe sidomos lidhjet e afërta miqësore dhe fakti që i bëjnë më shumë shërbim biznesit të tyre apo miqve të vetë në politikë dhe gjetkë.

Nga ana tjetër, mendojmë që shteti duhet të rrisë më tepër interesin për buxhetin e ambasadave që mbulojnë apo do të mbulojnë këto vende, që ambasadori apo diplomatët e tjerë të mos shkojnë tek ato vetëm kur paraqiten letrat kredenciale, por të jenë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet vendase, me njerëzit e biznesit, të kulturës. Mendoj se kështu, do ta shpëtojmë diplomacinë nga tkurrja.