.

KM-ja superstar! Vazhdon shkëlqimi i rremë i varakut…

Dikur, në kohëra që më nuk kujtohen, shqiptarët ngroheshin me një lloj sobe me dru, që e quanin edhe shporet dhe që ishte e një cilësie të dyshimtë.

Modeli i vjetër i shporetit, përpara se sa të dilnin sobat e “modelit të fundit” të Uzinës “Partizani”, që ishin të emaluara dhe më estetike, këto shporetet pra, njërin prej të cilëve e kisha edhe unë në apartamentin tim te Rruga e Durrësit, nxiheshin nga nxehtësia dhe duheshin lyer.
Lyheshin asokohe, me një bojë që thirrej “varak”, që hollohej me vajguri dhe i cili qarkullonte dy llojesh, ngjyrë argjendi dhe ngjyrë ari. Në të vërtetë, fill pas lyerjes soba ose shporeti dukej krejt si i ri, dhe me këtë varakun, lyheshin edhe qyngjet, disa tuba llamarine që përcillnin tymin, nga shporeti, në një vrimë të hapur në mur, që e përcillte më tej tymin e prodhuar, në oxhakun qendror të banesës, që e degdiste në tarracën apo çatinë e “pallatit”, nga edhe parfumonte qytetin me aromën e drurit të shkrumbuar…

Pas disa përdorimesh të shporetit, vetë shporeti dhe qyngjet, nxiheshin përsëri, sepse varaku, kaq mbante për Zotin!
Prej atëherë shqipja e mrekullueshme e asaj kohe, zëvendësoi fjalën e urtë: “I doli boja!” me shprehjen më bashkëkohore: “I doli varaku kësaj pune”, apo “Emo, e ka lyer me varak të freskët prandaj dhe duket kështu, se në të vërtetë, e njëjta vjetërsirë është…”

Tërë kjo tablo që përshkova, mu shfaq vetëtimthi para sysh, kur pashë përqafimin e mallëngjyer të zonjës Redi Kola me KM-në, shkak një pusullë e rëndësishme hipoteke, që zonjës i kish zgjidhur padyshim një hall të madh, por që në të vërtetë është një veprim rutinor administrativë, me të cilin, “për arsye aspak elektorale dhe propagandistike (?!), merret personalisht KM-ja.
Përse?

Sigurisht për të përfituar një përqafim të mallëngjyer përpara kamerave, si një politikan “superstar”, që populli e beson, e do, e përqafon dhe që, ai, KM-ja, din ta bëjë të lumtur, madje sipas fjalëve të zonjës Redi Kola, “më të lumturën në botë!”

Dhe këtu shpërthen “live”, mjerimi dhe qesharakja në të njëjtën kohë…

KM-ja, fërkon faqen e parruar, nga shumë dështime të nxehta, që lidhen me drogën dhe korridoret e saj në funksion të plotë, vrasjet e shumëfishta, mungesën e investimeve, mungesën e punësimeve, aksidentet e panumërta të rrugëve pa standarde, të konçesionomanisë, të braktisjes masive të Shqipërisë, të korrupsionit galopant e të gjithë përhapur, të blerjes së hapur të shumicës së mediave, të luftës së nëndheshme dhe të mbidheshme ndaj të gjithë kundërshtarëve të tij, tanimë edhe nga shoqëria civile, me flokët e zonjës Kola, ndoshta sinqerisht e lumtur, që mbaroi një punë, të cilën prej 8 vitesh, duhet ta kishte kryer.

Nga 8 vite vuajtjeje, 6 vite prej tyre të së ish të dëshpëruarës zonja Kola, në periudhën e qeverisjes së këtij KM-së, faqe parruar.

Që në objektiv të mediave dashnore, shtroi përmes hallit të zonjë Kola, një shtresë varak, mbi qyngun e nxirosur nga tymrat e bandave që na rrethojnë, përbërë nga banditë të vërtetë, që komandojnë plazhe, biznese, zona elektorale, tendera, ndërtime e asfaltime, parcela e betonime, e më the të thashë…
Dhe që janë të paprekshëm sigurisht.