.

Zjarr në mes të turmës, qëllohet për vdekje një vajzë e mitur

Një 10-vjeçare e vrarë dhe 3 të plagosur është bilanci i një ngjarjeje të rëndë, të ndodhur mbrëmjen e së hënës në verilindje të Washingtonit, SHBA. Ngjarja ndodhi në një lagje në rrugën e 53-të, rreth orës 20:00 me orën lokale. Kur oficerët mbërritën në vendngjarje, ata gjetën katër të plagosur me armë zjarri, të cilët u dërguan me urgjencë në spital.

Fatkeqësisht e mitura nuk mundi t’i mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë. Sipas Fox News, të plagosurit janë dy burra dhe një grua dhe gjendja e tyre shëndetësore mbetet e paqartë.

Ndërkohë, një zyrtar i policisë tha se autorë të kësaj ngjarjeje të rëndë dyshohen katër persona me ngjyrë dhe të maskuar, të cilët lëviznin me një automjet. Ata dolën nga makina dhe nisën të qëllonin në drejtim të turmës, përpara se të largoheshin me shpejtësi.

Banorë të zonës treguan për mediat amerikane se e mitura kishte festuar së fundmi ditëlindjen e saj të 10-të. Policia tha se nuk dihet ende nëse viktimat ishin objektivi i autorëve, apo ranë pre e dhunës së tyre aksidentalisht./tvklan.al