.

Foto/ FBI arreston spiunen ruse, një ditë para takimit Trump-Putin. Ja çfarë iu gjet

Një ditë para takimit të dy liderëve botërorë në Helsinki, Presidentit të SHBA-ve Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin, amerikanët kanë arrestuar një agjente ruse. Ajo është Maria Butina, 29-vjeçe dhe raportohet të jetë arrestuar nga FBI-ja amerikane pasi akuzohet për spiunazh.

Siç shkruan “The Guardian” ajo është infiltruar në grupe politike amerikane, duke u bërë mbështetëse e të drejtave për armët, me qëllim që të mblidhte sa më shumë informacione për rusët.

29-vjeçarja kishte krijuar lidhje të ngushta me anëtarë të Partisë Republikane. FBI-ja e arrestoi atë të dielën për komplot dhe spiunazh. Në një deklaratë, një agjent i FBI tha se hetuesit kishin kontrolluar laptopin dhe telefonin celular të Butinës. Sipas tij, Butinës i janë zbuluar mesazhet teksa i raportonte një zyrtari në Moskë.

Ndërmjet viteve 2015 dhe 2017, Maria Butina punoi si ndihmëse e një zyrtari të lartë të Bankës Qendrore Ruse, që më parë shërbeu në legjislaturën e vendit. Në dëshmi nuk identifikohet zyrtari rus, por thuhet se ai u vu nën sanksionet e Departamentit amerikan të thesarit në muajin prill.

Në muajin prill Departamenti amerikan i thesarit, shpalli sanksionet kundër 17 zyrtarëve të lartë qeveritar rusë, përfshirë Alexander Torshin, zëvendës guvernator i Bankës Qendrore ruse.

Maria Butina akuzohet se kur ishte studente në Shtetet e Bashkuara, punoi nën drejtimin e Torshinit për të avancuar interesat ruse në Shtetet e Bashkuara. Si pjesë e përpjekjeve të saj, ajo ndërveproi me dy qytetarë amerikanë të paidentifikuar, për të organizuar takime dhe darka me amerikanë me ndikim. Butina u takua me amerikanin e parë në Moskë në vitin 2013.

Amerikani punoi me Butinën “për të organizuar së bashku prezantime me amerikanë që kanë ndikim në politikën e Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë një organizatë që promovon të drejtën për mbajtjen e armëve … me qëllim të avancimit të agjendës së Federatës Ruse”, thuhet në dëshminë e FBI-së.

Shtetasi i dytë i paidentifikuar amerikan u përfshi në një seri komunikimesh nëpërmjet postës elektronike në vitet 2016 dhe 2017, që tregojnë përpjekjet e Butinës që “të organizojë një seri darkash në distriktin e Columbias dhe në Neë York, duke përfshirë shtetas rusë dhe amerikanë që kanë ndikim në politikën e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në dëshmi.

Dëshmia e përshkruan Rusinë si një nga “kërcënimet kryesore të shërbimeve shtetërore të zbulimit ndaj interesave të Shteteve të Bashkuara, bazuar në aftësitë, qëllimin dhe hapësirën e gjerë operacionale”.
Një Juri e Madhe federale ngriti të premten akuza ndaj 12 oficerëve të shërbimeve ushtarake ruse të zbulimit, për depërtim në vitin 2016 në rrjetin kompjuterik të kandidates demokrate për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton dhe Partisë Demokratike.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me Putin, Presidenti amerikan, Donald Trump, tha dje se kishte besim në agjencitë e zbulimit të Shteteve të Bashkuara, ndërsa i besonte mohimit të Putinit se Rusia ndërhyri në zgjedhjet amerikane.