.

Shkëlqim Ganaj jep alarmin: Shqipëria rrezikon të mbetet edhe pa Gjykatë Apeli

 

Shqipëria nuk ka më Gjykatë Kushtetuese funksionale prej disa muajsh. Për shkak të Vetting-ut nuk funksionon as Gjykata e Lartë. Tani rrezikon edhe Apeli. Alarmin e jep kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë.
Shkëlqim Ganaj tha në raportimin vjetor në Komisionin e Ligjeve, se shkak është korrupsioni i lartë mes togave të zeza.

“Vetëm tek ne, për pjesën e pasurisë, për aq sa ne jemi lejuar të bëjmë, shifra ka arritur në 50.1 përqind. Pjesa e gjyqtarëve të Apelit është ajo që ka përqindjen më të lartë të problematikes. Unë mendoj që vitin tjetër ne do të jemi edhe pa gjykata Apeli me këtë trend që të paktën duket në të dhënat e para”.

Opozita dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare e kanë ngritur prej muajsh shqetësimin se Vetting-u ka nxjerrë jashtë loje gjykatat kryesore në vend. Mosfunksionimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk jep shpresë që situata të ndryshojë në një të ardhme të afërt. /Tv Klan