.

Nëse udhëtoni me autobusë, kemi një lajm të mirë: Në 6 qarqe të vendit do të shtohen…

Pas shtimit të 45 linjave të reja në muajin maj të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka vendosur të shtojë edhe numrin e orareve për disa prej linjave të transportit ndërqytetas.
Përmes një vendimi me datë 4 korrik 2018 dikasteri i transporteve ka miratuar shtimin e 43 orareve të rinj, në 6 qarqe të vendit.

Ndërkohë që, përgjatë muajit qershor u sanksionua dhe shtimi i 34 orareve të tjerë, çka do të thotë se në total do të operojnë 77 orare shtesë.

Referuar vendimit për Qarkun e Tiranës janë shtuar 6 orare për linjën që operon drejt aeroportit të Rinasit, duke e çuar në 16 nga 10 që ishte aktualisht.

Po ashtu, janë shtuar 4 orare drejt Laçit, 2 drejt Himarës, 8 drejt Fushë-Krujës dhe një tjetër drejt Orikumit.

Ndërkaq, për Qarkun e Beratit do të operojnë 5 orare shtesë në linjën Kuçovë-Fier, ndërsa për Dibrën shtohen 5 orare për linjën Peshkopi-Bulqizë si dhe 5 të tjerë për linjën Bulqizë-Peshkopi, raporton “scan”.

Orare shtesë do të funksionojnë edhe në linjat e Divjakës, Gjirokastrës, Korçë-Pogradec, etj.

Në vendimet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë saktësohet se ky shtim oraresh vjen në mbështetje të nevojave të lëvizjes së udhëtarëve, pas kërkesave të bashkive përkatëse si dhe kërkesave të subjekteve të licencuar në linjat e rregullta ndërqytetëse.