.

40 mijë dollarë për lobim në SHBA/ Basha e pranon dhe tregon qëllimin

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kreu i PD-së Lulzim Basha është pyetur rreth kontratës së lobimit në një firmë amerikane për një shumë prej 40 mijë dollarësh. Basha është përgjigjur se problemet kryesore me të cilat përballet Shqipëria kanë nevojë për një ekspozim të plotë dhe të gjithanshëm dhe për këtë arsye ka firmosur këtë marrëveshje lobimi.

Zëri i Amerikës: Muajin e kaluar ju keni nënshkruar një marrëveshje të re lobimi me një firmë amerikane për një shumë prej 40 mijë dollarësh, për një periudhë katër mujore, pra, 10 mijë dollarë në muaj. Për çfarë keni nevojë për të lobuar në Uashington, kur marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara janë të shkëlqyera, siç pohojnë të dyja palët dhe të dy vendet janë partnere?

Lulzim Basha: Nuk ka diskutim, por problemet kryesore me të cilat përballet Shqipëria kanë nevojë për një ekspozim të plotë dhe të gjithanshëm, në veçanti sa u përket institucioneve, të cilat merren me këto probleme. Pikërisht këtu kemi kërkuar ndihmën e një kompanie, e cila është e specializuar në veçanti sa i përket krimit të organizuar, narkotikëve dhe terrorizmit. Pikërisht ky është edhe qëllimi i kësaj kontrate: hartimi i një strategjie kundër krimit të organizuar dhe kundër trafikut të drogës, e cila do të bëjë pjesë në planin, programin dhe vizionin e partisë demokratike, së bashku me komponentin ekonomik, të cilin e kemi mbaruar tashmë me partnerët tanë gjermanë, me anë të cilave do t’u ofrojmë shqiptarëve vizionin tonë për të çmontuar kapjen e shtetit nga interesat kriminale, kapjen e shtetit nga interesat e rrjeteve kriminale të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, dhe për t’u dhënë shqiptarëve një vend të sigurtë, me një ekonomi të sigurtë e të fortë, ku nuk dikton paraja e krimit dhe drogës, po ku dikton puna e ndershme dhe mundësia për të gjithë.