.

“Çdo argument për të shembur Teatrin, perversitet”

Nga MARK MARKU

Kur ju shoh këtu, kam shpresë se çështja do zgjidhet. Janë aktorët, publiku. Kam ardhur disa herë dhe më kanë lënë më shumë mbresa takimet tuaja me 100 vetë apo sado që të jenë, se sa mitingjet me 60 mijë vetë. Sepse një protestë nuk e ka vlerën te numri i pjesëmarrësve. Kjo është rezistencë me rrathë koncentrikë. Ju po mbroni dinjitetin e çdo qytetari shqiptar. Duke goditur teatrin, goditet thelbi i një qyteti, i një vendi. Teatri është thelbi i një vendi.
Që në antikitet, kur është ndërtuar qyteti, së pari tri kanë qenë pikat e rëndesës së tij: tempujt deri në Mesjetë, që më vonë u zëvendësua me kishën, agoraja-forumi-demokracia dhe teatrin. Teatri si institucion politik. Dhe më vjen mirë që artistët, pavarësisht përkatësive politike, janë bashkuar me thelbin e politikës. Teatri është një institucion politik, social, kulturor. Ideja është fyese: të zhvendosësh teatrin nga qendra e qytetit. Çdo godinë e vjetër është e mirë. Kur shkojmë në Paris, Romë shkojmë në zonat më të vjetra, edhe më të rrënuara se kjo godinë. Fakti që është e vjetër, është argument që të mos prishet. Kush e do vendin e vet ruan gjërat e vjetra, i rifunksionalizon. Goditja është simbolike, tregon çfarë po i ndodh këtij vendi, çfarë po na ndodh ne. Goditja e teatrit, simbolikisht është goditja e thelbit të qytetit. Jam këtu për të marrë pjesë. Mua më dhimbset vetja, jo artistët.

Artistëve mund t’u prishet vendi i punës dhe i çojnë te “Turbina”, kurse unë si qytetar humb më shumë se artistët, ndaj nuk jemi këtu për të mbrojtur artistët, por veten, që të mos ndihemi të fyer. Kemi përgjegjësi qytetare, intelektuale. Jo aq sa duhet, por vij shpesh në teatër me vajzën dhe kur ngrihet perdja, kur shoh skenografinë, kur fillon shfaqja, kur fillon loja, është një atmosferë që njeriu nuk e provon ndryshe. Ndaj nuk duhet të na e heqin këtë. Kur të vij këtu nuk dua të hyj në Teatrin e Fushës, por në Teatrin Kombëtar. Kam qenë kundër debateve teknike për teatrin. Një debat teknik do kishte vlerë, nëse qeveria do të vinte një shumë dhe ta ndërtonte shteti. Këtu s’ka lidhje nëse është i mirë apo i keq projekti, jo po arkitekti danez apo kubanez. Në momentin kur thuhet që këtu do të ndërtojë privati, këtu mbyllet debati. Debati mbyllet kur thuhet që teatri do shembet, që do e marrë një firmë private, që ndër të tjera do bëjë dhe një teatër. Nëse shteti nuk ka para për të ndërtuar një teatër të ri, të rikonstruktojë këtë. Shteti ka investuar 1 milion e 800 euro për vatrën e kulturës në Maliq. Kur diskutojmë që shteti s’ka fondin për të rindërtuar godinën e Teatrit Kombëtar, atëherë ky shtet nuk duhet të ekzistojë.

Nëse nuk merr përsipër shteti, të shpallë falimentimin dhe të kërkojë që një shtet tjetër të marrë administrimin. Shteti nuk mund t’ia japë truallin, godinën, privatit. Privati ka fusha, ka troje dhe të bëjë kulla 500 katëshe. Këtu është teatri. Të gjitha të tjerat janë perversitete për të argumentuar një vjedhje. A duhet të bëhemi viktima të një debati për të justifikuar një vjedhje? I falënderojmë artistët që na bëjnë dinjitozë, i japin dinjitet teatrit. Teatri që duhet të vërë në skenë problemet e shoqërisë, kthehet vetë në problem. Kjo është drama. Çështja e teatrit luhet në skenën e madhe shqiptare. Nuk duhet të jemi indiferentë, por të vijmë këtu. Jam publik që asistoj në një dramë. A duhet t’i mungojmë kësaj drame? Jo. Kur e mendon, thua me vete, a ka mundësi të prishet Teatri Kombëtar? Një kryeministër, sado degradues të jetë, a mund të arrijë deri këtu?! Me këtë që po bëni ju, nuk e shembin dot. Keni sakrifikuar veten që të mos ndodhë shembja fshehtazi, pa zhurmë. Do ta shembin, nëse nuk do të vijmë këtu. Të rrimë këtu, sa më shumë aq më mirë. Gjysma e punës është bërë, por duhet të rezistojmë.