.

Shtyhen aplikimet për “Smile Albania”, ja zonat ku do punojnë të rinjtë

Është shtyrë afati për aplikim tek “Smile Albania”, projekt në fushën e turizmit. Keni edhe 4 ditë kohë për të aplikuar deri më datë 26 qershor.

Kjo për t’iu dhënë shansin të gjithëve që dëshirojnë të aplikojnë, pasi ju duhet kohë për të plotësuar dokumentacionin e kërkuar, apo dhe për shkak të fluksit të aplikimit sistemi on line është bllokuar në ndonjë moment.

Megjithatë AKZM ka vendosur në funksion të të rinjve edhe adresën e emailit smile.albania@akzm.gov.al, si dhe aplikimet mund të dërgohen me postë ose dorazi të 12 AdZM-të, si dhe pranë AKZM-së.

“Kemi një interes të madh nga ana e të rinjve për të aplikuar, por sigurisht do të bëj një thirrje që edhe në disa rrethe të rinjtë ta shohin këtë mundësi, siç janë Vlora, Shkodra, Gjirokastra, por kur them Gjirokastra flas në rang Qarku duke patur parasysh dhe qytetin e Përmetit, apo kur them Korça, flas dhe për Pogradecin. Sigurisht kjo është një punë e paguar, pra dhe një mundësi e mirë për të rinjtë që muajt e verës t’i shfrytëzojnë sa më mirë”, tha kreu i AKZM-së Zamir Dedej, në një deklaratë për mediat.

Në të gjithë vendin do të ketë 30 info point, ku do të shpërndahen të rinjtë që kanë aplikuar, dhe t’u japin informacion turistëve.

“Projekti Smile do të ketë dhe tre kampingje. Kjo do të jetë pjesa argëtuese e programit, kampingjet do të jenë në Velipojë, Divjakë dhe duke diskutuar me donatorët, nëse ka mundësi për të ngritur kampe të tjerë ku do të zhvillohen dhe programe edukuesi sikundër është “Junior Rangers” (Te rinjtë mbrojtësit e natyrës), si dhe guidat turistike. Do të jenë tre drejtimet madhore në të cilat do të zhvillohet ky projekt. Me “smile” do të ndërmarrim fushata ndërgjegjësimi, pastrimi duke shkuar direkte në vendet e ndotura dhe do të pastrojmë”, tha Dedej.