.

Ndrenika i rrëfen vuajtjet e tij Veliajt: PPP më morën shtëpinë dhe ma pushtuan me bodigardë, Petro Koçi s’ma vari fare

Gjatë dëgjesës me kryebashkiakun Veliaj, aktori i madh Robert Ndrenika theksoi se pas projekteve me partneritet publik-privat fshihen hile të mëdha, duke rrëfyer kështu edhe vuajtjet e tij që kanë ardhur si pasojë e PPP-ve.

Për ta ilustruar këtë, ka treguar para të gjithëve problemin e madh që e shoqëroi për tri vite nëpër gjyqe, pasi dha shtëpinë tek privati dhe ia pushtuan edhe me bodigarde.

Fjala e Ndrenikës:  

Kam vuajtur shumë gjatë kësaj kohe, kam qenë te zyra e kryetarit më ka paraqitur projektin, kam qenë optimist, por, kam vuajtur shumë nga cështja e partneritetit privat-publik, ka hile brenda, kam vuajtur shumë se e dhashë shtëpinë, dhe kam vuajtur 3 vjet gjyqeve, njërën hyrje, ma pushtuan hyrjen me bodigard.

Vajta të ministri i Brendshëm, shoku Petro Koci që s’ma vari fare, kupton, jam kundër partneritetit publik privat. Ndoshta projekti është i mirë, jam në mëdyshje për cështjen e skenës dhe e kam thënë, këtu ka dushe, e kështu ashtu, por skenën nuk e kemi parë, për këtë duhet të falsin regjisorët, arkitektët dhe aktorët.

Mirë bëre që përmende Pazarin e Ri i dashur kryetar, nuk ka ndonjë gjë të keqe të arsyetohet, si është ai Pazari i Ri që e kam parë, që e ruan atë strukturë, po nuk është më as era e keqe, por e ndjen që je te pazari i ri i dikurshëm, kjo Zamira mund ta na thotë që është edhe një Pazar i Korcës por është bërë i shkëlqyer, të ka lezet shpirti ta shohësh, atje s’kam qenë, por më pëlqen shumë.

Edhe ky kompleksi ynë, me dy godina, me të marangozëve dhe oborrit se është monument kulture, mund të riparohet dhe të dalë gjë e shkëlqyer jo me 30 milionë euro, të kanë gënjyr zoti Erjon, pavarësisht se the 4-5 fish, maksimumi vene 10 milionë euro ai që duhet të bëjmë.