.

Një ligj i paprecedentë që i hap rrugën shkatërrimit të godinës së Teatrit Kombëtar

 

Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar rikthehet sërish në qendër të vëmendjes së opinionit publik. Aktorët që prej muajit shkurt,  kanë vazhduar protestën e tyre kundër Bashkisë dhe qeverisë të cilët kanë vendosur për prishjen e godinës egzistuese. Por së fundmi Këshilli i Ministrave hedh një tjetër hap që ka irrituar jo vetëm artistët. Pasi përzgjodhi më herët projektin  e teatrit të ri pa garë dhe pa asnjë konsulencë, qeveria tashmë ka zgjedhur vetë edhe kompaninë e cila do t’i japë jetë projektit. Bëhet fjalë për kompaninë Fusha Shpk.  Kësaj procedure do t’i hapet rrugë me një ligj të veçantë që pritet të kalojë në kuvend shumë shpejt. Bëhet fjalë për projektligjin për “Përcaktimin E PROCEDURËS SË VEÇANTË PËR NEGOCIMIN DHE LIDHJEN E KONTRATËS ME OBJEKT “PROJEKTIMIN DHE REALIZIMIN E PROJEKTIT URBAN DHE GODINËS SË RE TË TEATRIT KOMBËTAR”

Në nenin 2 të këtij projektligji thuhet se qëllimi është realizimi i projektit për zhvillimin e një zone urbane të Tiranës dhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar me partneritet privat. Pra, që tek neni 2 kuptohet se bëhet fjalë për diçka që shkon përtej Teatrit Kombëtar. Në nenin tre thuhet se të gjitha pronat shtet në këtë pjesë të territorit, vihen në dispozicion për zhvillimin e projektit, pra ato do t’i kalojnë kompanisë private.

Neni 4 i projektligjit thotë se me vendim të Këshillit të Ministrave do të krijohet një komision i posaçëm që do të negociojë kontratën.  Në nenin 5 del për herë të parë edhe emri i kompanisë që do të ndërtojë teatrin, por jo vetëm. Aty thuhet se “Komisioni i negocimit të kontratës vlerëson dhe negocion me partnerin privat, shoqërinë “Fusha shpk”, propozimin e paraqitur prej tyre dhe harton projektkontratën finale të negociuar nga palët, shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda një afati kohor prej 30 ditësh nga data e ngritjes së komisionit”. Por cilat janë problematikat e këtij ligji? Në pamje të parë, së paku janë dy. Së pari, fakti që një detyrim të bashkisë, e merr përsipër qeveria. Kjo rrugë duket se u zgjodh për faktin se shumica e ka më kollaj kalimin e ligjit në parlament për shkak të votave se sa Këshilli Bashkiak i Tiranës. Së dyti lidhet me mungesën e transparencës në përcaktimin e kompanisë që do të ndërtojë projektin dhe kullat pas tij. Në projektligj është bërë fakt që ndërtuesi do të jetë Fusha shpk, por më herët nuk është zhvilluar asnjë garë apo tender kombëtar apo ndërkombëtar për përzgjedhjen e kësaj kompanie./ Studio e Hapur