.

“Artistë mjaft me lloqe, cila është e vetmja mënyrë që Rama tërhiqet nga shembja e Teatrit”

MARK MARKU

Projekti mafioz për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar ka kaluar në një fazë të re me publikimin nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve të një projektligji, i cili pritet të bëjë tjetërsimin e godinës së Teatrit Kombëtar dhe terrenit ku ai shtrihet nga pronë publike në pronë private. Sipas projektligjit, kjo pasuri publike do t’i kalohet në pronësi subjektit privat “Fusha shpk”, i cili duke shembur edhe disa ndërtesa te tjera rreth Teatrit Kombëtar, përfshi këtu edhe një shtëpi të vjetër tiranase të quajtur Sarajet, ndoshta një nga objektet më me vlerë të trashëgimisë kulturore të kryeqytetit, do të ndërtojë një kompleks kullash nën hijen e të cilave do të gjejë edhe ndonjë skutë për godinën e re të Teatrit Kombëtar.
Nuk do të jap këtu argumente se pse një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë, jo vetëm se këtë e kanë bërë prej gati një viti shumë të tjerë para meje: artistë, shkrimtarë, arkitektë dhe intelektualë të fushave të ndryshme, por për faktin e thjeshtë se më duket po aq marrëzi sa shembja e Teatrit edhe argumentimi i mosshembjes. Është njëlloj si t’i thuash dikujt që do të vras një njeri se nuk ka asnjë argument për ta bërë këtë, sikur t’i thuash një njeriu që vjedh se nuk ka asnjë arsye për ta vjedhur gjënë e dikujt, sikur t’i thuash një krimineli që bën një krim se nuk ka asnjë arsye për krimin apo sikur t’i argumentosh një diktatori të çmendur se nuk ka asnjë arsye për ta terrorizuar popullin e tij.

Zot i madh, sa jam trishtuar teksa kam parë artistë të njohur duke i shpjeguar ministres Kumbaro dhe Kryeministrit Rama se pse nuk duhet shembur Teatri Kombëtar për të ndërtuar kulla, teksa kam dëgjuar arkitektë të dëgjuar që flisnin për vlerat arkitekturore të godinës së projektuar nga arkitekti i njohur italian, teksa kam ndjekur ligjërata pa fund për nevojën e teatrove të tjerë dhe jo për shembjen e atyre që kemi, teksa kam dëgjuar ata pak mbrojtës të interesave publike që na kanë ngelur të japin argumente për mostjetërsimin e pronës publike.

Trishtim i madh, pikëllim i madh, zemërim edhe më i madh teksa dëgjoje një kakofoni thirrjesh, lutjesh, kërcënimesh, një zallamahi zërash që synonin t’i sillnin në rrugën e arsyes Ramën, Veliajn dhe Kumbaron dhe të mos e shembnin Teatrin Kombëtar. Kur vjen puna në marrëzi kësodore mendoj se nuk ka vend për arsye dhe çdo tentativë kësodore është bjerrje kohe. Unë nuk mendoj se zoti Rama nuk e di se nuk duhet të shembet Teatri Kombëtar për të ndërtuar kulla, pasi ai besoj ka kaluar jo pak nga godina e Teatrit të Komedisë në Paris, një godinë edhe më modeste për nga pamja se ajo e Teatrit Kombëtar, kur ke parasysh se gjendet e rrethuar nga pallate grandioze mbretërore dhe prapë qëndron aty, për inat të kullave, të ndërtuesve, të gjithë batakçinjve që do të donin ta zëvendësonin me ndonjë supermarket.

Ministrja Kumbaro me aq sa e kam njohur, besoj se e di që të shembësh Teatrin Kombëtar dhe t’ia japësh për të ndërtuar kulla një ndërtuesi është thjesht një krim, një rrugaçëri kulturore, një bjerrje e vetëdijes intelektuale, një degradim moral e s’di çfarë të them tjetër, pasi gjuha shqipe është ende e varfër për t’i shënjuar lapërdhi të tilla. Për Veliajn nuk e di a është i vetëdijshëm apo jo për pasojat e kësaj që po bën, pasi futet tek ai lloj njerëzish të pushtetit që s’ka as thelb, as përmbajtje, për të jeta në tokë është pema që mbjell vetë përpara kamerës, e mira qytetare është baras me urdhrat që nxjerr ai si kryebashkiak, dielli i njerëzimit është buzëqeshja e tij para kamerës dhe që ngatërron teatrin me propagandën e tij të përditshme.

Veliaj është sivëllai i atij kryebashkiakut të Durrësit, që mendon se qytetërimi që ngre ai me betonierën e tij private është ku e ku më lart se qytetërimi romak. Ata e dinë se po bëjnë një krim kulturor, por as nuk duan t’ia dinë për këtë. Sepse ata janë në krye të një pushteti mafioz, ose më saktë një shteti të komanduar nga mafia dhe janë të detyruar ta bëjnë. Nuk e kanë problem as kur gënjejnë paturpësisht para artistëve, as kur gënjejnë para qytetarëve, nuk kanë frikë as nga e shkuara, as nga e tashmja, as e nga e ardhmja.

Ata thjesht po mendojnë si ta realizojnë një gjë të tillë, janë pragmatistë të pushtetit e parasë dhe po gjejnë procedurat për ta realizuar këtë: projektligji është zgjidhja. Me projektligj, turpin e ndajnë me kolegët e tyre deputetë dhe nën mburojën e tyre i shpëtojnë edhe ndonjë pasoje ligjore për sot e për nesër. Ata e dinë ç’po bëjnë dhe s’kanë as një dyshim për këtë: në i lëntë shoqëria shqiptare, do ta bëjnë. Pikërisht për këtë them se artistët dhe të gjitha ata që e duan teatrin duhet t’i lënë publike dhe të bëjnë rezistencë, thjesht rezistencë me të gjitha format: me greva, me protesta qytetare dhe politike, të shtrihen para Parlamentit që deputetët të mos kalojnë për ta votuar atë ligj, të thërrasin qytetarët dhe ta rrethojnë Parlamentin që ata të mos kenë ku të hyjnë, natë e ditë, sepse vetëm kështu mund të ketë njëfarë mundësie që Rama, Kumbaro dhe Veliaj të tërhiqen.

Kështu ndoshta do të bëhen gjenerues të një revolte kombëtare për teatrin, edhe pse teatri nuk jep bukë, nuk jep punë, nuk jep begati për qytetarët. Vetëm kështu qytetarët do ta kuptojnë se një qeveri që shemb Teatrin Kombëtar, nesër mund të bëjë edhe mynxyra të tjera në kurriz të tyre dhe nuk ka të drejtë të qëndrojë në pushtet as edhe një minutë. Pra, duhet përballje me keqbërësit, jo sqarim i tyre. Ata mund ta fitojnë ose humbin një betejë të tillë, por në të dyja rastet do të fitojnë me nder ose humbin me nder. Dhe nëse qytetarët nuk i mbështesin, atëherë bëhet e qartë se kjo shoqëri nuk e meriton Teatrin, le ta gëzojë estradën qeveritare.