.

Paketa e re fiskale/ Ja cilat janë taksat që do të ulen dhe cilat biznese do përfitojnë

Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Fiskale, Niko Lera, në një intervistë për mediat, deklaroi se paketa e re fiskale sjell ulje taksash për biznesin dhe sektorë të veçantë të ekonomisë.

Kreu i Politikave Fiskale tha se biznesit me xhiro nga 8 milionë lekë deri në 14 milionë lekë, i ulet tatimfitimi në 5 për qind, nga 15 për qind që është aktualisht.

Lera tha se efekti nga ulja e taksës është 400 milionë lekë, por që do të kompensohet në buxhet me rritjen e qarkullimit të xhiros së biznesit. Sipas tij, paketa fiskale ofron ulje taksash edhe për sektorin e agroturizmit dhe shoqërive të bashkëpunimit bujqësor, me synimin e rritjes së investimeve.

Çfarë parashikon paketa e re fiskale, që pritet të miratohet brenda muajit korrik në Kuvend?

Paketa fiskale përmbledh disa ndryshime që kanë për qëllim stimulimin e sektorëve të veçantë të ekonomisë, si dhe një ulje të barrës fiskale për bizneset. Konkretisht, çfarë përfshijnë këto ndryshime. Norma e tatimfitimit për sipërmarrësit e segmentit të qarkullimit vjetor, 0 deri në 5 milionë lekë, do të jetë 0 për qind, pra, nuk ndryshon skema aktuale. Për bizneset me xhiro nga 5 milionë lekë deri në 14 milionë lekë, do të jetë 5 për qind dhe për bizneset me xhiro mbi 14 milionë lekë do të jetë 15 për qind. Pra, ndryshimi është që shifra e pragut 8 milionë lekë zhvendoset në 14 milionë lekë. Po cilat janë efektet? Nëse marrim në konsideratë të mirëqenë këtë ndryshim që po bëjmë, llogaritet që vetëm 16 për qind e tatimpaguesve të regjistruar do të jenë subjekt të normës më të lartë të tatimfitimit 15 për qind. Ndërkohë që diferenca prej 84, 85 që mund të shkojë deri në 90 për qind, në varësi të qarkullimit të deklaruar, do të jenë biznese që ose paguajnë 0 për qind tatimfitim, ose paguajnë 5 për qind, çka do të thotë një reduktim i taksës direkte që paguajnë bizneset.

Sa do të jenë efektet financiare nga ulja e tatimfitimit në 5 për qind për bizneset?

Ne kemi llogaritur që nga grupi i bizneseve të mëdha, që aktualisht paguajnë 15 për qind tatimfitimin dhe që me ndryshimet ligjore do të paguajnë 5 për qind, të ketë një efekt negativ prej 400 milionë lekë. Por, ky efekt do të zvogëlohet me efektin pozitiv që do të kemi nga tatimpaguesit me qarkullim 5 deri në 8 milionë lekë xhiro, të cilët, pas këtij ndryshimi, nuk do të kenë frikë të kalojnë apo raportojnë qarkullimin 8 milionë lekë, sepse do të paguajnë 3 herë më shumë tatim. Besoj se do të deklarojnë të plotë, sepse llogaritjet janë bërë që përpjesën dërrmuese të bizneseve të kësaj kategorie që llogaritet me qarkullim 40 mijë lekë në ditë, të shkelin kasën në mënyrë të vazhdueshme, pasi deri në 14 milionë lekë nuk do të paguajnë 15 për qind tatimfitimin, por 5 për qind. Pra, efekti negativ nga ai grup biznesi që përfiton uljen e tatimfitimit nga 15 për qind në 5 për qind, do të kompensohet nga efekti pozitiv nga ky grup, i cili nuk do të ketë problem rritjen e qarkullimit të xhiros.

Por për sektorin e agroturizmit, çfarë lehtësish ofron paketa fiskale?

Nisma e dytë ka të bëjë për reduktimin e normës së tatimfitimit për industri të caktuara, të cilat shteti do t’i stimulojë, si agroturizmi. Në ligjin e turizmit dhe në aktet nënligjore për zbatimin e tij, është miratuar koncepti i subjektit të licencuar agroturistik. Për agroturizmin kemi propozuar që norma e tatimfitimit për këto biznese të jetë nga 15 për qind në 5 për qind. Ato biznese agroturistike që do të kenë qarkullim më të vogël se 14 milionë lekë, automatikisht përfitojnë uljen e normës së tatimfitimit. Por patjetër, që do të ketë biznese agroturistike me qarkullim mbi 14 milionë lekë, prandaj kemi parashikuar 5 për qind tatimfitimin për këto biznese. Për këto subjekte kemi parashikuar që edhe TVSH-ja për shërbimet që ofrohen, përveç akomodimit, i cili është me normë të reduktuar 6 për qind, edhe ushqimi apo shërbim tjetër në fermën turistike, të ngarkohet me nivel TVSH 6 për qind. Pra, me këto ndryshime synojmë që të rrisim investimet në këto ferma që të bëhen atraktive për tërheqjen e turistëve, të huaj dhe vendas.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rekomanduar të mos ketë ulje taksash, ndërkohë që paketa fiskale ofron një sërë lehtësish, çfarë synohet nëpërmjet tyre?

Ne jemi të qartë që një sistem progresiv është më i vështirë për t’u menaxhuar, krahasuar me një sistem më të thjeshtë taksimi. Por natyrisht që është një administratë e tërë me 1600 punonjës që paguhen për të ndihmuar, suportuar apo ndjekur deklarimin e saktë të taksapaguesve. Të flasim për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor. Vërtet ne parashikojmë një normë të reduktuar, por aktualisht kemi të regjistruar 41 shoqëri të bashkëpunimit bujqësor, nuk është puna se ne po marrim të ardhura nga këto shoqëri, rezultatet e tyre janë minimale për të mos thënë zero. Ne nuk po marrim masa në reduktim të tarifave për kategori të caktuara që mbushnin buxhetin e shtetit. Jo, ne duam që duke ofruar incentiva të tilla, ky sektor të fuqizohet dhe të ketë fluks të ardhurash në buxhet./ panorama