.

Kryebashkiakët e paprekshëm dhe KLSH që thjesht numëron milionat e zhdukura!

Në harkun e 24 orëve të fundit, mësuam se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori Kryetarin e Bashkisë Belsh dhe ish-Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë. Këto dy lajme kanë kaluar gati fare pa zhurmë, si diçka normale që ndodh në këtë vend. Kjo sepse kallëzimi në Prokurori i Krerëve të Bashkive nga KLSH, duket se nuk përbën më lajm dhe që të nesërmën harrohet gjithçka. Kryebashkiaku vazhdon punën i qetë, Kryeministri shkon dhe e takon sa herë ka axhendë që të vizitojë qytetin që ai drejton duke folur në superlativa dhe duket sikur kallëzimi në KLSH është një fletë lavdërimi për Kryebashkiakun. Indiferenca ndaj lajmeve si këto, vjen për arsye se, pothuajse në të gjithë rastet kur KLSH ka gjetur në shkelje Bashkitë dhe ka kallëzuar Kryetarët, askush nuk i ka ngacmuar ata. Madje në raportimet e gazetarëve që mbulojnë Prokuroritë, nuk kemi dëgjuar as t’i kenë thirrur të paktën që të merren në pyetje ose dosjet e tyre mund të jenë mbyllur pa zhurmë dhe larg vemendjes së medias. Dhe pikërisht për këtë arsye, askujt nuk i bën më përshtypje kur një Kryetari Bashkie i gjehen shkelje me miliona lekë, që në çdo rast tjetër do të quhej thjesht vjedhje.

Le t’i marrim me rradhë disa raste duke nisur nga këto të fundit:

 

Kontrolli i Lartë të Shtetit kallëzoi sot në Prokurori kryetarin e bashkisë Belsh Arif Tafani, së bashku me drejtorin e Bujqësisë, përgjegjësin e Urbanistikës, juristen, 2 kolaudatorë dhe 1 mbikëqyrës të punimeve. Ata akuzohen se kanë shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 80 milion lekë. KLSH thotë se gjatë auditimit të kryer për veprimtarinë e këtij institucioni gjatë periudhës 01.01.2016 deri më 31.12.2017, u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fushën e prokurimit publik, kryesisht në përzgjedhjen e procedurës së prokurimit, vlerësimin e ofertave ekonomike duke vepruar me dy standarte vlerësimi, zbatimin e investimeve etj.

 

Dje me 28 maj, KLSH kallëzoi ish-Kryebashkiakun e Rrogozhinës, Ndriçim Dushku. Me Vendimin nr. 37, datë 30.04.2018 të Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe me shkresën nr. 1297/15, datë 30.04.2018, me qëllim përmirësimin e gjendjes i janë rekomanduar Bashkisë Rrogozhinë, masa me karakter organizativ; masa për shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar në vlerën totale 24.5 milion lekë; përdorim të fondeve publike pa Ekonomicitet, Eficencë dhe Efektivitet në vlerën 217 milion lekë dhe të ardhura të munguara në vlerën 75.8 milion lekë.

 

Me 1 shkurt 2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehun, për abuzim me detyrën. Gjatë një auditimi që KLSH ka kryer në Bashkinë e Kukësit, ka rezultuar se kryetari i kësaj Bashkie i ka shkaktuar 125 milionë lekë shtetit nga abuzimet me tenderat.

 

Me 12 maj 2017, Kontrolli i Lartë i Shtetit kontrolloi Bashkinë Himarë dhe dy ish komunat Horë-Vranisht dhe Lukovë për veprimtarinë e kryer gjatë dy viteve të fundit dhe vendosi në fund të kontrollit të kallëzojë në Prokurori kryebashkiakun Jorgo Goro dhe 13 zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie, mbi të cilët rëndon akuza se në raste të përsëritura kanë kryer pagesa për disa operatorë ekonomikë për punime që KLSH thotë se nuk ekzistojnë. Disa nga projektet për të cilat akuzohet Goro lidhen me programin e qeverisë “Rilindja Urbane”, në bazë të së cilit buxheti i shtetit i ka dhënë bashkive të ndryshme në të gjithë vendin fonde për punime, kryesisht rregulluese dhe dekorative. Sipas raportit të KLSH, rasti më flagrant është projekti “Shëtitotja Buzë Detit Qeparo Faza II”, ku kontrolli zbuloi pagesën e gati 11 milionë lekëve më shumë se sa preventivët e punimeve nga ana e Bashkisë Himarë. Në objektin “Rikonstruksion i Rrugës në Lagjen Kondraqe-Qendër-Kallam, Dhërmi”, kontrolli doli në konkluzionin se Bashkia ka ndryshuar çmimet e punimeve të kontraktuara si dhe pa paguar një shumë të vogël për punime që nuk janë kryer me dëm të përbashkët prej 1.6 milionë lekësh. Në objekte të tjera janë regjistruar mbipagesa për kompanitë kontraktore me vlera 200-600 mijë lekë.

 

Më 12 korrik 2015 Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori ish-kryetarin e Bashkisë Memaliaj, pasi dyshohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm në buxhet që kap vlerën e 5 milionë lekëve. Shkeljet u konstatuan pas auditimit në Bashkinë e Memaliajt, ndërkohë që u depozitua pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër kallëzimi penal për ish-kryetarin e Bashkisë së Memaliajt, Lulëzim Meçe dhe një punonjës të kësaj bashkie, të cilët akuzohen për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.

Ndërkohë, rasti i Kryebashkiakut të Lezhës është pak më ndryshe nga ata që përmendëm më lart. Me 16 mars të vitit 2018, Fran Frrokaj u arrestua në zyrën e tij. Shoqërimi në polici i kryebashkiakut u bë pas hetimeve për shpërdorim detyre, pasi u konstatuan shkelje. Bashkë me Kryebashkiakun u shoqëruan dhe u lëshuan urdhër arreste edhe për 22 persona të tjerë. Por vetëm dy muaj më vonë, Gjykata e Lezhës ka rivlerësuar masën e sigurisë për kryebashkiakun, Fran Frrokaj dhe ka vendosur që ai të jetë i lirë dhe të paraqitet dy herë në javë te policia gjyqësore.

Ja pra si në rastin e Frrokajt, ashtu edhe në ato që përmendem më lart, Qytetarëve të Parë, nuk iu hyn gjemb në këmbë, në një vend ku qytetarët e thjeshtë mbushin birucat e paraburgimeve edhe për gabime të vogla dhe ordinere. Sepse siç thotë një shprehje; “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, por disa janë edhe më të barabartë se të tjerët!” /hapur.al