.

“Mes babales dhe Esad Pashës”/ Shkullaku: Rama të përballet me shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Të shtunën do…

Me titullin “Rama, mes Babales dhe Esad Pashës”, analisti Armand Shkullaku ne një shkrim në portalin “Lapsi.al”, thotë se “mazhoranca ka hyrë në një spirale demagogjike, duke prodhuar një komedi të madhe për shqiptarët, ku një ditë opozita shpërfillet e vihet në lojë dhe ditën tjetër paraqitet si fuqia mistike që po zhbën ëndrrën shekullore të Shqipërisë europiane”.

Analiza e plotë

Partia Socialiste po bën ç’është e mundur që protestën e opozitës më 26 maj ta banalizojë si një “protestë të Babales” , por njëkohësisht “Babales” po i jep rolin dhe peshën historike të bllokimit të mundshëm të negociatave në qershor. Mazhoranca ka hyrë në një spirale demagogjike, duke prodhuar një komedi të madhe për shqiptarët, ku një ditë opozita shpërfillet e vihet në lojë dhe ditën tjetër paraqitet si fuqia mistike që po zhbën ëndrrën shekullore të Shqipërisë europiane.

Metafora më e mirë për të kuptuar këtë ngërç që ka kapur propagandën e kryeministrit, është ajo e Babales. Për Babalen, me tone qesëndisëse flet Edi Rama, me Babalen përpiqet të bëjë humor edhe Taulant Balla, e pas tyre të gjithë deputetët në komisionet parlamentare dhe trupa e gatshme mediatike e “komandatit”. Me Babalen duan të zhvlerësojnë edhe aksionin opozitar kundër ministrit të Brendshëm dhe po me Babalen tentojnë të minimizojnë protestën e kësaj të shtune.

Nëse dëgjon shpjegimet e gjata të kryeministrit, “opozita e Babales” nuk ka besueshmëri, nuk e merr kush seriozisht, ka hyrë në krizë dhe vendi, si dhe ai vetë, kanë mbetur pa alternativë. Por, kur vjen puna që Edi Rama të marrë përgjegjësitë e tij në raport me progresin e Shqipërisë drejt integrimit në BE, ai lan duart dhe kërkon shpëtim përsëri te “opozita e Babales”. Vetëm se këtë herë ajo nuk është më opozita e pabesueshme dhe qesharake, por një forcë me ndikim në Bruksel, në korridoret e parlamenteve europiane, e strukturuar dhe me peshë, madje sipas zbulimit më të fundit të kryeministrit, edhe me një program që ka si bazë testamentin e Esat Pashës.

Sigurisht që këto shkapërdredhje për t’i ikur përgjegjësisë, e kanë bazën tek një e vërtetë që as nuk e relativizon dot Babalja dhe as nuk mund ta justifikojë i ashtuquajturi “mision antikombëtar i disa vulëhumburve pa atdhe”, që po na lënë jashtë dyerve të Europës. Edi Rama është i qartë se sado qesharak të duket Babalja, ai nuk bën për të qeshur në një vend ku një ministër i Brendshëm është në arrest, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, dhe një tjetër ka vëllanë të dënuar po për trafik ndërkombëtar droge. Dhe të dy, pjesë e një qeverie të shenjuar me bojë të kuqe në të gjitha raportet serioze ndërkombëtare, pikërisht për shkak të kultivitimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Babalja do të na gajaste vërtetë në kontekstin e një qeverisje normale, të pastër dhe pa asnjë implikim me afera kriminale, por në rastin konkret, ai përbën një skandal më shumë për një qeveri të kontaminuar nga virusi i abuzimit.

Kancelaritë perëndimore nuk e njohin Babalen, por ato janë tepër të ndjeshme dhe folën menjëherë sapo edhe emri i ministrit të dytë të Brendshëm u implikua në një aferë të dyshimtë me sfond trafikun e drogës. Depërtimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjes dhe mungesa e shembujve konkretë të luftës ndaj tyre, janë shqetësimi kryesor për shumë vende të BE dhe këtë shqetësim nuk e largon as personaliteti i Babales dhe nuk e shton as testamenti i Esat Pashës.

Gjuha e Ramës nuk është e panjohur për Brukselin. Zakonisht liderët ballkanikë, kur dështojnë të realizojnë detyrimet e tyre, fajin e projektojnë tek faktorë të tjerë për të mos marrë kosto brenda vendit. Por mazhoranca sot ndodhet në ngërç, sepse përgjegjësinë e saj në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe drogës në veçanti, do ta paraqesë jo vetëm si një problem të shpikur nga opozita, por edhe se kjo shpikje po na lë jashtë Europës përsëri për faj të opozitës esadiste, kur për më tepër që prirjet esadiste të kryeministrit janë ato që kanë rritur alarmin në perëndim.

Të flasësh për një forcë politike që ka investuar për anëtarësimin në NATO, për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, për lëvizjen e lirë në Europë, si një forcë me program antieuropian, me qëllim që të mbulosh gropat e zeza të qeverisjes, nuk bind askënd. As ata që do protestojnë në 26 maj dhe as ata që duhet të votojnë në qershor.

Qeveria shqiptare ka një problem të qartë në raport me krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe për këtë nuk e ndihmon dot as Babalja dhe as Esad Pasha. Vjen një kohë që propaganda kthehet në komedi dhe Edi Rama duhet të përballet me shqiptarët dhe me ndërkombëtarët me akte konkrete. Se sa u besojnë shqiptarët aferave të drogës të lidhura me qeverinë kjo do shihet këtë të shtunë, ndërsa testi i perëndimit pak ditë më vonë.