.

Basha: Kriminelët i ofruan të afërmit të dëshmitarit ‘X’ 200 mijë € për të mohuar dëshminë, kemi fakte! (VIDEO)

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijon fjalën e tij LIVE në facebook, pavarësisht faktit se kreu i Kuvendit, Ruçi e ka ndërprerë seancën për herë të dytë.

Nga foltorja e Kuvendit, të cilën e ka bllokuar së bashku me deputetët e opozitës Basha lëshoi akuza të forta teksa tha se një të afërmi të dëshmitarit ‘X’ i janë ofruar 200 mijë euro nga persona të skeduar e me rrezikshmëri të lartë kriminale nga Vlora dhe Fushë-Kruja për të mohuar dëshminë.

Basha deklaroi se kanë prova dhe fakte për këtë denoncim.

Pjesë nga fjala e Bashës LIVE në facebook:

Basha: “Çfarëdolloj daulleje ti biesh nga kjo foltore të vërtetën nuk e fsheh dot. Rama fajëson opozitën për moshapjen e negociatave, por je ti Edi Rama sëbashku me Fatmir Xhafajn jeni e vetmja pengesë për hapjen e negociatave.

Bashkimi Europian nuk është ERTV. As BE as shqiptarët nuk i hanë më broçkullat që thua çdo ditë.

Shqipëria nën qevrisjen tënde është kapur nga krimi dhe korrupsioni, jemi një vend që eksporton drogë dhe importon plehra. Me varfëri të shtuar, me emigracion që rritet çdo ditë, me rini të pashpresë.

Dikush akuzoi ministrin e Brendshëm me dëshmi dhe material audioviziv që mbron vëllain e tij trafikant të drogës. Ti fillove sulmin ndaj dëshmitarit, familjes tij dhe opozitës.

Ti je një gënjeshtar, mbron kriminelët. Këtë ke bërë në çdo rast kur kriminelët e tu janë bërë publikë. Kështu bëre me Mark Frroku, Saimir Tahirin, Arben Ndokën, Elvis Roshin e kështu po bën me Agron Xhafajn dhe Fatmir Xhafajn.

Agron Xhafajn u largua si pjesë e një plani kriminal për të shpëtuar Fatmir Xhafajn dhe për t’i shpëtuar hetimeve në Shqipëri.

Vetë largimi i Agron Geron Xhafajt, 15 vite pasi i ishte shmangur drejtësisë, është prova. Njeriu që mban krimin në këmbë u zhduk në mes të natës. Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama ofruan të gjithë infrastrukturën shtetërore që ta prisnin në mes të natës.

Ku është Agron Xhafaj, çfarë dënimin po vuan, ku po e vuan?

Fatmir dhe Agron Xhafaj funksjonojnë si kokat e një familjeje kriminale. Kush e njoftoi policinë, Edi Ramën, Fatmir Xhafajn për identitetin e dëshmitarit ‘X’ pas publikimit të rrëfimit nga Partia Demokratike. Sot shteti ka rënë.

Shkelet në mes të ditës ligji antimafia. Është një ligj i miratuar në 2010, për t’i dhënë garanci të plota BE-së se Shqipëria asaj kohe do kishte kornizën ligjore për të goditur krimin.

Vetë Xhafaj e pranoi kur e pyeti gazetarja nëse është subjekt i ligjitit antimafia. Fatmir Xhafaj tha: “Teorikisht po, praktikisht jo”.

Një të afërmi të dëshmitarit ‘X’ i janë ofruar 200 mijë euro nga persona të skeduar kriminelët më të mëndhenj të Vlorës dhe Fushë-Krujës për të mohuar dëshminë. Kemi prova dhe fakte”