.

Kush është shqiptari që po mahnit Spanjën

Një tjetër talent shqiptar po spikat në futbollin spanjoll dhe ai mban emrin Enis Bardhi. Pozicioni i tij është sulmues i majtë dhe po shkëlqen me klubin e Levantes, ku së fundmi është bërë i padiskutueshëm vendi i tij si titullar. Enisi ka lindur në Shkup dhe i ka ngjitur nivelet një e nga një duke e nisur karrierën te FK Shkupi dhe më pas kaloi te gjigandët danez të Brondby. Ai u huazua te klubi suedez i Prespa Birlik ku në 10 ndeshje shënoi plot 5 gola për ta ndihmuar ekipin që mos të binte një kategori më poshtë. Më pas u transferua tek Ujpest në Hungari ku luajti për 3 vite duke dhuruar spektakël. Në 2017 nënshkroi me Levante dhe goli i tij i parë erdhi nga pozicioni i tij i preferuar, nga një goditje dënimi. Bardhi nuk u aktivizua mjaftueshëm në fazën e parë, por me siguri nëse talenti i tij do të vlerësohej më parë skuadra e Levantes nuk do të luftonte për mbijetesë. Enisi është me origjinë shqiptare, por nga vonesa e FSHF për ta grumbulluar talentin, i cili nuk ka luajtur as me ekipet e moshave shqiptare, megjithëse ka shprehur dëshirën, ai zgjodhi të mbrojë ngjyrat e Maqedonisë. Humbje e madhe për kombëtaren shqiptare dhe këta talente nuk duhet të na ikin më nga duart.