.

I digjet makina para shtëpisë/ Flet pronari: Nuk është ngjarje e…

Një makinë u shkrumbua dje në qytetin e Elbasanit, ndërsa Policia ka nisur hetimet, duke mos përjashtuar dyshimin për një ngjarje të qëllimshme. Paraprakisht, Policia bëri të ditur se nga hetimet e para rezulton se kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale, ku makina është përfshirë në flakë si pasojë e një shkëndije elektrike.

Mësohet se mjeti tip “Opel”, me targa AA 782 OU, është në pronësi të një pensionisti, shtetasit K. Borakaj, 66 vjeç. “Në orët e para të mëngjesit, në lagjen “5 Maj”, ka rënë zjarr në mjetin tip “Opel”, me targa AA 782 OU, në pronësi të shtetasit K.B., 66 vjeç, (pensionist). Mjeti ishte i parkuar në rrugicë para banesës së tij dhe si pasojë e flakëve, mjeti është djegur plotësisht në pjesën e përparme të tij. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor ku nga veprimet e para dhe deklarimet e pronarit, i cili s’ka ndonjë pretendim se mjeti mund t’i jetë djegur qëllimisht, dyshohet se zjarri ka ardhur si pasojë e ndonjë shkëndijë elektrike.

Vijon ende puna për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të rënies së zjarrit”, bëri të ditur Policia e Elbasanit nëpërmjet një njoftimi për shtyp. Burime nga hetimi bënë të ditur se pronari i mjetit është marrë në pyetje menjëherë pas kësaj ngjarjeje. Ai ka deponuar për Policinë se nuk kishte asnjë konflikt me persona të tjerë dhe as nuk ka ndonjë pretendim për një ngjarje të qëllimshme.

Pavarësisht pretendimit të tij, Policia bëri të ditur se është duke hetuar duke mos përjashtuar një ngjarje të mundshme të qëllimshme. Vetë i zoti i makinës rezulton pa precedentë dhe pa probleme me ligjin. Tashmë po hetohet nëse ngjarja mund të ketë lidhje me ndonjë nga fëmijët e tij dhe se kjo mund të jetë si një shenjë kërcënimi ndaj kësaj familjeje. Por gjithsesi, burime nga Policia bënë të ditur se nga hetimi paraprak askush nga familja Borakaj nuk rezulton me probleme dhe as me konflikte me persona të tjerë. Kanë qenë banorët ata që sinjalizuan Policinë, sapo kanë konstatuar tymin dhe flakët në automjet. Zjarrfikësja mbërriti në vend, por pjesa e përparme e makinës, ndërkohë ishte shkrumbuar./ panorama