.

E përndiqte dhe e kërcënonte/ Adoleshentja denoncon 27-vjeçarin në polici: Më është kthyer në makth!

Një 19-vjeçare ka denoncuar në Polici një bashkëqytetarin e saj, i cili e kërcënonte dhe kryente gjeste të tjera, të cilat ishin kthyer në një makth për të renë. Duke dashur të shmangë precipitimin e situatës, vajza i është drejtuar Policisë.

Kjo e fundit ka arrestuar 27- vjeçarin dhe ka nisur hetimin. “Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Përmet, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Kalemi, 27 vjeç, banues në Këlcyrë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në mënyrë të përsëritur, ka ndjekur, fyer dhe kërcënuar nëpërmjet gjesteve fizike e verbale, si dhe nëpërmjet thirrjeve telefonike, shtetasen R.K., 19 vjeçe, banuese në Këlcyrë, për të cilin kjo shtetase ka bërë kallëzim.

Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet për veprime të mëtejshme, për veprën penale ‘Ndërhyrje të padrejta në jetën private’, Neni 121/a i Kodit Penal”, thuhej në njoftimin e Policisë.