.

Aktiviteti kriminal dhe rënia e euros, përse Shqipëria po “noton” në valutën e huaj?!

Ekonomia shqiptare po përballet me një vërshim gati të paprecedentë të eurove në treg.
Top Channel publikon për herë të parë shifrat zyrtare të siguruara nga Banka e Shqipërisë, të cilat tregojnë se oferta e euros në tregun vendas është rritur me 35 për qind në katër vitet e fundit.

Në grafikun që tregon sasinë e eurove të këmbyera në tregun e brendshëm, për periudhën janar-prill, nga viti 2014 deri në vitin aktual, duket qartë, se në 4 muajt e parë të këtij viti, në tregun e brendshëm janë këmbyer thuajse 1 miliardë e 780 milionë euro. Kjo do të thotë se në janar-prill të këtij viti, në Shqipëri janë këmbyer 460 milionë euro më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2014.

Por këto janë të dhënat vetëm për katër muajt e parë të vitit. Nëse supozohet i njëjti fluks edhe për tetë muajt e tjerë, atëherë rezulton se aktualisht në Shqipëri këmbehen 1 miliardë euro më shumë se sa katër vite më parë.
Rritja e sasisë së eurove, vlerësohet si shkaku kryesor për zhvlerësimin e e shpejtë të monedhës europiane ndaj lekut. Por pyetja që ka hapur një debat të nxehtë mes ekspertëve, por edhe kampeve politike është se nga po vijnë këto para? A janë prurje të ligjshme, apo gjenerohen nga trafiku dhe aktivitetet e tjera kriminale?

CFARË THOTË EKSPERTI

Ilir Ciko është ekspert i tregtisë ndërkombëtare. Sipas tij, zhvlerësimi i euros ndaj lekut është i lidhur tërësisht me shkaqe të brendshme.

“Nuk ka pasur zhvlerësim të euros në tregjet ndërkombëtare, që të mendonim se po vjen nga jashtë. Ashtu sikurse edhe në vendet e tjera të rajonit nuk ka pasur forcim të monedhave ndaj euros, çka tregon se shkaqet janë të brendshme”, u shpreh Ilir Ciko.

Në tre vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar një rritje të ndjeshme të të ardhurave nga turizmi. Po kështu eksportet dhe investimet e huaja kanë sjellë më shumë valutë në vend. Por Ciko është skeptik nëse këto flukse mjaftojnë për të shpjeguar dobësimin e euros.

“Nuk besoj se kjo lidhet me të ardhurat nga turizmi, pasi jemi para sezonit dhe akoma nuk është paguar për këtë shërbim. Edhe sa i përket investimeve të huaja, nuk shoh ndonjë prurje të madhe, që të sjellë këtë rënie të euros”, tha eksperti Ciko./Top Channel