.

Deputeti i PD përgëzon gazetarin Olldashi: Rrezikoi jetën e tij dhe të familjes…


Personi pas përgjimit të audios mes dëshmitarit X tashmë dalë me zë e figurë, Albert Veliu dhe vëllait të ministrit Xhafa, është gazetari Jetmir Olldashi. Përmes një deklarate publike, ai pranon se është ai njeriu që ka përgjuar Agron Xhafajn dhe ka zbuluar bisedat e tij me Albert Veliun. Pas vetëzbulimit te tij, deputeti Luçiano Boçi e ka përgëzuar Olldashin për punën profesionale si dhe për guximin, duke shkruar se “Jetmiri sot me aktin e tij ka rrezikuar jetën e tij dhe të familjes, por ndërkohë ka dëshmuar që krimi qoftë dhe në pushtet sfidohet e gjunjëzohet me guxim.”
Postimi i plotë:
GAZETARIA E SË VËRTETËS SI “E MIRË JETE”
Jetmir Olldashi u vetëzbulua sot të ishte gazetari investigativ që realizoi përgjimin e bujshëm të A. Xhafajt.
Dëshmia e tij rrëzoi sot çdo pandehmë “të laboratorëve prestigjozë” të Ramës dhe po nxit me shpejtësi rrokullisjen e pashpresë të Rilindjes&co.
Zhveshi çdo iluzion “drejtësie” shtetërore e zbuloi implikimin e institucioneve që prodhojnë padrejtësi e hakmarrje politike.
Një punë profesionale kjo që i jep autoritet medias që synon të vërtetën dhe përballet me pushtetin e korruptuar.
Një kurajo qytetare e pashembullt që meriton mbështetje, përkrahje dhe mirënjohje.
Jetmiri sot e Ambrozia dje, dëshmuan që në vendin tonë ka dinjitet, profesionalizëm, dëshirë lirie e përpjekje për të mbjellë shpresën e ndërtuar të ardhmen.
Dëshmuan që Rama si kazanxhi profesionist mund të bëje pazare kazanësh, sahanësh e tepsish, por nuk mund te mbytë e të asgjësojë gazetarinë e së vërtetës dhe gazetarët e vërtetë të shumtë në ketë vendin tonë të vogël, fatkeqësisht me liri medie të cunguar e të vrarë nga pushteti mbytës.
Jetmiri sot me aktin e tij ka rrezikuar jetën e tij dhe të familjes, por ndërkohë ka dëshmuar që krimi qoftë dhe në pushtet sfidohet e gjunjëzohet me guxim.
Për ta mbrojtur Jetmirin nuk mjafton as vetëm një status, as thjesht e vetëm solidaritet e fjalë të bukura.
Duhet veprim për të shkërrmoqur perandorinë e krimit dhe të kazanit.
Një BRAVO është shumë pak për Jetmirin, Ambrozian, gazetarët e vërtetë e mediat e së vërtetës.