.

Analiza – Te fyerjet e analistëve ka diçka sintetike

Nga Klementin Mile 

Lajmet më të bujshme të ditëve të fundit kanë qenë fyerjet me fjalor banal të analistëve të njohur për njëri-tjetrin, siç kanë qenë rastet e Gazmend Bardhit dhe Mustafa Nanos, të Alfred Lelës dhe Shpëtim Nazarkos, të Lorenc Vangjelit dhe Klodiana Lalës, të Arjan Çanit dhe Denis Dyrnjasë. Këto fyerje kanë qenë garnitura e një pjate skandalesh me në qendër dy ministrat socialistë, Tahirin dhe Xhafajn. Pikërisht në sulm ose në mbrojtje të tyre janë lëshuar bataretë e fyerjeve nga njerëz që, siç kemi qenë dëshmitarë shumë e shumë herë të tjera më parë, janë të aftë të artikulojnë me elegancë dhe etikë të admirueshme çështje nga më komplekset. Ky fenomen, pra, nuk është ndonjë lapsus individual që mund të shpjegohet me “shkarje” të gojës apo të mendjes së analistit.

Te fyerjet e analistëve ka diçka sintetike. Filozofi gjerman Kant, kur bënte dallimin ndërmjet gjykimit analitik dhe gjykimit sintetik, thoshte se i pari nuk na jep informacion të ri për subjektin që trajton, ndërkohë që i dyti, duke qenë sintezë e subjektit me një predikat që nuk është cilësi e domosdoshme e tij, na jep informacion të ri për subjektin. Me fjalë të tjera, ndërsa gjykimi analitik është tautologjik (e barazon një gjë me vetveten, duke na treguar vetëm pjesët përbërëse të saj: A-ja është A), gjykimi sintetik është paradoksal (e barazon një gjë me diçka të ndryshme prej asaj vetë: A-ja është B).

Esenca e analistëve, për sa kohë ekzistojnë si të tillë, është të bëjnë analizë. Pra, të shprehin në mënyrë sa më shteruese faktorët, shkaqet dhe pasojat e një fenomeni (të cilat fenomeni i shfaq, por vetëm analisti ka aftësinë t’i dallojë), problemet dhe zgjidhjet e një situate (e cila pret të analizohet), apo kostot dhe përfitimet nga një vendim (të cilat analisti i dallon më mirë se të tjerët). Kjo gjë pritet prej Nanos, Nazarkos, Lelës, Vangjelit etj. Të paktën nga publiku, i cili e merr seriozisht në konsideratë ekzistencën e tyre si analistë. Dhe duhet thënë se të lartpërmendurit, deri para pak ditësh, kanë qenë në lartësinë e pritshmërive publike. Por fyerjet pa fre të kohëve të fundit e kanë vënë seriozisht në dyshim gjykimin analitik të analistëve tanë. Nëse e analizojmë situatën e analistëve vëmë re se i motivon diçka sintetike – diçka që nuk i përket domosdoshmërisht dhe apriori analistit si subjekt. Ky është një motiv që e tejkalon temën e debatit, e tejkalon fenomenin, ngjarjen apo vendimin, i tejkalon rregullat e arsyetimit dhe, përfundimisht, e tejkalon etikën e komunikimit. Analistët, të cilët më parë kur shkëlqenin në punën e tyre nuk na thoshin ndonjë gjë të re, por vetëm elemente të asaj që dihej, sot me dështimin për të bërë analizë po na thonë se ekzistenca e tyre, qysh në krye të herës, paskësh qenë e lindur nga sinteza.

Nuk ka rëndësi nëse kjo është sinteza e një mbrojtjeje të paepur me një vilë në bregdet, apo sinteza e një shkrimi militant me një shumë të madhe parash, apo sinteza e një komenti të hollë me një vend pune për familjarët. Problemi i thellë është se kur analiza lind nga sinteza, analiza i përket botës së dukjes, jo asaj të qenies. Ajo pushon së qenuri. Me këtë nuk po them se analistët nuk duhet të kenë motive materiale në punën e tyre. Por nëse të vetmet motive që i lëvizin janë ato materiale, e aq më tepër të lidhura me shërbime ndaj klaneve të ndryshme të politikës, nuk ka pse habitemi që debatet mes tyre të degjenerojnë në fyerje me fjalor rruge. E ndoshta pikërisht këto fyerje janë shenja më e qartë se Reforma në Drejtësi po ndodh. Edhe në mos sjelltë drejtësi, por vetëm vullnetin politik të superfuqisë amerikane në periferinë shqiptare, ajo po e kërcënon ekzistencialisht sintezën që i polli “analistët”. /MAPO

Pedagog në UET

Rubrika: Peripatos