.

“Si duhet të vepronte Xhafaj me vëllain, pse Rama nuk mund ta shkarkonte në 48 orët e ultimatumit të Bashës”

PREÇ ZOGAJ

ÇFARË MËSUAM/Nga gjithë zhvillimet e javës kanë dalë deri tani tri të vërteta të qarta, të gjithëpranuara, për të cilat nuk ka nevojë as për hetim, as për verifikime të mëtejshme. E para, Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është dënuar në Itali në vitin 2012 me vendim të formës së prerë me 7 vjet e dy muaj heqje lirie dhe i ishte shmangur deri pardje kryerjes së dënimit. Ka pasur paqartësi në publik dhe në rrethet politiko-mediatike për dënimin e tij. Vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha, që ka folur disa herë për këtë rast, sidomos vitin e shkuar kur Xhafaj po priste të merrte detyrën e ministrit të Brendshëm, nuk ka qenë eksplicit, në kuptimin që të fliste me të dhënat konkrete si këto që dalin në vendimin e Gjykatës së Kasacionit të Italisë.

Me sa duket, PD e ka siguruar kohët e fundit këtë vendim legal që më shumë habit që nuk është gjetur më parë, sesa intrigon se si u gjend tani. E vërteta e dytë që lidhet me të parën, ka të bëjë me qëndrimet e Ramës dhe Xhafajt ndaj denoncimeve të opozitës për rastin në fjalë. Kryeministri Edi Rama ka futur kasetën, njëlloj siç ka bërë e bën më të gjitha denoncimet e opozitës për kriminalizimin, për kanabizimin e sa e sa skandale të tjera që në pjesën dërmuese të tyre kanë rezultuar të vërteta. Edhe në rastin e vëllait të Xhafajt, Rama nuk është mjaftuar të hedhë poshtë denoncimin e opozitës, çfarë do të kishte justifikim po të kishte në dorë informacionin e kundërt, por është hedhur në sulm në stilin e tij invadent, duke i trajtuar faktet si baltë dhe zhul nga SHQUP-i kundër tij dhe qeverisë së tij.

Sot del qartë se Edi Rama ka fshehur të vërtetën për vëllain e ministrit. Të cilën besoj e ka ditur. Në mos e pastë ditur, ia ka bërë të ditur opozita e tij. Nuk them ta besonte si librin e shenjtë. Ta verifikonte në rrugë institucionale. Në këtë mënyrë do të investonte respekt për publikun dhe opozitën. Rama as e ka marrë mundimin. Ka zgjedhur të gënjejë, të hedhë gurin, duke u ankuar se po më qëllojnë. Kemi parë se në SHBA nuk të falin për këto gjëra. Të dënojnë me rëndë për gënjeshtrën se për aktin. Por në “Shqipërinë që duam” të zotit Rama me shokë, demagogjia dhe gënjeshtra janë vetë kuptimi i politikës.

Do të kishte qenë më burrërore nga ana e tij të thoshte: “Fatmir Xhafaj ka bërë dhe do të vijojë të bëjë karrierë në Partinë Socialiste në bazë të kontributit dhe integritetit, pa e lidhur këtë me atë që ka bërë apo i ka ndodhur vëllait të tij”. Ky po që do të kishte qenë një qëndrim që do të ndante për mirë opinionin publik dhe do të shërbente për mirë debatin se deri ku e ndikojnë të afërmit karrierën dhe promocionin e një drejtuesi apo figure publike në shoqërinë e hapur. Por politika jonë fluturon gjithnjë në ultësirat e neo-enverizmit apo të anarkizmit dhe banalitetit kur flitet për këto tema. Fatmir Xhafaj ka përdorur një gjuhë tjetër, asnjëherë krejt qartë, po as duke e fshehur historinë e të vëllait.

Mendoj se nuk mund të fliste ndryshe. Vetëm në romanet skematike të realizmit socialist mund t’i kërkohet vëllait t’ia numërojë publikisht vëllait. Por ndërsa nuk mund të fliste ndryshe, sipas meje, Fatmir Xhafaj mund të vepronte ndryshe. Duke e ditur si askush tjetër të vërtetën e dënimit të vëllait, ky politikan nuk duhej ta pranonte detyrën e ministrit të Brendshëm pa zgjidhur më parë çështjen e pazgjidhur të vëllait të dënuar. Për karrierën që ka bërë në PS mund të shkonte në një ministri tjetër, por jo në atë të Punëve të Brendshme.

Emërimi në një detyrë aq të lartë që ka si prioritet luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike është edhe një mesazh i përditshëm për inkurajimin e trupës policore, për dekurajimin e malavitës, për angazhimin e publikut në këtë betejë. Duke qenë në gjendjen e një konflikti interesi, Fatmir Xhafaj do të përballej pashmangshëm me pengesat dhe kufizimet e brendshme të këtij konflikti. Kjo është njëra anë. Ana tjetër është opozita që e ka detyrë denoncimin e shkeljeve, anomalive, skandaleve, e tjerë. Nuk e kuptoj si ka menduar se e vërteta nuk do të merrej vesh?

Zakoni në politikën pa rregulla dhe skrupuj është që me farën e vogël të së vërtetës të rrisin pemën e gënjeshtrës. Po kur pema është e vërtetë? Në raste të tilla është mirë që e vërteta të mos presë të nxirret nga strofulla me zor, por të paraprijë. Edhe Xhafaj ka gënjyer në mënyrën e tij. Marrja e detyrës apo qëndrimi në detyrë, tani që e vërteta po del në dritë, nuk lidhet me “më tha a nuk më tha Kryeministri”. Kryeministri këtë do të thoshte: Rri. Vetëm naivët mund të kenë pritur që ai t’i kërkonte dorëheqjen ministrit të Brendshëm brenda afatit që i vuri kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Veç të tjerash, kjo do të ishte një sarkazëm politike.

Sepse Xhafaj ka punuar e punon më mirë se Rama në detyrat që i janë ngarkuar. Dorëheqja pra është një çështje e standardit etik vetjak të politikanit, e ndërgjegjes së tij, e forcës së brendshme për ta kryer detyrën. E vërteta e tretë, është dalja dje nga anonimati i atij, që në video-përgjimin e publikuar nga PD njihej si “Bashkëpunëtori X”. Tani ai ka një emër dhe një mbiemër, Albert Veliu, ka zë dhe figurë, ka një histori të tijën që nuk dallon shumë nga mjaft histori të ngjashme personash, që janë marrë me trafiqe në periudha të ndryshme të jetës së tyre, por kanë përfunduar keq. Identifikimi i Albertit rrëzon shpalljen e bujshme të Kryeministrit Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së se një ekspertizë urgjente e një laboratori të shquar në një vend të Europës, kishte konkluduar se video-përgjimi ishte i rremë, montazh me aktorë i Partisë Demokratike, e tjerë. Edhe pa këtë fakt, shpallja e Ramës kishte shumë të çara që janë vënë në dukje dje nga disa kolegë të medias.

Pa dashur të përsëris dyshimet e drejta të Fatos Lubonjës dhe Besnik Mustafaj – ku u gjend kaq shpejt dhe si konkludoi kaq rrufeshëm ky laborator pa adresë dhe pa emër? – dua të shtoj se Rama mund të porosiste një ekspertizë për nevojat e tij, për të pasur vetë një ide, por në asnjë mënyrë nuk mund të jepte duke turfulluar si një udhëheqës partie në një shtet një- partiak konkluzione dhe verdikte të instancës së fundit. Kjo është t’u marrësh radhën dhe kompetencat institucioneve, të kërkosh t’i imponohesh Prokurorisë, të dhunosh ndarjen demokratike të pushteteve, të duash të bësh drejtësi nga karrigia e kryetari të partisë dhe Kryeministrit, çfarë nuk pranohet në shtetin e së drejtës. Po ky është Rama. Nuk e zbuluam dje. Por dalja hapur e personazhit të videos e nxori zbuluar fare blofin e tij.

ÇFARË DO TË MËSOJMË

Beteja vazhdon. Por ajo nuk mund të vazhdojë vetëm si një regbi, shtyj njëra palë e shtyj pala tjetër. Tani duhet të flasin institucionet e pavarura. Prokuroria duhet të flasë sa më shpejt të jetë e mundur për autenticitetin e video-përgjimit. Personalisht mendoj se nuk duhet t’u japim legjitimitet si mjete të luftës politike përgjimeve anonime që në një perspektivë mund të krijojë me shumë dëme se dobi, por këtu jemi tani, s’duhet të nisemi nga shija e keqe për të ndaluar një hetim të domosdoshëm. E mira është që siç është vepruar disa herë në të kaluarën, ekspertiza të bëhet jashtë Shqipërisë nga shërbimet e vendeve partnere. Besoj se nuk do të ketë vështirësi për të konfirmuar personazhet e bisedës tani që u vetëzbulua bashkëbiseduesi i Agron Xhafajt.

Debati do të zhvendoset në përmbajtjen e bisedës. Albert Velia e pohonte vetë në rrëfimin e tij se i ishte drejtuar Agronit, për ta provokuar e për të marrë hak. Kjo nënkupton se ai e ka ditur se biseda do të zbardhet e publikohet, ndryshe si do të merrte hak? Janë gjëra që ndodhin, punët e pista rrallëherë zbulohen me duar të pastra, kështu që të rrinë të qetë edhe ata që i kërkojnë bashkëpunëtorët e drejtësisë apo të opozitës me kostume, me kollare, me lekë në xhep! Por nga ana tjetër, hapësira për spekulime në këto forma të luftës politike ka plot.

Beteja për të vërtetën e qëruar nuk ka për të qenë e lehtë. Prokuroria i ka mjetet dhe mundësitë për ta nxjerrë në breg nëpërmjet një hetimi profesional që injoron vogëlsitë, detajet, intrigat që nuk janë subjekt i hetimit penal. E njëjta gjë për amendamentin në Kodin e Procedurës Penale, për të cilin opozita akuzon ministrin Xhafaj se e ka filtruar për të pamundësuar ekstradimin e të vëllait. Tani që Agron Xhafaj është dorëzuar në një akt romanesk për të kryer dënimin që ka marrë para shumë vjetësh, debati për amendamentin e ka humbur rëndësinë.

Tani që nuk mbron më vëllanë e ministrit, ai amendament mund t’u shërbejë për mirë dhjetëra e qindra shqiptarëve, që janë dënuar në Europë në mungesë, me nxitim, me ashpërsi dhe deri me pashpirtësi në një psikozë shqiptaro-fobie nganjëherë. Por prapëseprapë, të vërtetës i duhet shkuar deri në fund. Mund të bëhet e duhet të bëhet ajo që ka propozuar LSI: të ngrihet një komision hetimor i shpejtë për të hetuar ç’ka ndodhur. Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka njoftuar se po i shqyrton pretendimet e opozitës kundër ministrit Xhafaj.

Ajo do të jepte një ndihmë të vyer për ketë sqarim. SHBA-të e kanë mbështetur e vlerësuar me nota të mira punën e Fatmir Xhafajt. Në këtë kontekst, është e natyrshme t’u vijë keq për këto që shohin e dëgjojnë. Heshtja e ambasadës ndërsa ditët kalojnë, tregon se mund të jenë befasuar që vëllai i ministrit të Brendshëm ishte dënuar për trafik droge dhe qëndronte i lirë. SHBAtë që ngulmojnë për arrestimin e trafikantëve që s’kanë marrë ende një dënim nga një gjykatë, s’mund të mos çuditen me këtë fakt. Pavarësisht respektit për ministrin. Por nuk përjashtohet mundësia që SHBA-ja dhe ambasada e saj janë duke e parë pa shumë interes këtë regbi politike të radhës, ndërsa presin e punojnë për krijimin sa më shpejt të jetë e mundur të institucioneve të drejtësisë së re, të SPAKU-t, Byrosë Kombëtare të Hetimit e tjerë.

Në fakt, pritshmëria e shumicës dërmuese të qytetarëve shqiptarë e ka shpresën te drejtësia e re me bashkautorësi amerikane dhe europiane. Por sërish e sërish këtu del një problem, që u shpalos duhishëm edhe pardje në fjalën e Kryeministrit Rama para deputetëve të partisë së tij. Është një drejtues i lartë politik, që jo vetëm e di se nuk do të jetë vetë në asnjë lloj forme subjekt i kësaj reforme, por di edhe se cilët do të jenë: gjithë kundërshtarët e tij. Ky person që di kaq shumë, është Kryeministri Edi Rama. Retorika e tij e padit si të njëanshme këtë reformë dhe provokon dashje pa dashje reagime të tipit “dy duar për një kokë”.

Një opozitë që urren qeverinë është në teprim, por një kryeministër që urren opozitën dhe ndërsen drejtësinë pa filluar akoma është në flagrancën e të qenit jashtë sistemit demokratik. Reforma do të godasë krimin në sferat e larta kudo ku të jetë, majtas, djathtas, në qeveri, në opozitë, kudo. Dikush duhet t’i kujtojë Edi Ramës se drejtësia e re as i paracakton, as i seleksionon ata që do të kalojnë në gjykimin e saj. /Panorama