.

Shkodër, sekuestrohet hoteli dhe trualli me sipërfaqe 15.500 metra

‘’Forca e ligjit” finalizon një tjetër rast sekuestro preventive të pasurive të paluajtshme që dyshohen nga veprimtaria kriminale. Një hotel me sipërfaqe tokë rreth 15.500m2 është sekuestruar nga Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Task Forcën Qendore Speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Materialet janë referuar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, e cila ka filluar procedimin penal nr. 109/2018, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, dhe në vijim të hetimeve intensive të këtij procedimi, është finalizuar operacioni me vendosjen e sekuestros preventive të pasurive të paluajtshme, të dyshuara nga veprimtaria kriminale.
Kjo sekuestro u bë në zbatim të vendimit nr.575, datë 11.05.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, mbi pasuritë e paluajtshme të ndodhura në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe, fillimisht në pronësi të shtetasit N.P., 29 vjeç, me banim në fshatin Hot të Bashkisë Malësi e Madhe dhe më pas kaluar në pronësi, lidhjeve të ngushta të familjarëve të tij, konkretisht:
– Bar, Restorant, Hotel, lavazh dhe Tabaco shop, me sipërfaqe trualli 600 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 450 m2.
– Pemëtore dhe tokë bujqësore me sipërfaqe të përgjithshme 15.500 m2.
Nga hetimet ka rezultuar se kjo pasuri është e vendosur nga të ardhurat e përfituara nga veprimtaria kriminale, pasi shtetasi N.P. është përson me precedent kriminal si dhe në Dhjetor 2017 është arrestuar nga autoritetet malazeze si kreu i një organizate kriminale që vepronte në Mal të Zi dhe Shqipëri, që merrej me trafikimin dhe shitjen e lëndës narkotike.


Kjo organizatë kriminale dyshohet se ka vepruar për një periudhë të gjatë kohore dhe veçanërisht aktive ka qenë që nga 01.01.2016, në trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike në nivel ndërkombëtar.
Ky shtetas akuzohet për veprat penale të “Krijimit të organizatës kriminale” si dhe “Trafikut ndërkombëtar të narkotikëve” dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Gjatë ekzekutimit të këtij vendimi Gjykate morën pjesë gjithashtu edhe përfaqësues nga ZVRPP Malësi e Madhe, Drejtoria e Hetimit Tatimor Rajoni Verior si dhe përfaqësuesit e AAPSK (Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara), këto të fundit pas vendosjes së sekuestros preventive morën në administrim të gjithë pasuritë e mësipërme.