.

Macron i pret hovin Ballkanit/ “Dush të ftohtë” shpresave për negociatat, ja ç’tha në Samitin e Sofjes

Presidenti francez Emmanuel Macron mesa duket i thyen në mes shpresat, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Deri në takimin me kryeministrin Edi Rama u fol se ai i dha një gjysmë “Po” Shqipërisë për hapjen e negociatave.

Por pas kësaj nga samiti i Sofjes sipas mediave të huaja ai është shprehur se është në favor të ecjes së Ballkanit drejt Europës, por mendon se zgjerimi duhet parë me shumë kujdes dhe ashpërsi.

“Unë jam në favor të ankorimit të Ballkanit në Evropë dhe të ecjes drejt Evropës. Por unë mendoj se ne duhet të shohim çdo zgjerim të ri me shumë kujdes dhe ashpërsi. Nuk jam në favor të lëvizjes drejt zgjerimit para se të kem të gjitha sigurinë e nevojshme dhe para se të bëj një reformë reale për të lejuar një thellim dhe funksionim më të mirë të Bashkimit Evropian”, ka thënë Macron nga Samiti i Sofjes.

Ndërsa më tej ai është shpehur se sa herë që kanë menduar ta zgjerojnë atë Europa është dobësuar.

“Ajo që kemi parë gjatë 15 viteve të fundit është një rrugë që ka dobësuar Europën sa herë që mendojmë ta zgjerojmë atë. Dhe unë nuk mendoj që ne bëjmë një shërbim për vendet kandidate apo veten tonë duke pasur një mekanizëm që në njëfarë mënyre nuk ka më rregulla dhe vazhdon të lëvizë drejt zgjerimit më të madh “, tha Macron për gazetarët në samitin e kryeqytetit bullgar Sofia.