.

Negociatat, Rama për “Euronews”: Çështje “jetë a vdekje”, duhet të hapen në qershor

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për “Euronews” ka deklaruar se 2025 është një horizont ku të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mund të jenë gati për në BE nëse punojnë. Rama ka deklaruar se nuk kanë nevojë për një datë konkrete për anëtarësim, por thotë se ka nëvojë për hapjen e negociatave në muajin qeshor.
“Nuk kemi nevojë për një datë për të inkurajuar popullin tonë, ne duhet të hapim negociatat në qershor, kjo është e gjitha, dhe ne nuk duam asgjë tjetër, vetëm për të hapur negociatat dhe për Evropën nuk kushton asgjë. Për ne kjo është çështje jete a vdekje, në kuptimin që hapja e negociatave do të thotë se ne po shikojmë drejt së ardhmes dhe kemi lënë pas të shkuarën,” tha Rama.
Kryeministri u shpreh gjithashtu se është kundër krijimit të “Shqipërisë së Madhe”. “Unë gjithmonë kam thënë se kam një ëndërr që në të bashkohemi nën një qiell të Bashkimit Evropian dhe kurrë nuk kam ëndërruar për një ‘Shqipëri të Madhe’ sepse kam ëndrra të mëdha, për një ‘Evropë të Madhe’, me të gjithë shqiptarët brenda,” tha më tej ai.
Rama tha se shqiptarët në Ballkan kurrë nuk kanë qenë në pozitë më të mirë se sot. “Në Kushtetutën tonë, ne kemi detyrimin për të mbrojtur shqiptarët jashtë vendit kudo, por në të njëjtën kohë mendoj se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë se sot, kudo që jetojnë. Pra, në Kosovë, ata kanë shtetin e tyre tani. Në Maqedoni, ata janë pjesë e një revolucioni të vërtetë në drejtim të ndryshimit të qasjes ndaj gjuhës shqipe dhe ndaj popullit shqiptar. Në jug të Serbisë, shpresoj se kushtet e tyre do të përmirësohen, duke u bazuar edhe në faktin se serbët në Kosovë trajtohen shumë më mire,” vijoi kryeministri.