.

Xhafaj-Tahiri, fati i ngjashëm i dy ministrave të Ramës

 

Kur Saimir Tahiri, nisi të ngjisë shkallët e Partisë socialiste  vjeshtën e vitit 2005, nuk kishte menduar ndoshta se do të kishte një karrierë kaq dinamike në PS dhe qeverinë e saj. Ishte vetëm 26 vjeç kur u emërua  zëdhënës i Edi Ramës, i sapo ardhur në krye të Partisë Socialiste. Atje kishte me shumicë deputetë e drejtues me karrirerë të spikatur në PS dhe qeverisjet e mëparshme, ndër ta edhe Fatmir Xhafaj.  Ky i fundit, ishte i njohur si njeriu i afërt, dikur i Fatos Nanos, e më pas po kaq i afërt për Edi Ramën që po priste të ulej në karrigen  e kryetarit të PS-së, e lënë bosh nga Nano shtatorin e vitit 2005. Me Ramën kryetar, shpejt do të niste reformimi ku do të afroheshin shumë të rinj, ndër ta edhe Saimir Tahiri, deri atëherë krejt i panjohur. Kishte qënë më herët, një ndër “çunat”  që i shërbenin Ramës në bashki. Përmes amullisë së zhvillimeve brenda PS-së në opozitë, Rama do ta gjente shtegun për ti ngjitur çunat e tij në krye të grupit parlamentar të PS-së. Në zgjedhjet e vitit 2009, Saimir Tahiri do ta shihte veten deputet në kuvendin e Shqipërisë, për tu bërë shumë shpejt një ndër më aktivët në grupin parlamentar të PS-së.

Tetë vite në opozitë, të rinjtë si Saimir Tahiri dhe të hershmit si Fatmir Xhafa, bashkëjetuan nën çadën e Edi Ramës përmes luftës së brendshme. Dhe vjen  qershori i vitit 2013,  fitorja e PS dhe qeveria Rama ku nuk kishte asnjë përfaqësues të grupit të hershëm të PS-së, as Fatmir Xhafa, ndërsa  Saimir Tahiri, u emërua ministër i Brendshëm. U duk si një betejë e humbur për Xhafën dhe të ngjashmit e tij.

Nuk ishte kriter as mosha biologjike as mosha në politikë sepse  20 vjet më i ri dhe po kaq më i vonshëm në karrierë politike, Saimir Tahirin nuk do ta pengonte asgjë për tu bërë ministri më i rëndësishëm i qeverisë Rama, ndërsa Fatmir Xhafaj, që kishte investuar kaq shumë në PS, prej themeilimit, mbeti veçse deputet, më së shumti kryetar i komisionit të ligjeve. Ashtu mbetën edhe të tjerë, si Pandeli Majko, Namik Dokle, Gamoz Ruci, Valentina Leskaj, Arta Dade, Ben Blushi..etj.

Por Fatmir Xhafaj, nuk ishte si të tjerë. Herë i tërhequr e herë aktiv, ai qëndroi gjithnjë në pritje për kohën e tij. Fatmir Xhafaj, do ta zinte shpejt vendin  e Saimir Tahirit në ministrinë e brendshme. Pas akuzash të shumta për kanabizimin e  Shqipërisë, pranverën e e vitit 2017, pak muaj para zgjedhjeve, Tahiri u shkarkua nga detyra dhe në vënd të tij erdhi Xhafa. Me pak shkëputje për shkak të bashkëqeverisjes me PD, Xhafaj do të rikthehej në këtë post në shtator të 2017 për ta drejtuar ndryshe këtë ministri, larg kanabisit e trafiqeve, imazh që ishte krijuar nga akuzat për paraardhësin e  tij, Saimir Tahiri.

Sot Saimir Tahiri është nën “arrest shtëpie” i akuzuar për pjesëmarrje në grupin e  Habilaj-ve, tafikantë droge në Vlorë. Vëllezërit Habilaj janë kushërinj të ish-ministrit Tahiri.

Por ndoshta fat të ngjashëm duket se mund të ketë edhe Fatmir Xhafaj. Sot Partia Demokratike ka publikuar një audio që sipas PD-së, e implikon vëllain e tij Agron Xhafaj, në një grup trafikantësh të drogës, me qëndër në Vlorë.

 

Gara e dy brezave politike në PS për ministrinë e brendëshme, duket se do të rezultojë pa fitues. Dy ministra në dualitet të përhershëm mes tyre por me të njëtin fat, të akuzuar për implikime në grupe kriminale të trafikut të drogës, në të njëjtin vënd, në Vlorë.