.

Si gabuan mendimtarët tanë?

ARTAN FUGA
Migjeni deshi t’ia fuste me grusht malit që s’bë- zajte, por sigurisht, më shumë ishte një mllef sesa kishte një platformë mendore sesi mund ta gjente Shqipëria dhe shqiptarët rrugën për t’u bërë dinjitozë. Prisnin shqiptarët nga Fan Noli, erudit, vjershën anës detit të palarë, por vështirë se arritën të kuptonin se çfarë donte të bënte ai me Shqipërinë. Reformë agrare dhe pastaj? Sami Frashëri, dijetar, rreket në utopi për të mirën e Shqipërisë dhe shkruan Shqipëria çfarë ka qenë, ç’është dhe çfarë do të bëhet?
Se çfarë ishte më parë, as ai, as ne nuk e dimë me siguri, se çfarë ishte në kohën e tij mbase ai e dinte, kurse ne nuk e dimë, se çfarë do të bëhej ai nuk e dinte, kurse ne e dimë dhe e kemi mbi supe për natë. Larg së qeni ajo që ai mendonte. Pa lidhje fare. Nacionalistë shqiptarë në vitet ’40 e mendonin të ardhmen e Shqipërisë si të mbrojtur nga fuqia e ashtuquajtur ariane, që do të ngrihej mbi sllavët, duke iu kundërvënë Europës latine dhe anglosaksone.
Kurse komunistët e gjenin fatin e shqiptarëve te sllavët. Pak më parë, Branko Merxhani, kartezian, aty në vitet ’30, ndikuar nga ogystkontizmi, shpresonte se Shqipërinë do ta merrnin në dorë intelektualët dhe përfaqësuesit e kulturës. Huq edhe ai, pavarësisht shpresave të mira. Politikani i zakonshëm shqiptar sot ka nivel kulturor më të ulët sesa mesatarja e shqiptarit të mesëm.
U rrejtën në ëndrra të kota komunistët internacionalistë, që kërkonin të ardhmen te një komunizëm i ndritur, apo me një model sovjetik, sikurse hrushovianët, që ëndërronin thjesht për një stalinizëm të liberalizuar. Kot të flasësh për liberalë sepse edhe sikur të kishte të vërtetë dhe jo karagjozë rrugësh, tregu në Shqipëri as duket e as ka sy për qabe. Kush flet për socializmin triumfues, mjafton t’i kujtojmë ku përfundoi ai pas katër dekadash në tallonat e mishit të grirë me kushedi çfarë origjine.
Nga ëndrrat për bashkim kombëtar, nuk dihet se cila ende shihet si një ideal me sy zgjuar. Askush nuk e përmend më. As këtej dhe as andej Kukësit, kurse Kukësi qëndron në mes si dopio gjashta e historisë, që na ka mbetur në dorë. Bashkimi kombëtar ka përfunduar në një histori pushimesh plazhi dhe në luftë të patates! Ku janë utopitë e viteve ’90 për Shqipërinë si Zvicra, për qytetarin e pasur, me pronë, në mirëqenie, me një drejtësi të pavarur dhe të drejtë, të ditur dhe të hapur ndaj botës?
Pse kemi gabuar në parashikimin e historisë sonë të ardhme? Pse kemi ikur në drejtime të tjera nga ato që kemi menduar? Na ka lënë arsyeja apo na ka tradhtuar historia? Përse kemi mbetur në bisht të historisë, në vagonin e fundit të popujve të tjerë? Pse heronjtë tanë, përjetësuar në monumente apo rrëzuar nga piedestalet, kanë gabuar në parashikimet e tyre, ndërsa kanë qenë të ushqyer me shpresa të mëdha? Kanë gabuar të gjithë. A thua një demon u ka pëshpëritur në vesh formulën e gabuar. A thua diçka i ka penguar të mendojnë me realizëm dhe saktë.
Çfarë ka ndodhur? Ka ardhur koha të gjendet gabimi, ndryshe nuk dihet se ku do të përfundojmë. Çfarë është kjo Shqipëri që sot na ka mbetur në kurriz për ta bartur në rrugëtimin tonë drejt nuk dihet se kujt aventure dhe të papriturash, që nuk kemi ende idenë se çfarë do të na rezervojnë fshehur pas ferrave të historisë?