.

Pse përdori Saimir Tahiri një fjalor vulgar rruge, ekspertët japin shpjegimet e tyre /VIDEO

 

Kemi qenë gjithë sy e veshë dje, teksa Saimir Tahiri jepte deklaratën e tij për shtyp, një ligjëratë e gjatë, por që kishte brenda saj një vendim të rëndësishëm; Tahiri vendosi të dorëzojë mandatin e deputetit. Ndërkohë që janë bërë analiza pa fund brenda këtyre 24 orëve të fjalimit të tij, ia vlen të ndalemi tek një fenomen i cili nuk ishte risi në fakt për Tahirin.

E kemi fjalën për gjuhën vulgare që ai përdori gjatë fjalës së tij në zyrat e Kuvendit. Tahiri edhe pse është i ri në moshë, në fakt ka karrierë në Partinë Socialiste, si deputet dhe si ministër. Pra ka një eksperiencë të mirë me të folurën në publik. Madje duhet thënë se gjithë këto vite, ai ka qenë një nga eksponentët e Partisë Socialiste, me artikulim shumë të mirë, të një djali të shkolluar dhe me aftësi të mira komunikative. Por çfarë ndodhi? Papritur Tahiri filloi të shthurë gojën me fjalor rruge, ndryshe nga etika që kishte përdorur më parë. Ky fakt tregon se kjo ka qenë një zgjedhje e tij ose një strategji e mirëmenduar dhe jo padituri.

Hera e parë që përdori një fjalor banal, (por që nuk ishte hera e parë që dëgjohej nga ne si batutë), ishte ajo e rreth dy javëve më parë ku Tahiri përdori një shprehje të vjetër të Edi Ramës kur kishte qene Kryetar i Bashkisë Tiranë. “Nuk ka bir nëne dhe bir ku…ve që të më akuzojë mua”. Pra ai përdori të gjithë vemendjen e medias e cila në ato momente e priste para Parlamentit, që të thoshtë një batutë të tillë aspak etike për politikën dhe për ekranet ku do të transmetohej.

Por gjuha banale mesa duket u bë strategjia e Tahirit. Në fjalimin e tij dje në zyrat e Kuvendit, ai e shtoi dozën e fjalorit banal, duke e pasuruar me fjalë si; pa..im, by..ë, etj.

Ndërkohë mbrëmë tek programi i Ylli Rakipit, ai iu drejtua analistit Andi Bushati me fjalët: “Përtonte by..a jote”, fjalë që e përdori më shumë se një herë, në një emisonin politik të një televizoni kombëtar.

Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se cila ka qenë arsyeja që Tahiri zgjodhi këtë mënyrë komunikimi publik. Nëse i referohemi artikujve apo librave që psikologë apo ekspertë të gjuhës kanë shkruar mbi këto tema, del që arsyet janë disa.

Një nga arsyet thonë ata, është niveli i ulët i shkollimit, por në rastin e Tahirit kjo bie poshtë, sepse shkollimi nuk i mungon.

Psikologë të tjerë thonë se shpesh në publik, gjuha banale përdoret si një mënyrë për tu kuptuar më mirë nga populli. Madje shkojnë deri aty sa mbrojnë tezën që kjo gjuhë është e kundërta e hipokrizisë. Kur personalitete të ndryshme edhe në botë, e kanë përdorur këtë gjuhë, ata janë kryqëzuar duke e cilësuar gjuhën vulgare, si një dhunë verbale. Ndërkohë përdoruesit e saj kanë mbrojtur tezën se e vetmja dhunë është mashtrimi. Pra për ata që mendojnë se kanë monopolin e të vërtetës, rëndësi ka mesazhi, thelbi, jo forma.

Psikologë të tjerë mbrojnë tezën se përdorimi i gjuhës së rrugës, bëhet kur mungojnë argumentat e duhura për të bindur publikun dhe kërkojnë ta joshin e ta bëjnë për vete me këtë instrument.

Po ata hedhin edhe tezën tjetër, teksa pohojnë se përdorimi i gjuhës vulgare nga personalitete të jetës publike, tregon edhe një gjendje paniku nga ana e tyre.

Ekspertë të gjuhës nga ana tjetër, po vënë kujën për faktin se si po degradon e folura e të rinjve për shkak të rrjeteve sociale, për faktin që lexojnë pak, por edhe për faj të politikës e cila po përdor gjithnjë e më shumë një gjuhë dhune dhe shumë vulgare.

Një nga personazhet e famshëm në Itali i cili përdor fjalor vulgar, është Vittorio Sgarbi. E kanë kritikuar shumë herë për këtë fakt, por e vërteta është se televizionet vazhdojnë ta ftojnë pa fund. Dhe justifikimi i tyre është se Sgarbi bën audiencë. Mbase edhe Tahiri e ka bërë per të njëjtën arsye! I duhej vemendje dhe përkrahje, edhe nga njerëzit e thjeshtë, pse jo, të cilët mund të jenë përdorues të këtij zhargoni!

Për fat të keq, problem nuk është vetëm Tahiri. Banaliteti dhe vulgariteti është shndërruar në predikat të retorikës dhe gëlon deri në neveri në seancat e Kuvendit të Shqipërisë, tek çdo forcë politike. Gjuha (jo) parlamentare i ngjan shpesh një lëtyre që u vishet fjalimeve e diskurit politik dhe që na shpie të gjithëve në një qerthull marrie.

Ka një shprehje të filozofit Ernest Cassier, i cili teksa ka studiuar sjelljen e politikanëve, i ka ndarë në dy kategori: “Kafshë politike” dhe “Kafshë simbolike”. Mesa duket politikanët tanë, përfshi edhe Saimirin, kanë zgjedhur të jenë kjo e dyta. Padyshim një gjuhë shumë e dëmshme dhe një ndotje akustike e frikshme, me pasoja për shoqërinë./hapur.al

@hapur.al