.

VIDEO/Eni Vasili intervistë me Mustafa Nanon: Pse Berisha është më komod në intervistë se Rama, momentet më të vështira me ta!

Gazetarja dhe moderatorja e programit “Studio e hapur”, Eni Vasili ishte e ftuar në intervistë përballë gazetarit Mustafa Nano, në emisionin e tij “Provokacia”. Ndërkohë që u fol për karrierën në gazetari të Eni Vasilit, padyshim që kurioziteti i Nanos ishte se ccfarë ndodh kur intervistohen liderët e rëndësishëm politik të vendit. Cilat janë vështirësitë, si është Rama në intervistë, po Berisha etj. Më poshtë ndiqini bisedën mes Vasilit dhe Nanos

Mustafa Nano: Eni Vasili është një nga ato personazhe e cila e manifeston me pamjen e saj se është e kënaqur që punon në televizon.

Eni Vasili: Jo thjesht për faktin që punoj në televizon, por për faktin që punoj gazetare. Ky ka qenë një vokacion i brendshëm  i imi që fëmijë dhe nuk e di nga më ka ardhur. Kur më pyesnin prindërit apo të afërmit se çfarë do bëhesh kur të rritesh, unë iu përgjigjesha që do bëhem gazetare.

Nano: Gazetare në kuptimin klasik të fjalës ke punuar?

Vasili: Po sigurisht, unë e kam filluar këtë punë në vitin 1997 në TVSH dhe kam punuar reportere në terren. E kam bërë me vite këtë, dhe është një nga gjërat më të bukura që ka gazetaria. Kam një arkivë shumë të pasur në TVSH me kronikat e mia. T’ju tregoj një rast, kam kaluar një natë mbi Adriatik për të parë se si Guardia Di Finanza gjëmonte gomonet shqiptare, një nga eksperiencat më të jashtëzakonshme dhe të tmerrshme njëkohësisht, por edhe e bukur padyshim. Kam qenë në Kukës, Në Morinë ndërkohë që hynë trupat gjermane, gjithmonë si reportere.

Nano: Kur thashë që Eni Vasili është e lumtur që e bën këtë punë, e kisha fjalën për këtë punë që bën sot, pra kur ke kameran përballë. Të pëlqen më shumë gazetaria e terrenit, apo kjo që bën tani?

Vasili: Të dyja janë shumë të bukura, edhe në terren gazetare televizioni isha, pra edhe aty nuk mungonte kamera. Por mendoj se nuk do arrija ta bëja mirë punën time në emision nëse nuk do kisha bërë më parë gazetaren e terrenit. E kompleton gazetarin përballja me terrenit, përballja me vështirësinë që të jep gjetja e të vërtetës në terren.

Nano: Rudina Xhunga më ka pohuar se nëse je femrër duhet të lodhesh dy tre herë më shumë se një mashkull, për të arritur të njëjtat objektiva. Të rezulton edhe ty kështu?

Vasili: Po sigurisht. Pse ty nuk të rezulton?

Nano: Nuk e di, sepse nuk kam hyrë ndonjëherë në rolin tuaj.

Vasili: Ti Muçi je një maskilist tipik dhe a di përse? Kam qenë një herë e ftuar në emisionin tënd dhe sapo kisha botuar librin tim me parathënie të Ismail Kadaresë dhe po bisedonim në studio e ftuar prej teje. Ti nuk e mban mend këtë por unë e kam memorizuar. Dhe ti më the: “Si ka mudnësi që ti ke marrë parathënien e Kadaresë. Ta ka dhënë ty si femër?” Shiko çfarë arrite të thuash ti! Mustafa Nano, një mendje e hapur dhe e lexuar, ja pra që maskilizmi yt nxorri kokë menjëherë.

Nano: Unë nuk e mbaj mend këtë moment, por nëse e kam thënë, është sepse shpreha çudi pasi Kadare nuk lëshon kaq kollaj parathënie. Pra nuk e thashë si maskilist por duke njohur natyrën e tij.

Vasili: Ai ka bërë edhe parathënie të tjera, por në rastin e librit “Unë kam vrarë”, bëhet fjalë për një kauzë të iniciuar prej tij, mos harroni sa shumë loboi ai dhe figura të tjera, për çëshjetn e faljes së Nazmie Vishës, nga Presidenti.

Nano: Pse janë kaq të rëndësishëm politikanët, pse duhet t’i kesh se s’bën në studio? Pse e bëni këtë garë kush ti ketë i pari?

Vasili: Është e vërtetë që ka një garë për të patur në studio tona politikanin më të rëdësishëm dhe kjo ndodh për shkak të audiencës që politikanët kanë sot tek publiku, sidomos liderët. Së dyti, ne i kërkojmë këta personazhe sidomos kur ka kontekste të caktuara politike dhe ka kuriozitet. Kështu që kjo garë do jetë patjetër.

Nano: Si gazetar dhe qytetar mendoj se ata thirren edhe kur kanë për të thënë diçka edhe kur nuk kanë. Unë mendoj se ky është më shumë një fiksim i joni fakti se ata ndiqen, se sa mund të jetë diçka reale. Ti e ke bindje apo ke matje për këtë punë?

Vasili: Unë nuk besoj shumë tek këto matjet, por një lloj trendi e tregojnë gjithsesi. Dhe matjet tregojnë se liderët ndiqen, ndërkohë debatet mes deputetëve sikur janë një modë tashmë e tejkaluar. Audienca është më shumë e prirur që të dëgjojë analizën e politikës, përkthimin e një lajmi politk apo të një teze politike se sat a kthesh studion në një zgjatim të debatit parlamentar.

Nano: Ti i mëshon fort pretendimit që je e papanshme, ndërkohë unë se kam problem fare të them që jam i njënashëm. Kam një pyetje, ti a voton?

Vasili: Jo unë nuk votoj por ky nuk është një shembull për tu ndjekur. Thjesht kam gjetur një mënyrë për të refuzuar politikën që bëhet sot tek ne.

Nano: Ke patur intervista të vështira me Edi Ramën kohët e fundit…

Vasili: Gjithmonë janë të vështira.

Nano: Ma shpjego pak

Vasili: Ja e shikon, se gjithmonë kur flet për Edi Ramën, është interesante, njerezit duan ta dëgjojnë.

Nano: Unë vetë me Edi Ramën nuk kam bërë ndonjë intervistë të fortë sepse nuk është robi i duhur që më inspiron. Por e kam vënë re që të tjerët nëse duan të bëjnë një intervistë të fortë me Edi Ramën e bëjnë, sepse mund ta pyesësh për çdo gjë. Mund ta pyesësh për Olsi Ramën, mund ta pyesësh për të birin, edhe për gruan, gjë që nuk ndodh fjala vjen me Berishën. Ti mund ta pyesësh për shembull Berishën për Shkëlzenin apo për Argitën?

Vasili: Po, unë e kam pyetur, madje po të tregoj se cili ka qenë momenti më i vështirë në një intevistë me Berishën. Jo për familjarët, por në atë kohë sa ishte botuar intervista e parë me Izet Haxhinë e Mira Kazhanit. Mediat nuk e kishin botuar këtë intervistë, përveç medias për të cilën punonte Mira. Ai akuzonte në atë kohë se Berisha kishte nxjerrë Azem Hajdarin në pritë. Rastis që shumë afër kohës kur u publikua intervista, unë kisha Berishën në studio dhe vendos ta pyes për këtë gjë. Madje bëj edhe një material të shkurtër ku renditeshin akuzat e Izet Haxhisë. E transmetoj dhe e pyes Berishën se sa të vërteta janë, a e keni nxjerrë ju në pritë Hajdarin etj. Sali Berisha është ku e ku më komod në intervistë se Edi Rama dhe më pas edhe mund të ta shpjegoj pse. Por ai në atë moment, pati një gjuhë trupi që unë nuk kam se si ta tregoj me fjalë, e cila më impresionoi jashtëzakonisht. Ai ndryshoi totalisht pamjen e tij dhe më tha: “Ti po më pyet për një vrasës!”, sepse dihet që Izet Haxhia është dënuar për vrasje nga Gjykatata shqiptare. Nuk më tha ndonjë fjalë të rëndë, fyese apo arrogante, por më tha: “Dëgjo ti je duke futur në emsion dhe po më pyet me zërin e një vrasësi.” Ky ka qenë momenti më i vështirë i intervistës që kam patur me Sali Berishën. Nuk ka patur fare problem ta pyesja për Shkëlzenin apo Argitën dhe nuk ka patur asnjë reagim bezdisës nga ana e tij. Ai e gjen gjithmonë një mënyrë që të përgjigjet kur do apo kur nuk do. Nuk ka pyetje të vështira për Sali Berishën në studio. Nuk ka arrogancë në studio me të. Ndërkohë që Rama ta bën gjithmonë të vështirë intervistën. Me arrogancën e tij, me batutat, me gjuhën e trupit dhe jo vetëm, me faktin që mezi pret të të vërë në vështirësi apo të të gjejë në vështirësi. Ndërkohë nuk është e vështirë ta gjesh gabim një gazetar, psh të mos mbajë mend një datë apo ndonjë detaj. Dhe Rama mezi pret të ta gjëjë këtë moment.