.

Të vdesësh duke mbrojtur pronën, pse krimi ka marrë revansh dhe ku është fajtor shteti

Gruaja e tre vajzave dhe e një djali, Merita Buçi u përball mbrëmjen e djeshme me dy grabitës në dyqanin e saj. Ajo ishte me burrin dhe fëmijën e saj 6 vjeçar në momentin që dy persona me armë iu futën në dyqan. Burri i saj Agim Buçi u qëllua nga njëri prej grabitësit dhe për fat të keq nuk arriti t’i mbijetonte plagëve duke humbur jetën. Gjatë përleshjes edhe Merita Buçi u qëllua në këmbë teksa u përpoq të mbronte djalin e saj që të mos i ndodhte gjë. Familja Buçi jetonte prej kohësh në Kamëz, ku gruaja merrej me dyqanin.

Historitë e grabitjeve tashmë prej disa kohësh janë bërë të zakonshme. Vetëm po të kthehemi disa muaj pas në kohë, mund të gjejmë shumë histori të ngjashme ku për fat askush nuk ka humbur jetën si në rastin e të ndjerit Buçi, por ama janë plaçkitur dhe terrorizuar.

Më 4 mars të këtij viti, u vodh kasaforta e një biznesi në Korçë, ndërkohë që roja i objektit i pyetur nga policia, thotë se nuk ka parë e dëgjuar gjë. Fabrika e grabitur e bojrave është pronë e një 47 vjeçari dhe grabitja ka ndodhur gjatë natës.

Më 2 mars të këtij viti, gjatë natës, në autostradën Tiranë-Durrës është grabitur një kompani pllakash. Sipas informacioneve, persona të paidentifikuar, kanë marrë një shumë parash nga kasaforta e këtij biznesi.

Me 5 shkurt të këtij viti, në orët e para të mëngjesit të sotëm, persona ende të paidentifikuar kanë thyer xhamin e një dyqani të një kompanie private. Sipas policisë, prej aty u vodhën disa telefona celularë dhe sende të tjera me vlerë. Ngjarja ndodhi në rrugën “Qemal Stafa”, në Tiranë. Hajdutët u larguan me shpejtësi në drejtim të paditur.

Më 9 janar të këtij viti, ka ndodhur një vjedhje me dhunë  në një butik në “rrugën e Durrësit” në Tiranë, ku një person ka marrë një sasi lekesh dhe disa bizhuteri.

Në nëntor të vitit të kaluar, një supermarket është grabitur në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë. Sipas informacioneve policore, ora shënonte rreth 17.47 kur një person me kapuç e thikë, ka kanosur arkëtaren dhe i ka marrë kasën me një sasi lekësh. Më pas është larguar.

Këto janë vetëm disa nga rastet e grabitjes në njësi tregtare, aty ku njerëz të ndershëm, familjarë dhe taksapagues të këtij shteti, përballen të vetëm me krimin.

Krimi ka marrë revansh dhe arsyet janë disa:

Së pari, ka një bilanc aspak optimist të kapjes së autorëve të krimit dhe ky fakt i jep shumë zemër keqbërësve, sepse mungon ndëshkueshmëria.

Së dyti, në shumë raste bizneset e grabituara kanë pohuar se policia nuk ka arritur shumë shpejt në vendgjarje duke i lënë mundësi grabitësve që të bëjnë punën e tyre të qetë. Mungesë përgjegjshëmrie apo diçka e qëllimshme, kjo është diçka që nuk mund ta themi ne, sepse duhet të jenë organet përkase që duhet të bëjnë transparencë. Rreth tre vite më parë, kur u grabit një biznes i madh në Autostradë, pronari i Kompanisë deklaroi në media se policia erdhi 35 minuta pasi u lajmërua për grabitje.

Së treti, ka problem në legjislacion pasi ligji e nxjerr zbuluar personin e grabitur. Ai nuk ka mundësi të kundërpërgjigjet sepse ligji është i paqartë dhe mjaft i interpretueshëm, dhe ka patur raste kur tregtari i është kundërpërgjigjur me armë, por ka përfunduar në burg. Këtë fakt e dinë mirë kriminelët dhe e kanë të qartë se kur të shkojnë për të grabitur dhe vrarë, viktima nuk do t’i kundërpërgjigjet me të njëjtën monedhë.

Duke iu kthyer ngjarjes së Kamzës, Kryetari i opozitës Lulzim Basha i cili shkoi sot për ngushëllim tek familja e viktimës, nëse do të jetë në krah të biznesit, ka në dorë që të ndryshojë shumëçka që të mos ikin më jetë njerëzish të pafajshëm që janë në punën e tyre. Ai mund të ndërrmarrë nisma parlamentare, në mënyrë që bizneset të jenë të mbrojtur me një kuadër ligjor më të kompletuar.

Ndërkohë edhe policia e shtetit duhet të ndërtojë strategji të reja në mbrojtje të biznesit, sepse është ai që e mban me taksat e tij dhe këtë investim ai pikërisht në këto moemtne e kërkon që t’i kthehet mbrapsht. Shpresojmë që të ketë reflektim më të thellë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

@hapur.al