.

Skandali me tollonat/ Mashtrim 1.5 mln euro. Ja kush është menaxheri shqiptar i Gulf, i shpallur në kërkim (Foto+Emri)

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për kompaninë e naftës “Gulf”, pas skandalit me shitjen e tollonave dhe shpalljes së falimentit të saj. Në kërkim është shpallur Albano Aliko, që ka organizuar skemën e shitjes së naftës me tollona.

Prokuroria dyshon se menaxherët e “Gulf”-it, me vetëdije kanë shitur nëpërmjet tollonave shumë më tepër litra karburant nga sa ka pasur në gjendje kompania. Ndonëse karburanti është shitur me vlerë të reduktuar brenda pak ditëve, dyshohet se nga kjo skemë janë mbledhur mbi 1,5 milionë euro. Kompania “Gulf” u blinte prej disa kohësh furnizuesve të mëdhenj naftë me 1500 lekë litrin dhe shiste tollonë me 1200 deri në 1300 lekë litrin. Kjo vuri në lëvizje furnizuesit, të cilët nisën të kërkonin llogari, ndërkohë që detyrimi që “Gulf” kishte krijuar vetëm ndaj dy kompanive të njohura është 900 mijë dhe 700 mijë euro, gjithsej 1.6 milionë euro në total. Ndërsa dëmi që i krijoi klientëve, të cilëve u kanë mbetur në dorë tollonë pa vlerë, është 1.5 milionë euro.

“Gulf” e nisi aktivitetin e vet në Shqipëri në shator të vitit 2013 me krijimin e shoqërisë “Sun Petroleum”. 6 muaj më vonë, në shkurt të vitit 2014, shoqëria u ble nga kompania “offshore” “Universal Energy Group”, duke krijuar kështu një skemë zinxhir kompanish guaskë, përmes së cilës nuk mund të arrihet tek pronarët e vërtetë. Ndërkohë, më 9 mars, administratori gjeorgjian i kompanisë Irakli Svanidze dha dorëheqjen për arsye që thuhen se janë personale.