.

Vila “sms” Partizanit: Të dua, por të mund! I uroj vendin e dytë

Skënderbeu pas kual ifikimit për në finale e Kupës, tashmë rikthehet të mendojë për kampionatin atje ku e pret një takim i vështirë në transfertë. Përballë Partizanit me avantazhin e 12 pikëve nga vendi i dytë, korçarët e trajnerit Ilir Daja do të shkojnë për të marrë një rezultat pozitiv.

Por, duket se mungesat e shumta do të ndikojnë te kjo ndeshje pavarësisht se për Vilën mbetet një takim i fortë mes dy ekipeve. Mesfushori durrsak i Skënderbeut, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ka folur rreth këtij takimi si “ish” i Partizanit duke shprehur dëshirën e fitores së Skënderbeut të hënën, por edhe vendin e dytë në renditje për të kuqtë.

Vila, një ndeshje e rëndësishme për dy ekipet, por edhe për ju. Si e shihni këtë takim ndaj Partizanit?

Do të jetë një ndeshje e rëndësishme edhe në aspektin personal, por mbi të gjitha për objektivat që kanë të dy ekipet. Janë dy skuadra që kanë luftuar shumë në vitet e fundit dhe pavarësisht renditjes kanë treguar gjithmonë përballje të forta.

Dy vjet më parë shënuat në Korçë me fanellën e të kuqve. Jeni gati të bëni të njëjtën gjë edhe në Tiranë?

Më keni kthyer në mendje kujtime shumë të bukura. E mbaj mend atë takim të luajtur në Korçë, ishte vërtet një ndeshje mjaft e bukur dhe shumë e fortë. Shënova, por për fat të keq nuk na ndihmoi për objektivin, megjithëse ishte një nga kampionatet më të bukur që u vendos vetëm javën e fundit. Tani jam me Skënderbeun dhe jam gati të bëj të njëjtën gjë me këtë fanellë.

Nëse shënoni, do të festoni?

Jo, nëse shënoj, nuk do të festoj, kjo për respekt të atyre momenteve të mira që kam kaluar në atë ekip. Kam kaluar një pjesë të mirë të karrierës sime te Partizani. E them këtë, pasi jam ndier vërtet mirë dhe si çdo lojtar jam munduar të jap maksimumin. Por tashmë jam pjesë e Skënderbeut dhe do të mundohem të jap më të mirën time te ky ekip si një futbollist profesionist. Futbolli kështu e ka.

Si ndihet Vila te Skënderbeu?

Të them të drejtën, jam shumë mirë. Erdha në një ekip cilësor dhe normalisht e dija se do të ishte e vështirë të luaje për formacionin që në fillim. Megjithatë, jam munduar të jap më të mirën dhe të bëj maksimumin. Rivaliteti është shumë i madh, por në fund të fundit është një garanci më shumë për trajnerin që kthen kokën nga stoli dhe sheh se ka një pankinë plot me lojtarë cilësorë.

Këtë sezon jeni në rrugë të mirë për kampionat, por edhe në finale të Kupës. E kishit menduar që do të vinit deri këtu?

Sigurisht që po! Isha i bindur që vija në ekipin më të mirë në Shqipëri, jo vetëm tani që erdha, por edhe kur isha pjesë e Partizanit më herët e shihja që Skënderbeu ishte një ekip që ka bërë me të vërtetë gjithçka mirë në këto vite dhe pa dyshim është ekipi më cilësor. Si i tillë, them se kam bërë zgjedhjen e duhur. Këtu ndihem mirë dhe kam mbështetjen e tifozëve çka është një plus më shumë.

Mund të fitojë Kupën dhe kampionatin ky ekip?

Ne kemi objektivat tanë dhe normalisht që do të synojmë që të marrim të dy trofetë. Do të ishte një mbyllje perfekte e sezonit.

Ndaj Partizanit keni shumë mungesa, sidomos në sulm. Ia del Skënderbeu?

Të them të drejtën, ende nuk janë vendosur nëse do të mungojnë dhe sa do të mungojnë. Shpresojmë që të rikuperojmë lojtarët e sulmit. Si Xhejms ashtu edhe Soue janë lojtarë të fortë dhe një garanci më shumë kur i ke në fushë. Por nga ana tjetër, ekipi ka potencialin për të zëvendësuar në të tilla raste. Prandaj mendoj se, pavarë- sisht se sa mungesa do të jenë, ne do të bëjmë një ndeshje të madhe.

Aludimet e fundit prekin edhe zonën Champions. Si e shikoni pozicionin e ekipit në Europë?

Ne jemi të fokusuar vetëm te kampionati dhe Kupa. Duam që të arrijmë objektivat që kemi përpara dhe më pas të shohim. Për të tjera gjëra është klubi ai që mendon dhe komenton.

Së fundi, kush fiton në Tiranë?

(qesh).. Është një pyetje disi e sikletshme. Kam kaluar mjaft mirë te Partizani dhe kam shumë kujtime të bukura. Por tani jam te Skënderbeu dhe do të bëj maksimumin për Skënderbeun. Për mua tani vendin e parë e zë Skënderbeu dhe më pas Partizani. Kështu që të hënën fitojmë ne në këtë takim. Ndërsa Partizanin e uroj që të kapë vendin e dytë në kampionat. Do të më bëhej shumë qejfi për ta./ panorama