.

Vettingu/ “Asnjë polic nuk do të penalizohet për gabime në formular”

Kaosi që ka mbërthyer gjatë këtyre ditëve punonjësit e Policisë së Shtetit, që tashmë kanë nisur vetingun, duket se ka qenë pasojë edhe e një mungese informacioni, apo disinformimi. Nuk duhen dokumente shoqëruese për formularët e vetëdeklarimit nga asnjë institucion, por thjesht një deklarim pasurie. Madje, në rast se do ketë ndonjë pasaktësi apo gabim në përllogaritjet e të pasurisë, askush nuk do të penalizohet. Kështu premton zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Hodaj flet edhe për punën, që shumë punonjës policie mund të kenë kryer në “të zezë”. Sipas tij, mjafton thjesht që të deklarohen të ardhurat që janë përfituar nga të ardhurat në punë informale dhe gjithçka është në rregull. Sa i përket problemit me bankat, Hodaj thotë se kjo çështje tashmë është zgjidhur. Tri banka shërbejnë falas, ndërsa të tjerat me një pagesë minimale prej 150 lekësh të rinj.

Dhjetëra punonjës Policie, me të cilët kam biseduar gjatë kësaj periudhe, pas datës 5 prill, kanë shprehur shqetësime rreth pamundë- sive dhe vështirësive që kanë ndeshur për plotësimin e formularëve të vetëdeklarimit. Ata shprehen se bashkë me formularët, kanë marrë edhe një listë prej 18 dokumentesh shoqërues, që duhet të marrin në institucione të ndryshme. Nuk janë informuar siç duhet, apo vërtet këto dokumente janë të domosdoshëm?

Nuk parashikohet që këta të dorëzojnë dokumente shoqëruese bashkë me formularët. Formularët janë vetëdeklarime, që do të thotë që nuk ka nevojë për asnjë dokument shoqërues. Unë nuk e di se kush mund ta ketë dhënë këtë listë me 18 dokumente.

Përveç shqetësimit të lëvizjes sa në një bankë në tjetrën, ata janë përballur edhe me një kosto financiare për nxjerrjen e një dokumenti në bankë. A është zgjidhur ky problem, duke qenë se ju përmendët disa ditë më parë që e kishit adresuar në banka?

Po, problemi ka ekzistuar javën e kaluar, kur një bankë ka pretenduar tarifa që shkonin deri në 2 mijë lekë të reja.Është folur me të gjitha bankat. Shoqata e Bankave ka bërë një mbledhje të bordit, ku është propozuar që ky shërbim t’u jepet falas të gjithë punonjësve të Policisë. Disa nga bankat, tri prej tyre, kanë vendosur ta japin falas, ndërsa disa të tjera po aplikojnë tarifa minimale, që shkojnë deri në 150 lekë.

Për të deklaruar pronat e paluajtshme, a është e domosdoshme që të marrin vërtetim hipotekor apo që janë në proces legalizimi?

Jo, nuk ka nevojë për asnjë lloj dokumenti, mjafton që ta deklarojnë.

Shumë prej punonjësve të Policisë pranojnë që në raste kur kanë qenë në emigracion, kanë punuar në të zezë. Si mund t’i argumentojnë të ardhurat që kanë përfituar në këtë formë?

Ata mjafton që t’i deklarojnë, pasi informaliteti dhe puna në migracion është fenomen i njohur për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe patjetër që do merren parasysh në procesin e vlerësimit, por është e rëndësishme që t’i deklarojnë këto të ardhura.

Një punonjës Policie, që sot është me detyrë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, por gjatë karrierës së tij ka ndryshuar dhjetëra vende pune, në drejtori të ndryshme vendore, si duhet të veprojë për të marrë vërtetimin e pagës, në vendin ku është paguar deri në vitin 2005?

Nuk ka nevojë për vërtetime page për ato vite, për të cilat nuk ekzistojnë dokumente individuale. Policia dhe Garda e Republikës po punojnë për të nxjerrë referencat e pagave ndër vite, në mënyrë që ata t’i përllogarisin vetë të ardhurat. Duhet theksuar diçka, paaftësia e institucioneve për të vendosur në dispozicion të dhëna nuk do t’u ngarkohet në asnjë rast individëve.

Nëse ndodh që të ketë pasaktësi në vetëdeklarim, për shkak se shumë prej tyre mund të harrojnë, jo qëllimisht, të deklarojnë ndonjë pronë të luajtshme apo të paluajtshme, a do ketë penalizim për ta?

Askush nuk do të penalizohet për gabime materiale, që do të thotë për gabime të bëra pa qëllim, por nga ana tjetër unë nuk besoj që dikush harron që ka pasur një shtëpi apo një makinë dhe nuk e deklaron. Në rast se do të ketë gabime në deklarimin e të ardhurave, gjithmonë kur bëhet fjalë për përllogaritje gabim apo gabime të tjera të këtij lloji, individët nuk do të penalizohen.