.

“Vera e keqe nuk gjen treg, në politikë ndodh e kundërta!”/ D’Alema tregon pse kryeministri ‘flirton’ me Erdoganin

D’Alema mes politikës së rangut të lartë e verërave: “Vera e keqe nuk gjen treg, në politikë ndodh e kundërta!”

Massimo D’Alema, ish-kryeministri italian, një nga politikanët më jetëgjatë (me një aktivitet politik që daton që nga viti 1963), edhe për sa i përket rangjeve të larta të politikës ndërkombëtare, ka folur ekskluzivisht për Konica.al, gjatë një mbrëmjeje festive mes miqsh të rinj e të vjetër, në bar “Salt”, – në një event të organizuar nga Arian dhe Kastriot Haskaj (Moncafe) – për marrëdhëniet e tij me Ramën, Majkon dhe politikanë të tjerë, shqiptarë… Njëherazi, ai ka folur me krenari e pasion për verërat “Made in Italia”, – duke konkurruar së fundmi edhe verërat e famshme franceze… veçanërisht, pasi verërat që ai prodhon nga ferma e tij personale, në një kohë të shkurtër, janë futur në 100 klasifikimet e verërave më të mira italiane.  Me sa duket, siç thotë plot pasion edhe vetë politikani dhe ish-kryeministri italian, Massimo D’Alema: “I njëjti rrush i vjelur në kohë të ndryshme prodhon verëra të ndryshme”.  

Mentor Nazarko: Cila është arsyeja e vizitës tuaj në Shqipëri?

Massimo D’Alema: Kam ardhur për të tërhequr dekoratën e lartë të “Nënë Terezës” së Kalkutës, një dekoratë që në fakt i takon gjithë popullit italian, për gjithë ndihmën që i kanë dhënë Shqipërisë, në afro 30 vite. Unë, gjatë këtyre viteve, kam pas luajtur role të ndryshme institucionale, që më kanë lidhur me Shqipërinë dhe shqiptarët.

Mentor Nazarko: Po unë ju shoh këtu, të rrethuar mes verërave të ndryshme?…

Massimo D’Alema: Po. Ne në kohën e lirë ne udhëheqim një sipërmarrje të vogël prodhuese verërash, një veprimtari e cila është edhe pasioni im. Kemi ardhur këtu që të promovojmë me miqtë e mi të përbashkët italianë dhe shqiptarë, një pjesë prej tyre.

Mentor Nazarko: Ju i keni bërë dy role, politikanin dhe “verëbërësin”? Cila është më e lehtë? A të ndihmon si politikan aktiv të kesh sukses në gjetjen e tregut për verarinë?

Massimo D’Alema: Sigurisht, të qenët në politikën aktive të ndihmon në fazën e parë. Në të gjitha aktivitetet njerëzore, pra në të dyja prej tyre, ka shumë rëndësi puna dhe përkushtimi, ndershmëria që më në fund të ofrosh produkte cilësore, por kam vënë re se ndërsa për verërat është vështirë për produktet e këqija që të gjejnë treg, në politikë është e kundërta. Pra, ka shumë produkte të kalbura…

Mentor Nazarko: Keni pasur kontakte dhe takuar politikanët shqiptarë që në vitet ’90, në kohën kur politika shqiptare ishte e ndarë midis Nanos dhe Berishës…pra, në një kohë të vështirë…Edhe me Majkon, apo jo, gjithashtu i njohur në kohëra të vështira…

Massimo D’Alema: Jo vështirësi. Mund të them se kemi pasur kontakte…Por ishte një periudhë e vështirë. Ai ka qenë pjesë e politikanëve të rinj në politikën shqiptare, së paku, atëherë kur e kam njohur në vitin 1999.

Mentor Nazarko: Tashmë është maturuar, ashtu si edhe politika shqiptare?…

Massimo D’Alema: Po… mund të them që Shqipëria ka bërë progrese të mëdha, mbi të gjitha si meritë e qytetarëve shqiptarë, jo veçse e politikës, por edhe e intelektualëve, punëtorëve por edhe e sipërmarrësve shqiptarë, por edhe paksa me ndihmën e miqve, pasi raporti me Italinë ka qenë një raport që vitet e fundit e ka ndihmuar Shqipërinë të rritet. Italia është e do vijojë të jetë një shtet që shikon me tejet interes dhe në favor të integrimit evropian të Shqipërisë, që mbi të gjitha ky është edhe interesi i Italisë.

Mentor Nazarko: Në fillim të viteve ’90, ambasadorët italianë kishin tejet influencë, por tashmë ajo nuk ndihet më… Si e shihni këtë gjë, ndonëse Italia është kontrubuesi dhe partneri kryesor i ekonomisë shqiptare?

Massimo D’Alema: Pikërisht ashtu është. Unë besoj se influenca e Italisë është, duke e vlerësuar nga raporti ekonomik, ashtu si edhe ai kulturor dhe njerëzor, tejet i fuqishëm. Unë do të thosha që midis Italisë dhe Shqipërisë, përpos bashkëpunimit ekonomik, është më saktë integrim. Këtu ka një sërë ndërmarrjesh e investitorë italianë. E po ashtu, edhe të ardhurat e shqiptarëve që ishin në Itali kanë ndihmuar jo pak edhe rritjen ekonomike të Shqipërisë. Kështu që, e sigurt që Italia në vitet ’90 sillte ndihmën, ndërsa tanimë vjen të kërkojë oportunitete, pasi Shqipëria është një vend që po rritet dhe ofron oportunitete më shumë sesa ka nevojë për ndihmë.

Mentor Nazarko: Në një takim në të cilin kam qenë vetë i pranishëm, diku në prillin e vitit 1999, ju, të gjendur në vështirësi për shkak të kërcënimit të Partisë Komuniste, e keni marrë në konsideratë ndarjen e Kosovës, ide që ia keni propozuar dhe Presidentit shqiptar, duke marrë një përgjigje shumë agresive prej tij. E vërteta është se kjo ide qarkullon edhe sot. Si ju duket kjo hipotezë?

Massimo D’Alema: Duhet të keni parasysh që ajo ishte një situatë tejet e veçantë, që edhe brenda NATO-s kishte qëndrime të ndryshme dhe sigurisht edhe brenda politikës italiane, edhe brenda institucioneve perëndimore, NATO dhe BE, kanë ekzistuar ide të ndryshme për zgjidhjen e problemit. Por mos harroni që Italia mbajti një peshë kryesore, qoftë në organizimin e operacioneve ushtarake, qoftë edhe në kontributin humanitar edhe sot, me praninë ushtarake në Kosovë. Italia, kur unë isha Kryeministër, ishte kryesuese e radhës së Këshillit të Sigurimit, kur edhe u diskutua ideja për pavarësinë e Kosovës. Kemi pasur një rol të rëndësishëm ndërlidhës edhe për zgjidhjen paqësore nga dyshja e të dërguarve pranë regjimit të Milosheviçit, Marti Ahtisari e Viktor Çërnomërdin…

Mentor Nazarko: Ju keni njohje të hershme me kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Mos vallë Rama është egocentrik ballkanik (pra, mos i shet mend evropianëve) apo autokrat, siç e quan opozita dhe rri pranë evropianëve apo është realisht një lider?

Massimo D’Alema: Unë nuk jam një gjykatës neutral, pasi dihet se ne jemi miq. Unë besoj se ai i ka dhënë, për shembull, qytetit të Tiranës një impuls të madh brenda një administrimi modern. Unë e njoh mjaft mirë, e mund ta them si një dëshmitar që nuk është një njeri i korruptuar. Pra, nuk është një njeri që është pasuruar personalisht. Nuk dua të hyj në polemika për politikën shqiptare, pasi është pakëz e diskutueshme, ashtu si edhe politika italiane – kështu që nuk dua të bëj leksione. Më duket nganjëherë se polemikat shkojnë më larg sesa realiteti. Unë e konsideroj një njeri evropian, që qeveris me gjithë “efektet” e tij, duke nisur që nga formimi i tij kulturor, që e bën atë një personalitet evropian.

Mentor Nazarko: Evropian, evropian…por po flirton me Erdoganin…

Massimo D’Alema: …Por nuk diskutohet që Shqipëria është brenda së drejtës së vet që të zhvillojë një politikë të jashtme rajonale në përputhje me interesat e veta. Ndonëse Skënderbeu, që mbrojti qytetërimin evropian, e bëri këtë, duke luftuar turqit…

Mentor Nazarko: Në fakt, Skënderbeu luftoi otomanët?

Otomanët ishin po turq…

Mentor Nazarko: Po, madje otomanët ishin edhe shqiptarë, edhe serbë, etj…

Kjo është qasja e Erdoganit sot, që barazoi turqit me otomanët!

Kush është Massimo D’Alema?

Massimo D’Alema ka lindur më 20 prill 1949 në Romë. D’Alema e filloi aktivitetin politik në vitin 1963, kur bëhet anëtar i Federatës së të Rinjve Komunistë Italianë (FGCI), ndërsa në vitin 1975, ai zgjidhet si Sekretar i Përgjithshëm i organizatës, post të cilin e mbajti deri në vitin 1980. Më tej, D’Alema, zgjidhet si anëtar i Parlamentit Italian (Dhomës së Deputetëve), e në vitin 1989, inkuadrohet në procesin e transformimit të Partisë Komuniste Italiane në Partinë Demokratike të së Majtës (PDS).

Në vitin 1992, D’Alema bëhet President i grupit parlamentar të PDS-së në Dhomën e Deputetëve. Në korrik 1994, ai bëhet Sekretar i Përgjithshëm i PDS-së dhe në 5 shkurt 1997, D’Alema zgjidhet si Kryetar Parlamenti i Komitetit për Reformën Konstitucionale.

Zgjidhet si Kryeministër i Italisë më 21 tetor 1998, deri në vitin 2000. Më dhjetor të vitit 2000, D’Alema, zgjidhet President i Demokratëve të Majtë, ndërsa në tetor 2003, në Kongresin e Internacionales Socialiste në San Paulo të Brazilit, ai zgjidhet Zëvendëspresident i Internacionales. Një vit më pas, më qershor 2004, D’Alema bëhet anëtar i Parlamentit Evropian, ndërsa nga viti 2006, deri në maj të vitit 2008, Massimo D’Alema zgjidhet Ministër i Jashtëm në qeverinë e dytë të Kryeministrit të atëhershëm italian, Romano Prodi.

Ka marrë “Medaljen e artë të lirisë” nga shteti i Kosovës dhe gjatë ditës së djeshme, dekoratën e lartë shqiptare të “Nënë Terezës”, nga z. Ilir Meta.

Ai është i martuar me Linda Giuva dhe ka dy fëmijë: Guilia dhe Francesco. Është president i Fondacionit Politik “Fondazione di cultura politica Italiani europei” si dhe President i Fondacionit Evropian për Studime Progresive (FEPS), që nga 30 qershori i vitit 2010./ konica.al