.

Ana romantike e Salsano Rrapit: Erjona, gruaja e ëndrrave të mia…  

 

Ai është një personazh që vjen nga bota e televizionit dhe është një aktor shumë i dashur për publikun shqiptar. Bëhet fjalë për aktorin Salsano Rrapi, i cili nuk mund të përkufizohet vetëm si aktor por edhe si skenarist. I ftuar në emisionin “Chic” të Fjodora Fjorës në News24, Salsano rrëfen për jetën private e cila gjithmonë është mbrojtur me fanatizëm nga aktori. Ai rrallë herë bëhet pjesë e portaleve kur bëhet fjalë për jetën private. Salsano prej pak kohësh është bërë baba për herë të dytë.

Salsano sa vite u bënë që je pjesë e ekranit?
“Në ethet e së premtes” ishte nata ku unë u bëra i famshëm, bëra shaka në kohën dhe në vendin e duhur dhe që nga ai moment unë kam punuar gjithmonë të televizion. Pra bëhet fjalë që prej vitit 2005 e deri tani.

Është aktrimi, i cili erdhi si rrjedhojë e imitimit dhe është kthyer padyshim në shtyllën e saj që ty të përbën. Përveçse je një show man, përgjatë këtyre viteve ti ke dëshmuar se je dhe një producent i zoti por dhe një person që tek pjesa e skenarit ke ndërhyrë vet.
Tek “Portokalli” është një proces shumë interesant, sepse është pikërisht vendi ku mësohet se si mund të bësh humor. Në fillim kam krijuar karaktere por nuk kisha mundësi të shkruaja të hyja në brendësi e të shikoja strukturën e një materiali se si mund ta shkruash e se si zhvillohet. Pastaj me kalimin e kohës duke njohur karakterin e personazhit sepse ashtu siç e njoh unë karakterin e personazhit tim nuk e njeh askush tjetër, kështu që unë i vë fjalët e duhura në gojë. Me kalimin e kohës mësova t’i shkruaj vet materialet e personazheve të mi.

Përgjatë këtyre viteve ke ndryshuar karakter, megjithatë disa prej tyre kanë mbetur historik e nuk i ndryshon, nuk heq dorë prej tyre.
Për shembull personazhi i gagaçit vazhdon të jetojë edhe sot në nivele të mira, për shkak të stilit të ka ai që luan me mendjen e njerëzve. E papritura është ajo që shkakton humor. Unë nis një fjalë dhe ndaloj e publiku kupton një gjë tjetër dhe kjo shkakton humor te publiku.

Që në momentin e parë që nise të prezantosh ‘Portokallinë’, a ke menduar ndonjëherë që të heqësh dorë nga aktrimi dhe t’i përkushtohesh vetëm prezantimit ?
Moderimi dhe aktrimi janë dy gjëra të ndryshme. Në momentin që u largua Agron LLakaj nga ‘Portokalli’ nisi dilema e madhe se kush do e drejtonte sepse ai kishte shumë vite. Regjisori Altin Basha përdori një stil të veçantë se kush mund të ishte drejtuesi i ri. Përpara se të filloj shfaqja në bëjmë një bisedë me publikun dhe i mësojmë ata se si duhet të sillen, të jenë të kujdesshëm p.sh. të mos hanë fara (qesh), të flasësh si vetja jote. Këtë testim Altini e bëri më shumë aktor për disa javë rresht dhe u pa që ishte shumë e vështirë që aktorët të ishin vetja në përgjithësi. Unë kam pas eksperienca në skenë, që i vogël jam marr që në Cerrik ku kam lindur, pastaj në teatrin “Skampa” në Elbasan e shumë të tjera. Por ai me mua përdori një truk, më bëri moderator por si personazh dhe kjo funksionoi sepse tashmë kam 7 vjet si moderator.

Gjithë këto vite personazhe, histori a ndihesh ndonjëherë i ezauruar për sa i përket asaj që duhet të sjellësh në skenë për të mos rënë në banalitet apo për të mos përsëritur veten herë pas here.
Në fakt kjo është sfida më e madhe. Ne herë pas here bëjmë diskutime për shkak të trysnisë artistike, që krijon dhe Altini për të na nxjerr neve më të mirën.

Ti së fundmi je bërë baba për herë të dytë dhe siç na ke thënë 2 vitet e fundit nuk fle më gjumë. Je bërë me dy vajza, shumë fat…
Por edhe në qoftë se do të bëja një fëmijë tjetër vajzë e doja. Nuk më ka pëlqyer asnjëherë të flas për jetën time në publik jo se kam frikë apo turp por është një gjë që më përket mua. Në përgjithësi nuk jap intervista, nuk i kam qejf sepse nuk më pëlqen që njerëzit të dinë shumë për mua. Shumë njerëz më dinin beqar. Unë kam rreth 13 vjet më Erjonën dhe 10 vjet që bashkëjetojmë, por nuk jemi martuar me certifikata me rregulla.

Tani jeni prindër të fëmijës së dytë, pse kemi menduar kështu?
Të tregoj një barcaletë. Një person kishte vrarë gruan dhe e pyesin. Ti ke 35 vjet martuar me të pse e vrave tani? Po më çmendi pse mos ta vrisja. Po ti ke 35 vjet pse u kujtove sot? Po ja mukajeti hë sot hë nesër dhe e vrava tani. Kështu dhe puna jonë hë sot hë nesër mukajeti më ka lënë pa martuar me letra por kjo nuk është e rëndësishme. Vajzat e mia erdhën në jetë shumë shpejt, Margi e madhja është 2 vjece e katër muaj ndërsa e vogla Amal është 5 muajshe e gjysmë. Emrin Amal e kam huazuar, është emër arabik që do të thotë shpresë dhe inspirim. Gjithashtu më pëlqen dhe gruaja e George Clooney, e cila e ka emrin Amal.

Është gruaja e ëndrrave të tua?
Jo gruaja e ëndrrave të mia është Erjona por në qoftë se qëllon ta takoj mirë do ishte për t’i dhënë dorën (qesh). Nuk ka rëndësi se kur martohemi por ne do të jemi deri në fund bashkë.

Ju keni ndarë edhe skenën bashkë edhe momente artistike, a është një mendje më shumë për të të korrigjuar në punën tënde?
Erjona është goxha kritike me mua sepse është e drejtpërdrejtë dhe duke qenë aktore ajo e kupton mirë. Të qenit në të njëjtin profesion më ka ndihmuar shumë sepse është një nga personat më të mirë në jetën time. Pa lindur fëmijët nuk mendoja që Erjona do ishte një nënë kaq e mirë, ajo e menaxhon shumë mirë situatën. Përveç se është një nënë shumë e mirë dhe lodhet shumë ajo nuk dorëzohet sepse është dhe në skenë. Edhe kur ka qenë shtatzënë ajo ka luajtur në skenë.

Ti realizove “One man show’ para disa kohësh?
Po “One man show” ishte shumë i suksesshëm, bëra 24 shfaqje në Shqipëri. Përveç të tjerave unë bleva shtëpi me një shfaqje, më fal që po tregohem kaq i sinqertë.
Kur takova aktorin nga Kosova Enver Petrovski në një festival teatri i thashë që po bëj një ‘One man show’. Ai më tha në qoftë se nuk do të blesh një shtëpi nuk ke qenë i suksesshëm dhe në fakt unë e bleva një shtëpi të vogël në det. Është pak e vështirë sepse duhet të jesh në skenë rreth një orë e 30 minuta dhe qindra sy që të shohin vetëm ty dhe presin nga ty që t’i bësh të ndihen mirë. Por ishte një sukses sepse njerëzit vazhdonin të më duartrokisnin.

Ti ke interpretuar dhe në serialin që u prezantua së fundmi “Skënderbeg”
Ky film ka qenë një nga prodhimet më të mira shqiptare të serialeve. Pavarësisht se në Shqipëri publiku është drejtuar ndaj një humori të drejtpërdrejtë.
Unë kam luajtur dhe në filmin ‘Femrat’ në vitin 2013, i cili pati një sukses të madh në kinema. Një komedi romantike ishte por kinematë dy javë u mbushën plot. Unë kam marr çmim të parë në një festival teatri në Dibër të Madhe me një rol të dytë por ka qenë një shfaqje shumë e mirë. Puna ime kryesore është ‘Portokallia’ kam kontratë dhe çdo punë tjetër si në teatër si në film duhet ta bëj pas sezonit sepse dhe fizikisht nuk mundesh.

Cili do të jetë projekti i radhës me të cilin do angazhohesh?
Është një projekt për teatër, i cili është në fazën e përkthimit, mund të jetë një boom teatror në kuptimin e ngacmimit që ka ajo si pjesë. Nuk po zbuloj më tepër.