.

Nga vallëzimi i parë te letrat e dashurisë gjatë luftës, George dhe Barbara Bush, një histori dashurie 80 vjeçare

  

Rrallë gjen një romancë dashurie si ajo e tyre; që t’i rezistojë kohës për 80 vite me radhë. E tillë ishte historia e dashurisë mes ish presidentit të SHBA-ve George Bush dhe bashkëshortes së tij Barbara.
“Jam ende e dashuruar me burrin që u martova 72 vjet më parë. Xhorxh Bush më ka dhënë botën. Ai është më i miri – i zhytur në mendime dhe i dashur,” kështu është shprehur Barbara Bush për marrëdhënien e saj të pabesueshme me George HW Bush pak para se ajo të vdiste në shtëpinë e saj në Houston të marten e 17 prillit 2018. Deklarata e thjeshtë, por mahnitëse është një testament për historinë e pabesueshme të dashurisë së çiftit, e cila filloi në vitin 1941.


Çifti u takua në një mbrëmje vallëzimi në Krishtlindjet e vitit 1941, kur ende ishin adoleshentë. Ata e pëlqyen shumë njëri-tjetrin dhe nisën një marrëdhënie serioze edhe pse si fillim në distancë, pasi George iu desh të shkonte në Luftën e Dytë Botërore. Gjatë kësaj periudhe ata mbajtën kontakt përmes letrave. ‘Sa shpesh kam menduar se si do të jetë jeta jonë, se sa të lumtur e të gëzuar do të jemi një ditë. Sa me fat do të jenë fëmijët tanë që do të kenë një nënë si ti. Ditët shkojnë, dhe koha e takimit tonë po afrohet. Kam një kohë të gjatë që pres me padurim ditën kur do të takoj dhe bashkë të bëjmë një shëtitje buzë detit…, shkruante George në një nga letrat e tij për Barbaran.

Kur u kthye nga lufta, George dhe Barbara u martuan, më 6 janar 1945 në kishën e Rye, Neë York , në qytetin e Barbaras. Ata patën një jetë të lumtur, dhe sollën në jetë gjashtë fëmijë së bashku: ish-presidentin George W, Jeb, Neil, Marvin, Dorothy dhe Robin, e cila vdiq nga leuçemia kur ajo ishte vetëm tre vjeç.


Ish presidenti dhe zonja e parë patën gjithashtu 14 nipër e mbesa. Jenna Bush Hager, mbesa e Barbaras, tha për martesën e gjyshërve të saj: ‘Ajo e adhuronte gjyshin tim, ishte njeriu i parë që ajo puthi; historia e tyre e dashurisë ka ngulur rrënjë thellë në historinë e familjes sonë “.

Ndërsa një zëdhënës i tyre, në ditët që Barbara ishte e sëmurë tha; “Ajo është e rrethuar gjatë gjithë kohës nga familja që e do aq shumë, por unë mendoj se vetëm fakti që ata janë së bashku dhe që ai ende i thotë,” Unë të dua Barbie’’, është ndjesia më e mrekullueshme për të.’’
Dashuria e tyre ishte më jetëgjata e dëgjuar ndonjëherë në historinë e personave të famshëm në botë.

Barbara Bush vdiq në shtëpinë e saj të martën në moshën 92-vjeçare, dy ditë pasi ajo u sëmur rëndë dhe refuzoi trajtimin mjekësor. Burri i saj George, ishte pranë saj kur ajo u nda nga jeta; ai u ul pranë gruas që dashuroi për 80 vite me radhë, dhe ia mbajti dorën gjithë ditën deri në frymën e saj të fundit… /Përktheu, hapur.al