.

A do ta shpëtojë dot Ornela Vorpsi imazhin e EdRamës?

Nga Artur Zheji

E nurshme, e mirëmbajtur me kujdes, me të folme të kujdesshme, ka tre apo katër ditë që po ‘përmbyt’ mediat e varfra shqiptare me rrëfime prekëse, mallëngjyese dhe të rrëfyera në mënyrë romantike.

E ardhur enkas nga Parisi, dhe e vënë në qendër të vëmendjes si një ish-mike e dashuruar me kryeministrin e sotëm, Ornela, duket tërë kohës në një rol të mirëmenduar.

Ekspozita e saj në ambientet e kryeministrisë, në zyrat dhe nën përkujdesin e ish të dashurit të saj platonik, sot kryeministër, përbën në vetvete një ‘karem’ dhe një joshje mediatike, në të cilën ranë më së shumti mediat e lodhura nga konflikti politik në fshatin shqiptar dhe nga ripërsëritja e temave, shpesh bajate dhe gjit’e me pak ndjellëse.

Nëse do të merreshin thjesht me dukurinë ‘Ornela’, do të kishim thjesht të bënim me një dukuri sezonale, sepse, shqiptarët kanë kureshtje për profile të tilla, të cilat u japin një gëzimin naiv se edhe ndoshta fëmijët e tyre do të mund të shndërroheshin nga një kubiste trupgjatë, në një piktore apo në një shkrimtare që mbijeton në Paris…

Mirëpo si mundet një shkrimtare apo një piktore, bukuroshe dhe tërheqëse në të njëjtën kohë, të shpenzojë një energji dhe një vëmendje të posaçme, për të lajkatuar kryeministrin, nga intervista në intervistë?

Këtu edhe ngec mallëngjimi apo nostalgjia, përkundrejt kësaj dame të ftohtë, që rikthehet në vendin ku e kanë trajtuar padyshim, keq dhe padrejtësisht.

Sepse, a munden të jenë, shkrimtarët apo piktorët e mirë, që respektojnë vetveten, edhe vërtetashkrues edhe lajkatarë të pushtetit në të njëjtën kohë?

Kjo rrëfen se ‘dukuria Ornela’, është në Tiranë, më shumë një dukuri elektorale lokale dhe kjo është e mjerueshme për një artiste, me një mision të mirëfilltë politik të paracaktuar, që ka pak ose aspak lidhje me artin, që mjerisht duket se është një koperturë e misionit të vet të vërtetë.

Sepse ajo, ‘Ornela artiste’, nuk lodhet së ripërsërituri nga intervista në intervistë, ofshama teatrale, për ‘lidhjen e saj të dështuar me EdRamën, ngase ai nuk e dashuroi por njëkohësisht e formoi si njeri dhe si artiste…’ dhe se ‘Edi është shumë i zënë duke u kujdesur për Shqipërinë…’

E të tjera, blablabla të tjera si këto… që dalin nga buzët e saja të ngrira e të ngurtësuara, nga lufta e dëshpëruar estetike, kundër kohës dhe kundër rrudhave…

Është ky pra tipari rebel i artistes ‘self made’? Lajkatimi i pushtetit dhe i të pushtetshmëve, nën fjalët e trukuara të një ish studenteje të viteve ‘90?

Ornela, nuk është kthyer në Shqipëri, për të ringjallur dashurinë e saj të vjetër, përshkruar si nëpër telenovela, por dukshëm për gjëra shumë më konkrete… aspak platonike, shumë tokësore dhe lëndore.

Ka ardhur në Shqipëri si artiste apo si një kubiste e qeverisë Ornela? (Kubistet janë vajza që kërcejnë pothuajse pjeshkëjashtë, mbi ca kuba të ndriçuar, duke u mbajtur në ca tuba, me të cilat fërkohen provokueshëm…)

E njoh Ornelën e viteve ’80-’90, në planin personal, por nuk kam ndërmend ta komentoj, të paktën për ca kohë…

Di edhe shumë detaje që ajo nuk thotë, në lidhje me Ramën, asokohe i martuar me Matilda Makoçin, por nuk është rasti të lëndojmë askënd.

Pas 30 vitesh, duhet me pa e me dëgjuar: Komedinë e re, ‘Vorpsi-Rama’, për me harru kukësianët në burg, zhvatjen e ministrave të korruptuar të kësaj qeverisjeje dhe me restauru imazhin e shkalafitur të kryeministrit në krizë popullariteti.

Tepër antiestetike për besë!

Gjithësesi, duhet thënë se Ornela, nuk ka asnjë arsye ta dojë Shqipërinë, që është sjellë keq me jetën e saj. Pra le të marrë edhe ajo ndonjë kompensim të tërthortë nga taksat tona.

Por a do ta shpëtojë dot Ornela Vorpsi imazhin e EdRamës?

Ka shumë mundësi që “po”… të paktën përkohësisht…deri në zullumin tjetër të radhës të ish profesorit të pikturës, të përshkruar nga Ornela, e mbrritur nga Parisi si restauratore imazhi…

Sinqerisht nuk ndjehem mirë që kjo grua e hirshme dhe inteligjente, paska halle reale në Parisin e shtrenjtë dhe ka mbërritur në oborrin e dorëshpuarve shqiptarë, për të zbukuruar muret e njollosura me mëkate korruptive të kryeministrisë shqiptare. /360grade.al/