.

Rrëfimi ndryshe i Paskal Milos, nga dashuria me shikim të parë te futbolli…

Paskal Milo, ashtu siç nuk e keni parë kurrë. Një bisedë pa doreza në shtëpinë e tij, për rininë, futbollin pasionin e tij të madh, njollën në biografi, largimin nga “Zëri i Popullit” dhe rikthimin si pedagog në universitet. Profesori foli në “Pasdite në Top Channel” për dashurinë me shikim të parë dhe familjen e tij.
“Pasioni i madh i rinisë time, futbolli”
Pasi u emërova gazetar në “Zërin e Popullit”, pasioni im mori fund, pasi punoja deri në 2 të natës. Më është dashur të varja këpucët në gozhdë. Por edhe tani kam instiktet. Kur më del topi para filloj bëj palexho. Futbolli do të kishte qenë më i thjesht për mua, do të isha edhe më popullor. Sot futbollistët janë njerëzit më të pasur në botë.
Puna në gazetën “Zëri i Popullit”
Nga viti 1971 deri 1975 kam punuar aty. Njolla në biografi më largoi. Për kohën që kam punuar aty dhe kolektivi, ajo ka qenë një shkollë për arsyet e informacionit që merrja. Rrënjët i kam pikërisht aty te ai studim që unë i bëja marrëdhënieve ndërkombëtare në atë kohë. Më pas, u bëra mësues në Fier e më pas punova në muzeun e Fierit. Dhe në 1980 u riktheva në Tiranë. Nga viti 1974, kur ishte një fushatë për të gjetur armiqtë e kohës, njerëzit edhe të shmangeshin. Madje edhe të kritikonin në publik, mund të shkruanin edhe ndonjë letër. Kur shkonim me vëllanë në Fier, nuk na afrohej njeri.
Si ishte të bëjë gazetari në ato vite?
Gazetaria e një tipi tjetër. Por gjithsecili shfaqte personalitetin e vetë mes shkrimeve. Por kishe një kornizë dhe nëse dilje jashtë sajë as që mund të botohej.
Njohja me bashkëshorten
Ndodhi sapo kam nisur punën në “Zërin e Popullit. E njoha kur shkova të takoja një njeriun tim në Vlorë. Mbante një fustan të kuq. Në momentin e parë më ka krijuar përshtypjen se mos ishte ndonjë aziatike. Jemi martuar në vitin 1976 në Fier.
A keni bërë çmenduri për Liljanën?
Kemi pasur edhe ne jetën tonë private, personale, intensive. Patjetër që kemi pasur gjëra të bukura. Shkoja çdo javë nga Tirana në Vlorë për të parë Liljanën që ishte nxënëse. Shumë takime bëheshin edhe në shtëpinë e shokut. Kushtet kanë qenë të vështira për të rritur fëmijët. Por nëna e Liljanës na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë, një nënë heroinë. Liljana ka vuajtur më shumë. Edhe me punën e vështirë që ka pasur, por duke qenë i ri i përballon dhe ne ja arritëm ja dolëm të kalojmë ato kohë të vështira.

Çfarë babai jeni?
Autoritar kam qenë, skrupuloz. Sa i përket studimeve, librat kanë qenë shoqëria ime në tërë jetën. Në tavolinën time gjithmonë gjenë rrëmujë. Familja jonë i ka transmetuar fëmijëve, kulturën e dijen. Liljana është pak më sportive, më gazmore, më e shoqërueshme. Ndërsa unë jam më serioz dhe besoj se kam bërë mirë, pasi kemi kompensuar njëri-tjetrin në marrëdhëniet me fëmijët.
Pse u bëtë pjesë e politikës?
Nuk doja të futesha, ka qenë rastësi, pasi unë e kisha pësuar nga politika. Pasi u krijua Partia Demokratike më kanë ardhur në shtëpi dy miqtë e mi, që të bëhesha pjesë e kësaj partia. Eduard Selami më ka kërkuar të bëhesha pjesë e PD. Unë në fakt i kam refuzuar me mirësjellje, duke u thënë se nuk e kisha ndërmend të angazhohesha me politikë, por të vazhdoja studimet. Në shkurt të 1991 jam caktuar dekan i Filologjikut, në këto momente pati një lëvizje nga një grup intelektualësh për krijimin e një partie politike. Ishte ideja e një partie të qendrës, mes dy partive të mëdha që po grindeshin dhe kjo idenë më tërhoqi dhe kështu lindi Partia Socialdemokrate. Duke hyrë në politikë, unë nuk hoqa dorë asnjëherë nga shkenca dhe nga universiteti. Edhe në kohën kur kam qenë ministër kam shkuar në auditor.

Çfarë iu ndau me Skënder Gjinushin?
Me Skënderin kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë për vite. Por unë kuptoj që pushteti të miklon dhe si një politikan duhet të ruhesh. Partia erdhi duke u rrudhur, pasi humbi demokracia e brendshme, e cila është kaq e rëndësishme për mbarëvajtjen e partisë. Duke qenë intelektualë, vendosëm që të ndahemi në kuptimin organizativ. Tashmë jemi koleg, takohemi, bisedojmë dhe ndajmë edhe mendime me njëri-tjetrin.