.

Shënim/ Propaganda; Vetting-u si shpëtim për Edi Ramën

Sa herë kryeministri kalon nëpër situata të sikletshme, reciton me tone të forta fjali të hartuara bukur, për efektet që do të japë reforma në drejtësi. Madje kur i duhet e kthen edhe plagën e hershme të socialistëve, 21 janarin, dhe çfarë do të bëjë drejtësia e re që do të vijë pas reformës, me zbardhjen e 21 janarit, Gërdecit e të tjera çështje si këto. Kështu ndodhi edhe në fjalën e tij sot në parlament, ndërkohë që rrugët e Shqipërisë ishin bllokuar nga protesta e opozitës, që ka startuar kështu mosbindjen civile. Për të gjithë ata që e akuzojnë se ka  harruar 21 janarin, Rama ka këtë përgjigje: Kujt më thotë që ju e harruat atë që thatë që do shkojnë përpara drejtësisë që bënë 21 Janarin e Gërdecin i them: më merr te keqen, sepse jo vetëm që nuk e kemi harruar por kemi ndërmarrë reformën më të fortë që do vendosë në shina një sistem drejtësie që do marrë përpara ata që i ngulin çdo ditë thikë pas shpine këtij vendi”. 

Por gjatë ditës së sotme, janë publikuar lajme që e vënë në dyshim të fortë reformën në drejtësi. Organizata amerikane, Judicial Watch, ka publikuar së fundmi një dosje ku sipas organizatës vërtetohet se si miliarderi George Soros përfitoi nga paratë e taksapaguesve amerikanë për qëllimet e tij politike në Shqipëri. Pas një hetimi të detajuar, Judicial Watch ka dosjen me 32 faqe ku supozohet se “Fondacioni për Shoqërinë e Hapur” në Shqipëri u vu në shërbim të Partisë Socialiste në pushtet dhe kryeministrit Edi Rama për të justifikuar mënyrën se si po bëhej reforma në drejtësi. Dokumentet e përfshira në këtë dosje evidentojnë se 9 milionë dollarë i janë dhënë SOROS-it nga taksapaguesit amerikan, për të sponsorizuar kryeministrin Rama në Shqipëri. Dosja e Sorosit në Shqipëri, është pjesë e hetimit të zgjeruar të Judicial Watch, me qëllim për të hedhur dritë se si u shpenzuan paratë e taksapaguesve amerikanë për qëllime politike të administratës së ish-presidentit, Obama.

Dokumentet e publikuara në këtë dosje hedhin hije të forta dyshimi për seriozitetin e  reformës në drejtësi në Shqipëri.